“Rrugët”/ Xhika dhe Toma lihen në burg nga Apeli, lirohen dy të tjerët

Feb 19, 2018 | 19:50
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Dashamir Xhika dhe Andi Toma, dy ish-Drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve të arrestuar me urdhër të Prokurorisë për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë lënë sot nga gjykata e Apelit në qeli pasi vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”

Rexhep Tarba (mbikqyrës i punimeve në rrugën e Gjinarit) gjithashtu u la në arrest me burg.

Agron Hysa, Kujtim Hysa: “detyrim paraqitje”, Rezarta Bokçiu: “detyrim paraqitje”.

Xhika dhe vartësit bënë 12 amendime, Prokuroria: Urdhëruan…

Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, dhe dy ish-vartësit e tij, Aksel Qurduka e Albens Alite, kanë firmosur në kundërshtim me ligjin 12 amendime kontratash për rrugën Tiranë – Elbasan.

dashamir Xhika

Këto ndryshime, sipas Prokurorisë, janë bërë me qëllim përfitimi, pasi janë në kundërshtim me ligjin, duke qenë se është shmangur Këshilli Teknik i ARRSH dhe bordi drejtues.

Në këtë formë, dëmi që i është shkaktuar shtetit llogaritet deri në 37 milionë dollarë. Më herët, gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u përmendën disa prej shkeljeve, në bazë të të cilave ishte ngritur edhe akuza ndaj Xhikës e ish-vartëse.

Së pari dyshohet se, Dashamir Xhika ka shkelur ligjin duke shmangur Bordin e Autoritetit Rrugor, në ndryshimin e një kontrate të firmosur në vitin 2011 për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Ndërsa së dyti, Xhika dyshohet gjithashtu se së bashku me dy vartësit e tij, kanë kërkuar fonde shtesë për rrugën Tiranë-Elbasan, pa pasur një studim nga institucionet e caktuara. Kërkesa është bërë dy herë, një herë për 35 milionë dollarë dhe në rastin e dytë disa miliona të tjerë.

Në dosjen e Prokurorisë janë zbardhur disa prej shkeljeve kryesore, si dhe dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet në kundërshtim me ligjin.

DOSJA E PROKURORISE

Sipas dosjes së Prokurorisë, nga rrethanat e fakteve dhe akteve të paraqitura, rezulton se shtetasi nën hetim, Dashamir Xhika, ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH ose ish-Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve). Ky autoritet vepron në bazë të ligjit 10164, i cili rregullon kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të këtij autoriteti.

Në bazë të këtij ligji, është miratuar me vendimin nr.4, datë 15 prill 2016, rregullorja e brendshme e funksionit të Autoritetet Rrugor Shqiptar. Si ligji, ashtu edhe rregullorja e miratuar në zbatim të tij, parashikojnë si organe të autoritetit; 1. Bordin, 2. drejtorin e Përgjithshëm dhe Bordi, sipas parashikimit të nenit 8 të ligjit që është përgjegjës për menaxhimin e veprimtarisë së ARRSH dhe i merr vendimet me shumicën e votave të 7 anëtarëve të tij.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH është përfaqësuesi te të tretët i këtij institucioni, nuk është pjesë e bordit dhe nuk ka të drejtë vendimmarrjeje personale. E megjithatë, sipas Prokurorisë, Dashamir Xhika dhe vartësit e tij kanë bërë 12 amendime, pa përfshirjen e Bordit apo të Këshillit Teknik të ARRSH.

“Kërkesa e ARRSH-së drejtuar Ministrisë së Financave për fonde shtesë në vlerën 35.17 milionë dollarë, nuk ka qenë e studiuar dhe argumentuar me projekte të miratuara. Drejtori aktual i Njësisë së Menaxhimit të Projektit, Aksel Qurquka, me shkresën nr.22, datë 22.12.2016, i është drejtuar Drejtorisë së Projekteve në Ministrinë e Transporteve dhe për dijeni të ministrit të Transporteve e Autoritetit Rrugor Shqiptar, me të cilën ka kërkuar shtesë fondesh për projektin e segmentit 1 në shumën 14 211 213 dollarë, si dhe rialokim fondesh në vlerën 772 753 dollarë, fonde këto të mbetura nga kontrata e punimeve të segmentit 3, për të cilën nga ana e ministrisë nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit, përsëri me shkresën nr.272, datë 18.07.2017, i është drejtuar ministrit të Transporteve dhe për dijeni të drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH, me kërkesën për shtim fondesh në vlerën 12 650 000 dollarë dhe rialokim fondesh të mbetura nga ky projekt në vlerën 772 753 dollarë, për mbylljen e financimit të projektit për këtë segment.

Nga struktura përkatëse në MTI, përsëri nuk është kthyer ndonjë përgjigje në ARRSH për çështjen e ngritur. Dy shkresat e mësipërme për shtesë fondesh janë nënshkruar nga Qurduka, duke vënë në dijeni në të dyja rastet drejtorin e Përgjithshëm të ARRSH”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në ditët në vijim pritet që Prokuroria të thërrasë për këtë çështje edhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura