Ruçi: Kemi rritur autoritetin e institucioneve të pavarura, si mbrojtës të interesit publik

Feb 23, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha dje se “Arritja më e madhe e Kuvendit gjatë vitit 2020 dhe kësaj legjislature është kontributi për rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura, si mbrojtës të interesit publik”.

gramoz ruci

Gjatë prezantimit dje të Raportit mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj për vitin 2020, Ruçi vlerësoi punën e institucioneve të pavarura në zbatim të ligjit dhe rekomandimeve, të cilat kanë shënuar rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Rritja e shkallës së zbatueshmërisë së rekomandimeve së këtyre institucioneve përpos se nga mbështetja gati e dyfishuar financiare, erdhi edhe si pasojë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Institucionet e pavarura janë një instrument i rëndësishëm i shtetit të së drejtës, në mbrojtje të interesit publik dhe të të drejtave e lirive themelore të qytetarëve. Nëse në vitin 2018, niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve ishte 45%, në vitin 2019 progresoi në 62% dhe në vitin 2020 arritëm shkallën e zbatueshmërisë 83%, pra gati e dyfishuar krahasuar me 2018.

Kjo rritje është tregues i rolit të Kuvendit në bashkëpunimin ndërinstitucional Kuvendinstitucione të pavaruraqeveri dhe rritjen e llogaridhënies nga qeveria. Kjo rritje është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes buxhetore për institucionet e pavarura. Në vitin 2021, krahasuar me 2018, mbështetja buxhetore u rrit me rreth 50%”, tha Ruçi. Më tej në fjalën e tij, kreu i Kuvendit tha se veprimtaria e institucioneve të pavarura u përqendrua në tri aspekte. Së pari, mbështetja e funksionimit të institucioneve, nëpërmjet emërimit të drejtuesve dhe anëtarëve të tyre si edhe ndryshimeve strukturore.

Në zbatim të ligjeve organike dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2020 Kuvendi u angazhua për emërimin e titullarëve/anëtarëve të institucioneve të pavarura, duke u siguruar për funksionimin e tyre me kapacitet të plotë. Kuvendi zgjodhi drejtuesit e disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit: Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Miratoi dekretin e Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mundësoi konstituimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas riformatimit që u bë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Aspekti i dytë i punës së Kuvendit ishte fuqizimi i kontrollit parlamentar, si funksion themelor i Kuvendit dhe mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë e llogaridhënies ndaj publikut, të institucioneve të pavarura dhe degës ekzekutive të qeverisjes.

Aspekti i tretë i veprimtarisë në punën me institucionet e pavarura ka qenë ndjekja e statusit të zbatimit të rezolutave të Kuvendit nga raportimi dhe monitorimi i institucioneve të pavarura. Ruçi: “Vlerësimet maksimale në drejtim të fuqizimit të kontrollit parlamentar janë dhënë në raportin e fundit të GREKOs, ku vlerësohet puna e bërë për funksionimin e mekanizmit ndërinstitucional”. Puna me institucionet e pavarura, vazhdon intensivisht, me synimin për të fuqizuar ushtrimin e kontrollit parlamentar nga komisionet parlamentare dhe deputetët, të orientuar drejt cilësisë dhe efektivitetit të së drejtës themelore që ka ligjvënësi, të mbikëqyrë dhe kontrollojë politikat dhe institucionet publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura