Rubiku pa urgjencë spitalore, tetë mijë banorë të rrezikuar

Mar 14, 2016 | 9:48
SHPËRNDAJE

RUBIK – Nëse sëmuren gjatë natës, banorët e Rubikut duhet të udhëtojnë me kilometra të tërë për në spitalin më të afërt, pasi jeta e tyre vihet në rrezik. Reforma e Ministrisë së Shëndetësisë i ka hequr prej dy vitesh kësaj zone urgjencën gjatë orëve të natës.

Rubiku pa urgjencë spitalore

Për të marrë ndihmën e shpejtë më shumë se 8 mijë banorët e Njësisë Administrative të Rubikut duhet të udhëtojnë për në Rrëshen, Lezhë, apo edhe për në Tiranë. Banorët thonë se në këtë situatë jeta e tyre është në rrezik, ndaj i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë që të rikthejë urgjencën në këtë zonë.

“Këtu ka një spital, por nuk ofrohet shërbim urgjence gjatë natës. Ky shërbim është hequr prej 2 vitesh dhe kjo është skandaloze. Unë vetë personalisht jam sëmurë dhe s’kam pasur ku të marr ndihmën e shpejtë. Kam shkuar te spitali i qytetit, por këtu qëndron i mbyllur pas orës 23:00. Kjo zonë ka më shumë se 8 mijë banorë që sot janë në mëshirë të fatit.

Rubiku duhet të ketë urgjencë gjatë 24 orëve, pasi është shumë larg që t’i drejtohemi Rrëshenit apo Lezhës, e për rrjedhojë jeta jonë vihet në rrezik në raste urgjencash natën”, shprehet A.M., banore e Rubikut.

Infermierja e qendrës shëndetësore thotë se ka raste të shumta të qytetarëve që sëmuren gjatë natës. Ata shkojnë për të kërkuar shërbim urgjence, por i gjejnë dyert e godinës të mbyllura. “Unë jam infermiere prej vitesh këtu në Rubik.

Këtu më parë ka pasur shërbim 24 orë. Ka pasur shumë të sëmurë që kërkonin shërbim urgjence gjatë natës, por prej dy vitesh këtu është mbyllur turni i tretë. Ka shumë raste që ne jemi të detyruar që njerëzve t’u shkojmë në shtëpi për t’u shërbyer gjatë natës kur na thërrasin, pasi ka shumë që sëmuren dhe u duhet ndihma jonë.

Ministria e Shëndetësisë duhet ta rishikojë këtë problem, pasi janë rreth 8 mijë banorë që nuk kanë se ku të drejtohen për të marrë shërbimin e urgjencës”, shprehet infermierja Shqiponja Bushulli. e.h

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura