RTSH ende pa drejtor, dështon edhe raundi i tretë. Gëllçi merr 6 vota Malaj 5

Jul 2, 2015 | 15:47
SHPËRNDAJE

Dështon për të tretën herë votimi në KD të Radio Televizionit Shqiptar për Drejtorin e Përgjithshëm. Gjatë votimit të zhvilluar sot, Thoma Gëllçi ka marrë 6 vota, ndërsa Petrit Malaj 5 vota.

Por sipas ligjit për TVSH-në, drejtori Përgjithshëm zgjidhet vetëm pasi të marrë shtatë votat e nevojshme. 

Radio Televizioni Shqiptar

***
Ne 29 qershor dështoi raundi i dytë për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Asnjëri nga dy kandidatët e seleksionuar për këtë fazë nuk arriti të marrë 2/3-at e votave të Këshillit Drejtues të RTSH-së.  Petrit Malaj dhe Thoma Gëllçi, dy kandidatët për postin e drejtorit të RTSHsë, dolën sërish në një dëgjesë publike përpara anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Malaj e Gëllçi kanë mbrojtur edhe një herë platformat, përmes së cilave ata shpalosën vizionin e tyre mbi shndërrimin e institucionit mediatik shtetëror, si dhe ua janë përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e këshillit. Votimi i fshehtë i Këshillit Drejtues i dha 6 vota Malajt dhe 5 Gëllçit.

Edhe pse Malaj, i cili mbështetet nga anëtarët e opozitës, megjithëse është i njohur fakti që këto vite ai ka qenë më afër së majtës, ka marrë një votë më tepër se Gëllçi, i cili mbështetet nga anëtarët e majtë në Këshillin Drejtues, kjo nuk ka mjaftuar që ta shpallë atë fitues. 

Zyrtarisht gara për drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së ka nisur në datën 1 qershor, pas thirrjes së shpallur nga Këshilli i ri Drejtues i RTSHsë. Afati i fundit i dorëzimit të dosjes konkurruese ishte data 10 qershor, datë në të cilën u shpall edhe lista e plotë e kandidatëve. Në listë numëroheshin 20 emra, katër prej të cilëve u skualifikuan për shkak se nuk plotësonin kriteret e parashikuara në ligj. Ndërsa 16 të tjerët mbrojtën platformat e paraqitura përpara Këshillit Drejtues, disa ditë më parë. Pas dëgjesës dhe procesit të votimit, dolën në krye të listës me një numër të barabartë votash, Petrit Malaj dhe Thoma Gëllçi.

Të dy morën nga 5 vota, ndërsa Artur Zheji, mori vetëm një. Petrit Malaj vjen nga aktrimi dhe pedagogjia. Përveçse si aktor, ai njihet prej vitesh edhe si drejtues në Universitetin e Arteve (Akademia e Arteve), si ish-dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe aktualisht Rektor i UA. Malaj nuk i ka fshehur bindjet e tij politike, duke garuar edhe për deputet, i propozuar nga Partia Socialiste.

Ndërsa Thoma Gëllçi vjen nga gazetaria. Gjatë viteve ’90 ai ka mbajtur për disa vite postin e kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit” e më pas si këshilltar pranë qeverisë Nano. I larguar për shumë vite në SHBA, ka vijuar aktivitetin në mediat online. Pas dështimit të votimit të djeshëm, pritet që ditën e enjte të ripërsëritet procesi i votimit. Gara për drejtorin e RTSH-së futi në lojë emra të njohur të gazetarisë, letërsisë e pedagogjisë, si Artur Zheji, Elvira Dones, Zana Çela, Mirela Oktrova, Ilir Yzeiri etj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura