Rudina Xhunga sjell debatin kur Braçe sulmonte Veliajn për Mjaft-in

Sep 24, 2015 | 7:45
SHPËRNDAJE

Pas largimit nga Top Channel, gazetarja rudina Xhunga ka botuar një libër me titullin “Edhe një Shqip”. Në të janë përfshirë disa nga intervistat më të mira dhe debatet më të nxehta të zhvilluara nga emisioni “Shqip”, që tashmë nuk transmetohet më. Një prej këtyre debateve është edhe ai mes Erjon Braçes dhe Erion Veliajt, kur ky i fundit ishte drejtues i lëvizjes Mjaft.

veliaj-bracePjesë nga libri

Me Erion Veliajn dhe Erion Braçen

Bëhet fjalë për financimin e “Mjaft”. Pyetja e gazetës “Zëri i Popullit” ka qenë, a financojnë ambasadat rrëzimin e Kryeministrit Nano dhe ambasadat nuk dhanë asnjë përgjigje.

Erion Braçe: …sepse ishte diçka anormale.

Erion Veliaj: Po pra, ashtu siç thotë edhe adashi im, pyetja ishte vërtetë anormale sepse nuk kishte sesi një qeveri e huaj apo përfaqësuesit e huaj të financonin rrëzimin. Pyetja ishte ndërtuar në një mënyrë të tillë që më kujton disa skena shumë të hershme të Bashkimit Sovjetik megjithatë kjo është një çështje tjetër. Prandaj them, thelbi i problemit është deklarata u ndërtua edhe me konsulencën e trupave diplomatikë. Ajo që treguam është se askush nuk pagoi as për qirinjtë dhe as për lulet sepse secili qytetar i kishte sjellë vetë ato. Por prapë po i largohemi thelbit të problemit. Çështja që Mjaft ka ngritur gjithë këto kohë ka qenë se si do ia bëjmë që qytetari i Shqipërisë të mund të përballojë faturën e energjisë, faturën e telefonit, faturën e jetesës, të ketë një rrugë, të ketë një shkollë atje ku dielli do njëzet kënde të përthyhet, për të vajtur në atë kasollen e Vaut të Dejës, si do të arrijmë të çojmë shpresë dhe jetë në atë vend. Ky besoj është problemi më i madh të cilit i kemi bërë bisht gjithë kësaj kohe.

Erion Braçe: Atëherë, meqë kërkoni përgjigje nga unë… Unë nuk kam sëpatë në dorë për t’i rënë pyllit. Natyrisht se ajo që më bën përshtypje mua është që kur një dru merr zjarr, natyrisht ne duhet të ruajmë pyllin. Ky është problemi. Nëse i rikthehemi atij shqetësimit që ju ngritët, për faturën e energjisë, telefonin, rrugën në Vaun e Dejës apo tek ato fshatrat e mi ku unë jam deputet, po ju them që këtu nuk ka dy palë, këtu ka një palë, siç jeni ju i interesuar ashtu jam edhe unë madje, për sa kohë që unë vazhdoj të jetoj në këtë vend mund të jem më i interesuar se kushdo tjetër. Problemi lidhet me sesi do të bëhet kjo dhe këtu ndahemi, ju keni gjetur rrugën e protestës dhe të akumulimit që është një gjë shumë e thjeshte, diçka që ne socialistët e kemi bërë qysh në vitin 1992 për të akumuluar pakënaqësitë që vinin nga reformat dhe për ta përballur atë me reformat. Ajo që ju e quani thjesht rritje të çmimit të faturës së energjisë elektrike nuk është kaq, është shumë më tepër. Ajo është një reformë e tërë që ne po ndërmarrim në sektorin e energjisë elektrike. Po të bëjmë më pas dallimin mes asaj që ofrojmë ne dhe mes asaj që ofroni ju, dallimi është thelbësor sepse po t’ju referohem juve, ndjesë nëse ju kam keqkuptuar, por protestës për faturën e energjisë elektrike mendoj se referimi për të mbajtur këto nivele të faturave të energjisë elektrike, që në më të shumtën e rasteve nuk paguhen dhe që kanë si produkt…

Të mos ndalojmë tek reforma një për një. Ju takon juve të bëni reformat. Çfarë nuk shkon tek Lëvizja Mjaft, sipas jush?

Erion Braçe: Unë nuk kam asnjë problem me protestat, ju e dini që ne jemi mësuar me shumë protesta në Shqipëri duke filluar nga ato me shishe benzine e deri tek këto me gomone. Kështu që nuk kam asnjë lloj sikleti me protestat, absolutisht. Madje ka një dallim shumë të madh, nëse ne përpara bënim protesta na rrihnin nëpër protesta, kur erdhëm ne ndryshuam ligjin që të mos shkonin të tjerët të merrnin leje në polici për protesta. Madje madje, e kemi bërë të lirë fare, njoftohet vetëm policia dhe zgjidhet sheshi, tribuna, trotuari, bulevardi për këtë punë.

Erion Veliaj: Po, por është po aq e vërtetë sa dhe fakti që marrim deklarata ku kërcënohemi me gjyq për një protestë me letër higjienike apo me gjenerator dhe kjo është e paturp sepse vërtetë keni kontribuar me një ligj dhe po e bëni pushtetin ekonomik dhe politik për të kërcënuar me gjyq.

Një moment tek protestat, thatë që nuk i ndruheni protestave z. Braçe. Atëherë si e shpjegoni fjalën e Kryeministrit Nano gjatë një feste të FRESSH, ku u kërkoi të rinjve dhe të rejave të Partisë Socialiste t’i thoshin mjaft, lëvizjeve në trotuare dhe të bënin ata lëvizje të reja.

Erion Braçe: Nuk besoj që z. Nano ta ketë pasur këtë me synimin e vetëm për të ndaluar protestat, absolutisht jo. Ne kemi një shqetësim që është shqetësim i vazhdueshëm që unë po e shpreh, ju p[o ma ndërprisni, por unë po vazhdoj ta përsëris. Nuk mundet të abuzohet me pakënaqësitë e shqiptarëve për të ndaluar reformat në këtë vend, siç janë reformat standarde që nuk i kemi shpikur ne, por janë rekomandim i i institucioneve financiare ndërkombëtare dhe që për hir të së vërtetës nuk aplikohen për herë të parë në Shqipëri, por janë aplikuar kudo, në vende që kanë kaluar këto periudha që kemi kaluar edhe ne dhe që kanë rezultuar si zgjidhje përfundimtare për problemet që këto vende kanë pasur.

…..Prapë ka diçka të paqartë rreth identitetit tuaj. Sa është ai politik dhe sa qytetar, sa është në zyrë e sa është në shesh?

Erion Veliaj: Duhet të pranojmë se për të arritur disa qëllime ka rruga nga më të ndryshmet. Adashi im, Erioni, ishte mëse i kuptueshëm dhe tepër ndihmues në momentin që ishim në sallën e Parlamentit, ku të dyja palët po binin dakord që Shqipëria nuk mund të jetë më vendi i 93­të në listën botërore të shpenzimeve që shtetet bëjnë për arsimin. Shqipëria ka nevojë që, në mënyrë që të mënjanojë riciklimin e një klase të tillë politike, duhet të investojë në diçka që është primare, që është arsimi i qytetarëve dhe këtu ramë mëse dakord. Ajo që kemi dashur gjithmonë është të jemi zëdhënës të pakënaqësisë qytetare, nëse është dashur më shumë fonde për arsimin, nëse është folur për çmimet e energjisë apo Albtelekomit, nëse është folur për dhunën greke në kufi apo shumë tema të tjera që Mjaft ka prekur. Pra, hedhja e disa temave për debat nuk duhet të përbëjë kërcënim. Fakti që nuk pajtohemi në çështje të caktuara duhet marrë si sfidë për përmirësimin e gjërave dhe asnjëherë si kundërshtim apo armiqësi midis palëve.

Në fakt z. Braçe, ju jeni shprehur në një prej numrave të gazetës “Zëri Popullit”, se pas Lëvizjes Mjaft është z. Berisha apo që Lëvizja Mjaft zaptohet nga llumi. Këto janë disa nga titujt në gazetën tuaj “Zëri Popullit” dhe kam përshtypjen që nuk e keni bërë këtë kur keni qenë bashkë me Mjaft në zyrat e Parlamentit, por më pas, kur Mjaft ka qenë me protesta përpara Kryeministrisë.

Erion Braçe: Normal sepse unë nuk ndërpreva njeri në Komisionin e Ekonomisë që të thoshte të gjithë kundërshtimet e tija, mendimet apo kërkesat e tija. Kurse kam përshtypjen se në atë protestën të cilës ju i referoheni gazeta ka pasur edhe fërshëllima, madje njerëzit nuk janë lënë të flasin dhe pikërisht ky është dallimi. Megjithatë, unë mendoj se nuk është ky thelbi.

Erion Veliaj: Po pra, po nuk është ai thelbi sepse protesta ishte administruar nga Mjaft dhe siç kishte një sukses vërtetë të madh të qytetarëve pati edhe elementë të të gjitha llojeve. Por prapë nuk është ky thelbi. Kjo nuk mjafton të autorizohet çdo armik si i Berishës dhe ky është problemi që kam si me z. Nano ashtu edhe me z. Berisha. Duhet të pranoni që ka një forcë të reagimit qytetar e cila nuk është e ngjyrosur as me të kuqe dhe as me blu, por sinqerisht është e ngjyrosur me faturat e Albtelekomit, të KESH­it, të atyre vizave që mezi merren.

Meqë nuk e bëri do të thotë që nuk ndjen dhe do të thotë që duhet të japë dorëheqjen? Kjo është zgjidhja? Është zgjidhje dorëheqja e Kryeministrit për ju?

Erion Veliaj: Ajo që thashë është se mungon shpresa dhe mesa duket ato figurat e lidershipit nuk po e ofrojnë këtë shpresë.

Atëherë duhet të zëvendësohen?

Erion Veliaj: Pse jo, të zëvendësohen. Unë jam i bindur që në radhët e Partisë Socialiste ndoshta ka njerëz që mund të ofrojnë shumë më tepër shpresa sesa Kryeministri aktual. Këtu nuk jam për një luftë personale me Kryeministrin, por dua t’ju jap disa raste konkrete. Vladimir Putin takohet me Berluskonin dhe gjatë darkës merr vesh që vdesin marinarët. Ai kthehet menjëherë për t’iu gjendur pranë atdhetarëve dhe familjeve të viktimave. Kryeministri Ariel Sharon, në momentin që vriten pesë ushtarë në Izrael, kthehet menjëherë pa e takuar Presidentin Bush në Uashington dhe ngushëllon familjarët e ushtarëve. Mbaj mend përpara nëntë muajsh që e gjithë qeveria holandeze dha dorëheqjen sepse Kryeministri Kok kuptoi që ushtarët holandezë mund ta kishin evituar masakrën e Srebrenicës para nëntë vjetësh, kur ishte një qeveri që tani është në opozitë. Pra, ekziston një përgjegjësi lidershipi.

Ju thatë që pse jo, të zëvendësohet nga një figurë tjetër socialiste. Pra, përsëri aty e gjeni zgjidhjen ju, brenda socialistëve?

Erion Veliaj: Jo, nuk më takon mua të ofroj zgjidhje.

Po ju sapo e artikuluat diçka të tillë.

Erion Veliaj: Po, por ajo që rekomanduam është se ky Kryeministër nuk ofroi një shpresë dhe nuk tregoi aftësi prej një lideri. Ai bëri atë që shumë diplomatë e kanë quajtur si një gabim vdekjeprurës të një lideri. Ajo që donim të bënim është që të mos harronim këtë gabim dhe do t’ia kujtojmë Kryeministrit gjithmonë dhe nuk jemi nga ata që vendosin pushtetin, janë votuesit që kanë dhënë votën e tyre, në çfarëdo lloj mënyre që janë sajdisur zgjedhjet, një forcë politike. Por nuk mund t’i heqin të drejtën e qeverisjes Erionit dhe të tjerëve nga kjo forcë politike për papërgjegjshmërinë e një personi të caktuar. Ah, në qoftë se ata nuk mund të zëvendësohet, atëherë ky është problem i tyre, por ngelet përsëri problem i brendshëm e kjo nuk i intereson as Mjaft­it e as aktivistëve sesi zgjidhen problemet e brendshme.

Ju do vazhdoni të protestoni përpara Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit?

Erion Veliaj: Ne kemi gjetur gjithmonë metoda shumë alternative, rrallë herë kemi bërë të njëjtën gjë dy herë. E vetmja gjë që kemi premtuar është se kjo nuk do të quhet tragjedia e radhës dhe një kalim lumi, por do të jemi gjithmonë aty për të kujtuar atë që ndodhi dhe për t’u fokusuar tek ata që ishin të papërgjegjshëm dhe arrogantë për kulturën shqiptare.

U tha se u tërhoqët nga protestat e përditshme përpara Kryeministrisë për shkak të këshillimit nga personat që ju mbështesin financiarisht. E vërtetë kjo?

Erion Veliaj: Nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi. Ata që na mbështetën financiarisht nuk janë konsultuar, kanë qenë një përgjigje e vet stafit dhe e shumë aktivistëve me të cilët jemi konsultuar. Nuk është e vërtetë që kemi premtuar se do të dalim çdo ditë në protestë. Pasi kaloi një javë zie ku njerëzit thanë një lutje, sollën një lule, ndezën një qiri, shkruan një mesazh për Kryeministrin apo familjarët e viktimave, u treguam aq civilë ashtu siç e shpjegonte edhe “Corriere della Sera” apo “Tanea” apo “L’Espresso” dhe gazeta të ndryshme që mbuluan ngjarjen, ne treguam fytyrën e një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie civile e cila dinte si të vajtonte apo të ngushëllonte bashkëqytetarët në rast nevoje, ashtu edhe të protestonte me shumë civilizim.

Z.Braçe, nuk ndani të njëjtin mendim?

Erion Braçe: Jo, e keni gabim. Civilizimi i protestës nuk lidhej me këtë fakt, thashë që lidhet me atë faktin tjetër që përsërita më parë. Në atë protestë nuk dëgjonim njeri­tjetrin dhe nuk u lanë njerëzit të flisnin me njeri­tjetrin pavarësisht se është një rast i shkëputur. Por ajo që më ka bërë përshtypje mua është se nuk mund të quhet absolutisht qytetare mesazhi që shkruhet pa u dridhur dora duke kërcënuar apo duke sharë me nënë e me motër e me farefis…

A ka një aludim pas kësaj që po thoni, z. Braçe? Që Nano nuk është Shevardnadze?

Erion Braçe: Unë nuk jam këtu për të aluduar, unë jam këtu për të konfirmuar. Në qoftë se ju vazhdoni të keni idenë se Nano është Shevardnadze apo se Nano është Pinoçet apo Millosheviç…

Erion Veliaj: … edhe arrogancën, edhe papërgjegjshmërinë, edhe shpërdorimin e taksave, edhe faturat të cilat janë të papagueshme. Të gjitha këto i ka luftuar dhe fatkeqësisht atje përputheshin me një person i cili qeveriste në mënyrë të keqe.

*Marrë me shkurtime nga debati në “Shqip”, 22 janar 2004

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura