“Rruga e Arbrit ende në ndërtim”/ Me shpejtësi mbi normat, policia gjobit qindra shoferë makinash! Pezullohen 30 leje drejtimi

Dec 4, 2021 | 22:00
SHPËRNDAJE

Policia rrugore vijon kontrollet për shkeljet e qarkullimit rrugor në disa akse të kryeqytetit. Gjatë dy ditëve të fundit, janë gjobitur 252 drejtues mjetesh të cilët janë kapur me shpejtësi të lartë apo dhe shkelje të tjera sidomos në rrugën e Arbrit dhe disa akse interurbane.

Sipas njoftimit të policisë, efektivët e “rrugores” kanë pezulluar 30 leje drejtimi. Janë konstatuar shoferë të cilët udhëtonin me shpejtësi 70 km/h në Rrugën e Arbrit ku shpejtësia e lejuar është vetëm 40 km/h pasi është ende në ndërtim e sipër.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Gjatë dy ditëve të fundit, në Rrugën e Arbrit dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën janë pezulluar 30 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 252 drejtues mjetesh, nga këta 141 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë apo të trefishtë.

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore të DVP Tiranë, nëpërmjet makinës inteligjente dhe radarëve, ka vijuar monitorimin e Rrugës së Arbrit, me makinën inteligjente dhe me radarin Patrol.

Si rezultat i monitorimit, gjatë dy ditëve të fundit, në rrugën e Arbrit janë konstatuar 11 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi 70 km /h, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, pasi rruga është akoma në ndërtim.

Këtyre drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga 1 deri në 3 muaj, si dhe janë ndëshkuar edhe me masë administrative nga 7000 deri në 15000 lekë secili.

Po gjatë monitorimit në rrugën e Arbrit, nga makina inteligjene dhe radari Patrol janë konstatuar në shkelje për shpejtësi, rrip sigurimi e përdorim celulari, por edhe për parakalime të gabuara që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, 74 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa të ndryshme administrative, sipas shkeljeve përkatëse.

Monitorimi ka vijuar edhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, ku si rezultat i monitorimit nga radari Patrol dhe makina inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit, 19 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar edhe me masë administrative.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masa administrative, 178 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.

Nga këta 76 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë, konkretisht për shpejtësi dhe përdorim celulari, 31 për shpejtësi dhe mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 34 në shkelje të trefishtë, mosvendosje të rripit të sigurimit, shpejtësi dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit.

Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara në Rrugën e Arbrit, megjithëse fluksi i automjeteve është normal, po ashtu edhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, do të vijojë monitorimin intensiv të këtyre akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura