Rryshfeti/ Dëshmia e djalit ‘fundos’ babanë, bie alibia e gjyqtarit Hoxha

May 4, 2016 | 9:25
SHPËRNDAJE

Edhe pse u mbrojt duke deklaruar se paratë me të cilat u arrestua ishin nga shitja e një makine, gjyqtarin Ibrahim Hoxha e ka lënë në baltë dëshmia e të birit.

Gjyqtari Hoxha
Gjyqtari Hoxha

Sipas hetuesve, gjyqtari ka thënë dje se djali i tij po shiste një makinë “Volkswagen” në formë furgoni.

Por djali i gjyqtarit, i cili u arrestua me 600 mijë lekë të rinj të marra nga ndërmjetësi Novruz Gajde në prani të biznesmenit Dritan Jazexhiu, është pyetur veçmas.

Djali i gjyqtarit ka thënë se do të shiste një makinë tip “Benz”, duke rrëzuar kështu dëshminë e dhënë më herët nga babai i tij gjyqtar.

Nga këto fakte të ndryshme të dhëna nga të arrestuarit që janë pyetur veçmas, prokuroria ka bërë me dije se alibia e dhënë është rrëzuar duke u konsideruar e pabesueshme.

Gjyqtari ka mohuar që paratë e kapura djalit të tij mbrëmjen e së hënës (600 mijë lekë) të kenë qenë ryshfet.

Ai ka bërë me dije se shuma në fjalë ishte pagesë për shitjen e një makine të djalit të tij. Para prokurorisë në dhomat e izolimit, gjyqtari ka pranuar se njihej me shtetasin Novruz Gajde, ish-polic në Berat.

Gjyqtari i arrestuar ka bërë me dije se Novruz Gajde (të cilin e kishte njohur si polic kur punonte në Berat) ka ndërhyrë tek ai për gjyqin e pronësisë që kishte biznesmeni Dritan Jazexhiu me atë afërmit e tij për pronësinë e disa lokaleve, banesave e dyqaneve në Tiranë.

Gjyqtari ka pretenduar se pavarësisht ndërhyrjeve, ai nuk ka pranuar të kryejë veprime të parregullta për çështjen e konfliktit të pronësisë ku vendimi gjyqësor do të shpallej ditën e djeshme.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura