Preç Zogaj e pranon se nuk heq dot dorë nga “vesi” i të shkruarit, të botuarit dhe të bërit promovime. Përkundër melankolisë, karakteristike e poezisë së Zogajt, e në veçanti në vëllimin e tij më të fundit, ku e shenjon qysh në titull, në promovimin e organizuar dje u krijua një atmosferë e gëzueshme, shumë e ngrohtë e miqë- sore. Dhe është e natyrshme, ia vlen të festohet, kur lexuesi merr një libër të bukur me poezi.
“Ushtrimet e melankolisë” është vëllimi i njëmbëdhjetë poetik i Preç Zogajt, i cili mblodhi dje miq të tij, poetë, shkrimtarë, gazetarë, por edhe politikanë, mes të cilëve i pranishëm edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, deputetë e njerëz të “dueleve” mediatike e politike. Pasi politika është bërë një shemër e poezisë në jetën e Zogajt, por pa ia dalë të jetë kryesorja. “Ushtrimet e melankolisë” vjen si një botim i shtëpisë botuese “MAPO” dhe drejtuesi i saj, Henri Çili, do të shprehej se ky është libri që i paraprin një kolane veprash të tilla. Do të fliste gjatë miku i tij i “armëve”, Rudolf Marku, të cilit i kushton një poezi në këtë libër.
Njeriu që ia njeh qysh herët ndjeshmërinë e vargut. Ndërsa vetë Zogaj, i rrethuar nga miq, që nuk i rezistojnë kurrë ftesës së tij për të trokitur një gotë në çdo promovim, nuk ka shumë për të thënë për veten, por ama shumë falënderime. Sipas tij, poezia është një shpalosje shpirtërore që ai i bën lexuesit. E ky i fundit ka shumë ç’të mësojë mbi Preç Zogajn, duke lexuar vargjet e tij të shkruara në këto 25 vitet e fundit, ku ka shumë dashuri e dhimbje njëherit, dëshirë për të jetuar e për të shtyrë sa më larg fundin, që na merr të dashurit, e që një ditë do t’u bashkohemi të gjithë.
Ndaj dhe kishte menduar që këtë mbrëmje t’ia dedikonte më shumë poezisë se fjalimeve, duke ua lënë mikrofonin aktorëve Yllka Mujo e Sokol Angjeli, që interpretuan disa prej poezive të vëllimit “Ushtrimet e melankolisë”.
RUDOLF MARKU
Poeti francez Paul Valery, njëri ndër eruditët e mëdhenj të shekullit që kaloi, e kishte zakon të këshillonte të tjerët, por sidomos veten e vet. Gjithmonë përpara se të fliste për poezinë, kërkonte të falur. Kësisoj edhe mua, para se të filloj të flas për librin më të fundit poetik të mikut dhe bashkatdhetarit tim, Preç Zogaj, ju kërkoj të falur. Sepse e di po aq sa dhe ju se poezia është njëri ndër artet më të vështira për t’u përkufizuar, për arsyen se nuk ka nevojë të përkufizohet.
Tepër e vështirë për t’u kuptuar, sepse nuk ka nevojë të kuptohet. Diçka e ngjashme me shpirtin, me atë gjënë e pakapshme, drithëruese efemeren, që duket se nuk është gjëkundi, e që është kudo, e që nuk ka nevojë as të përkufizohet e as të përcaktohet, por të ndihet.
Të gjitha poezitë e këtij libri me titullin magjik “Ushtrimet e melankolisë” ngulin këmbë se poezia është Shpirti, është ndjeshmëri, është spontaniteti, është ritmi që kapet veç me veshët e ndjeshëm. Çfarë është poezia? – pyeste Robert Frost. Do përgjigjet: Ajo çfarë mbetet pa u përkthyer kur ti përkthen një tekst poetik, diferenca mes tekstit origjinal dhe përkthimit të tij.
Është fryma. Që në fillimet e veta poetik, Zogaj ka shfaqur tiparet dalluese të vetat: ndjeshmërinë e thellë, spontanitetin, natyrshmërinë, elegancën gjuhësore, mahnitjen poetike, idiomatiken vetjake, sintaksën origjinale, kapriçion si kundërshti e klasifikimit gjuhësor, freskinë, nisjen.
Çdo poezi është një nisje, një fillim, një udhëtim shpirtëror. Por erdhi Pessoa dhe shpiku nisjen e Re, Nisjen pa mbërritje, në vetminë më të thellë. Me varkat e gjuhës, shkruan Preç Zogaj për bashkatdhetarin e Vasco De Games, Fernando Pessoa, këtë eksplorues të shpirtit.
Desha të ndalem te një tipar i poezisë së Preç Zogajt, të cilin e përmenda më lart; mahnitjen poetike. Për mendimin tim, poezia nuk është gjë tjetër veçse mahnitje poetike, kureshtjen për t’i parë gjërat me entuziazmin dhe trishtimin e fëmijës që sheh për herë të parë.
Poeti ka privilegjin për të qenë fëmijë dhe në moshën e Burrit dhe Gruas. Kam dalë nga vuajtja me gjithë karmë/në këtë cep të yllit. E pastaj më vonë: Gati po kënaqem me asgjënë.
Te poezia e Preç Zogajt ndiej qartësinë e limpiditetin e fjalës, por edhe ambivalencën e detajit poetik. Në mëshimin e ndjeshmërisë më të thellë shfaqet sarkazma dhe nënqeshja e trishtë: Gati po kënaqem me asgjënë!
Preç Zogaj ka botuar librin e parë poetik në vitin 1985. Në 30 vite ai dëshmon se është një poet i lindur, i natyrshëm, i talentuar, origjinal. Poezia e Preç Zogajt dhe veprat poetika e letrare të shkrimtarëve të tjerë të talentuar të letrave shqipe duken si normaliteti i rrallë i realitetit shqiptar – Një normal fatlum dhe paksa aksidental, po të doni. Një antitoksid i fuqishëm, një frymëmarrje e lirë, Një bukuri e padhunuar.
Besoj se librat si “Ushtrimet e melankolisë” na japin të besojmë se e bukura, mirësia, njerëzorja nuk qenkan nocione abstrakte, se shpirti njerëzor dhe ndjeshmëria qenkan ende gjallë. Të rralla e të hedhura në thellësi oqeanike, si perlat. Por prapë ekzistuese. Madje dhe te shqiptarët.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al