Rrugë e mundimshme…

Aug 20, 2017 | 11:49
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Në jetë njeriu bën disa rrugë të mundimshme si ajo drejt njohjes, drejt shoqërizimit, drejt tolerancës e altruizmit etj., etj., por njëra prej atyre, ndoshta më e mundimshmja, veçanërisht në kushtet e demokracisë së brishtë që po përpëlitet dëshpërimisht për t’u interpretuar e konsoliduar siç duhet në Shqipërinë tonë tejet problematike, qenka rruga drejt edukatës qytetare.

EdmondTupja

Në këtë pikë, jemi ende prapa, ndër të tjera sepse edukata në kohën e diktaturës hoxhiste u bazua kryesisht te bindja e verbër ndaj direktivave të partisë-shtet, si edhe te fakti që popullsia fshatare përbënte mbi 65 për qind të popullsisë së përgjithshme, sepse, siç thoshte Mao Ce Duni i Kinës Popullore, aleatja e fundit e diktatorit Hoxha, “fshati rrethon qytetin!”.

Me shembjen e vonuar të shtetit totalitar në Shqipërinë e Shkalafitur Socialiste, me vendosjen e përçudnuar (nuk mund të ndodhte ndryshe) të ekonomisë së tregut allashqiptarçe, lëvizja e lirë e shtetasve mori tiparet e pashmangshme të dyndjeve në nivel kombëtar, madje edhe ndërkombëtar: kështu, fshatarët vërshuan drejt qyteteve për t’i rrethuar dhe, madje, për t’i pushtuar pjesërisht.

Që nga ky moment, lindi problemi i edukatës qytetare, i cili vazhdon të jetë i shtruar për zgjidhje. Sipas mendimit tim modest, ndoshta deri diku të nxituar, do të duhen disa dekada që edukata qytetare të konsolidohet me kusht që familja, shkolla dhe mbarë shoqëria jonë t’i kushtojë asaj pa ndërprerje rëndësinë e duhur, dhe kjo paralelisht me zhvillimin kulturor dhe sidomos ekonomik të vendit.

Sigurisht, ndonëse jam ende shumë kritik ndaj punës së pamjaftueshme për sa i takon rrënjosjes së edukatës qytetare në thellësi të ndërgjegjeve, mendoj se, të paktën në Tiranë dhe në ato pak qytete kryesore të vendit, vihen re disa shenja që dëshmojnë se diçka po lëviz në drejtimin e duhur.

Kështu, për shembull, vërej me kënaqësi se nuk po u vihet më zjarri kazanëve të plehrave, ndonëse kapakët u janë dëmtuar pa u mbushur mirë viti i vënies së tyre në përdorim dhe se banorët nuk i hedhin plehrat sipas udhëzimeve të shkruara shqip në ballë të kazanëve, por, sidoqoftë nuk po i flakin më thuajse rregullisht nga dritaret e kateve të sipërme drejt e në kokat e kalimtarëve; vërej me të njëjtën kënaqësi se qytetarët po rifillojnë të mbajnë krahun e duhur kur ecin trotuareve, pra pa ngatërruar të djathtën me të majtën, ndonëse ende tregohen të paduruar para semaforëve; nga ana tjetër, kam përshtypjen pozitive se përdorimi në shenjë respekti i përemrit “ju” në vend të atij “ti” po shfaqet, ndonëse mundimshëm, edhe në gojën e të rinjve, po ashtu edhe fjalët “zonjë” e “zotëri”, si edhe shprehja “më falni)”.

Optimizmit krejt modest që sapo shpalosa me shumë drojë, ndokush mund t’i vërë një bemol (siç shprehen muzikantët) kur bie fjala për disa politikanë të cilët, sidomos kur vijnë në pushtet, të zhgënjejnë me edukatën e tyre qytetare të mangët, të cungët apo të gjymtë. Këta zotërinj, sidomos kur hapin gojën jo vetëm për të gogësitur, për të teshtirë apo për t’u kollitur, nxjerrin që andej xhevahire tragjikomike të cilat dëshmojnë qartë se i janë futur politikës të shtyrë edhe nga statusi i tyre si parvenus (siç thotë frëngu), pra, si zengjinë të rinj (siç thotë shqipoja).

Këshilla e vetme që do të guxoja t’u jepja atyre është që të paktën të mësojnë se si të flasin me edukatë qytetare, pikërisht. Të njëjtën gjë mund të pohoj në drejtim të mediave tona elektronike: të dëbojnë nga emisionet e tyre vulgaritetin në komunikim duke filluar me abëcënë e dialogut, d.m.th. kur flet njëri prej pjesëmarrësve, tjerët nuk duhet t’ia ndërpresin fjalën, por të mbajnë shënime dhe, kur t’u vijë radha, të shprehen qoftë për ta mbështetur, apo për ta kundërshtuar.

Nga ana tjetër, ekziston edhe një edukatë qytetare e gjesteve, lidhur me të cilën jo pak persona publikë – politikanë të të gjitha ngjyrave e zgjyrave, kryetarë të shumëllojshëm e monotonë, personalitete të të gjitha fushave, luginave e greminave, drejtues emisionesh, analistë, opinionistë, gazetarë e publicistë –, kanë nevojë për ndonjë vërejtje apo këshillë miqësore, si për shembull, t’i ruhen tundimit – krejt njerëzor, natyrisht –, për të kruajtur apo eksploruar ndonjë vrimë të tipit vesh, flegër hunde apo diçka tjetër. Së fundi, të njëjtëve do t’u sugjeroja të përfshinin në edukatën e tyre qytetare edhe kujdesin e vazhdueshëm për gjuhën shqipe, të cilën kanë mbi njëzet vjet që jo vetëm e lëndojnë sistematikisht, por, jo rrallëherë, edhe e masakrojnë me gojë e me shkrim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura