Rrugët e jetës së Servantesit në fotografi

Jun 29, 2016 | 14:50
SHPËRNDAJE

Me mendjen e një filozofi dhe zemrën e një fotografi, i cili mendon se fotografia është më shumë e lidhur me letërsinë se artet pamore, ai u nis nëpër rrugët e Servantesit. I lënë në hije nga bëmat e Don Kishotit të Mançës dhe luftërave me mullinjtë e erës, pak dihet për jetën e shkrimtarit, që do të thyente traditën e romaneve kalorësiake.

jose

Galeria Kombëtare e Arteve hap më 30 qershor 2016 ekspozitën “Migel de Servantes, ose dëshira për të jetuar”, me fotografi të realizuara nga José Manuel Navia. Aktiviteti vjen si një organizim i Institutit “Servantes”, Aksioni Kulturor Spanjoll (AC/E) dhe Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), për të përkujtuar këtë vit 400-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit.

Projekti, i konceptuar dhe realizuar nga Navia, paraqet përmes 50 fotografive një udhëtim pamor nëpër vendet dhe shtigjet ku kaloi Migel de Servantes përgjatë jetës së tij. Në këtë ekspozitë, që do të jetë e hapur deri në datën 28 korrik 2016, Navia përpiqet të ofrojë jo thjesht një seri imazhesh, por një jetë sa letrare, aq edhe personale.

Të 50 fotografitë që përbëjnë këtë ekspozitë janë të shoqëruara me tekste dhe citime letrare që i lidhin sa me shkrimtarin, aq edhe me veprat e tij. Alkala de Henares, Vajadolid, Madrid, Napoli, Siçili, Lepantos, Tunizi, Argjel, Oran, Lisbonë, Eskivias, Toledo, La Mancha, Andaluzia, apo Barcelona, janë disa prej vendeve, pjesë e itinerarit jetësor të Miguel de Servantesit.

“Për këtë projekt kam dashur të fotografoj në të njëjtat skena ku Migel de Servantes (shpes herë i lënë në hije nga vetë krijimi i tij, Don Kishoti) kaloi ditët e tij dhe ku ëndërroi shumë nga personazhet e tij; rrugë dhe vende që mbulojnë një pjesë të mirë të Gadishullit Iberik dhe të botës mesdhetare: Italia, Greqia, Tunizia, Algjeria, gjithmonë i vëmendshëm ndaj njerëzve të thjeshtë dhe trajektoreve larg pushtetit.

Për Servantesin mund të thuhen po ato fjalë që ai vetë vuri në gojën e personazhit të tij, avokat Vidrierës: “Unë nuk jam i zoti të jetoj në Oborr, sepse jam i turpshëm dhe nuk di të bëj lajka”, shpjegon autori.

Navia siguron se “sfida ishte të përballesha pa rezerva, edhe një herë tjetër, me marrëdhënien e vështirë dhe apasionuese që vendoset ndërmjet imazhit dhe fjalës, ndërmjet fotografisë dhe letërsisë, gjithmonë mbi bazën e rëndësisë që si fotograf i jap idesë së gjurmës përballë asaj të aureolës. Me pak fjalë, të kërkoja atë zbulim apo “shfaqje të një afërsie, sado larg të jetë ajo që e la pas”, sipas fjalëve të Walter Benjaminit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura