Rruga e mundimshme e Lulzim Bashës

Jul 3, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

    Partia Demokratike i ka humbur qartësisht zgjedhjet lokale e 21 qershorit. Kjo është e vërteta e madhe, ikja prej së cilës  shkakton më tej zemërim dhe të qeshura. Por PD nuk është shkërmoqur, përkundrazi, ka një rritje të lehtë të mbështetjes popullore, ndaj nuk ka arsye të zhytet në depresionin ku kërkon ta rrasë qeveria me agjitpropin e saj.
Populli i opozitës dhe një pjesë e shoqërisë civile që nuk i ka OJQ-të burim fitimi, kanë pasur tjetër pritshmëri për rezultatin. Zëra të kësaj partie mundohen të gjejnë ngushëllim te fushata e pandershme e qeverisë dhe Kryeministrit. Kryetemë për ta është vjedhja, manipulimi dhe tjetërsimi i votës, presioni mbi njerëzit, përdorimi i administratës dhe institucioneve, shqetësime serioze sigurisht që e njollosin këtë proces, por jo aq sa për të ndryshuar trendin e vullnetit elektoral.  

PD është treguar më efikase në evidentimin e këtyre fenomeneve sesa në parandalimin e tyre. Një gjë mbetet themelore në këtë histori, opozita dhe shefi i saj nuk ia kanë dalë ende të krijojnë frymë popullore pro tyre. Kjo tipologji e deformimit të votës është një aperitiv, që dëshmon se çfarë na pret në vitin 2017. Perversiteti tipik i pushtetit në Shqipëri mundet veç me bashkim qytetar. Institucionet jo vetëm që nuk bëhen garant, por fatkeqësisht shndërrohen në certifikues të kësaj alkimie amorale. Kjo është njëra anë e medaljes.  
Premtimi i Lulzim Bashës për të ndërtuar një PD të re, të denjë për besim, e cila do të kapitalizonte gjithë trashëgiminë pozitive historike, duke braktisur së paku të korruptuarit në hapje të vazhdueshme ndaj elitave, shtresave sociale, shtresave ideologjike tradicionale si një simbioze e domosdoshme për t’u ringritur, mbeti thjesht retorike. Sot, PD-ja e tij është një martesë mes një grupi anonimësh të përzgjedhur pa konkurrencë në mënyrë autokrate, të cilët punë të parë në CV shënojnë koordinator në PD dhe asaj çka mbeti nga shpartallimi i vitit 2013 me plot përgjegjësi për të. Një parti ka nevojë për të gjithë, por jo për kaq antagonizëm.

Të parët në kërkim të një karriere shfaqen si lajkatarë, të dytët si agresorë të zëshëm e të heshtur të Lulzim Bashës, të paqartë për të ardhmen. Protagonizmi i Sali Berishës duket sikur e zbeh autoritetin e kryetarit të ri, por nga ana tjetër opozita pa të në Parlament do të shndërrohej në dekor për sa kohë kryetari “de jure” mbetet jashtë Kuvendit. Krahasimi me Sali Berishën sëmbon e rëndon. Ata u përkasin dy historive të ndryshme.
Basha nuk ka bërë betejat e Sali Berishës, nuk ka CV-në intelektuale të tij, as autoritetin dhe karizmën, instinktin dhe zellin, ndaj do të ishte e pakëshillueshme që ta imitojë atë.  Basha mund ta ndërtojë fizionominë e tij sipas një modeli që i hap rrugë konkurrencës, rindërtimit të kujtesës historike të së djathtës shqiptare, zëvendësimit të “besnikut” te verbër me intelektualin kritik, aktivizimit të personaliteteve të PD-së pa histori korruptive (alergjinë më të madhe shqiptaret e kanë nga hajdutët që po na zhvasin dhe tallin) nga pas, përfshi edhe zonjën Topalli, heqjes dorë nga ndërprerja e karrierave dhe e klonimeve të atypëratyshme, ndërtimi i një profili të shefit që nuk i lë njerëzit pezull, por merr përgjegjësinë e vendimeve të tij, krijimin e një network-u me boten e ideve ose akademike pa kërkuar aneksimin e tyre, mbi të gjitha projektimin në kohë të antimodelit të Edi Ramës pa qenë e kundërta e ngjashme e tij në raport me ligjin dhe etikën. Një sjellje e tillë mund të shndërrohej në forcën e pakonkurrueshme të Lulzim Bashës, në suksesin e tij, duke futur në agorën tonë modernitetin e munguar të mendimit politik.

Pozicionime kësodore kërkojnë “sakrifica” shpirtërore kundër unit   dhe operacione që duhet ta përmbysin mentalitetin tribal të politikes shqiptare. Të dalësh nga tarafi, nga familja, fisi dhe të nisesh drejt shoqërisë nuk është e pamundur. PD është një aset i çmuar kombëtar, duhet përçuar kjo ide në mbarë hartën e vendit. Mes këso rrymash ecën varka e Bashës, për t’u shndërruar nga kryetar i një partie në lider të opozitës, që duhet të frymëzojë njerëzit.
Kjo është rruga e mundimshme për t’u bërë Kryeministër pa pritur që pushteti të kalbet e të bjerë në pëqi si fik. Të presësh kalbjen i bie që do të qeverisesh një vend të kalbur. Nuk është karriera e Lulzim Bashës që më shqetëson, shkëlqimi apo rënia e saj. Aspak. Por institucioni i liderit të opozitës, dobësia e të cilit do ta bënte më të pashpresë dëshirën tonë për standarde demokratike, po aq sa forca e të cilit e nxit atë.
Aktualisht kemi një supermaxhorancë arrogante, e cila dominon frikshëm edhe pushtetin lokal teksa në vjeshtë bëhet gati të “reformojë” edhe Drejtësinë, çka do të thotë hegjemoni totale në vend. Pushteti me shumicë në Shqipëri sjell zhgënjim me shumicë, ndaj do të jenë gjithnjë e më të shumtë ata që do t’i kthejnë sytë nga opozita dhe Lulzim Basha. Duhet vërtetësi dhe ndershmëri për ta kapur këtë shikim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura