Rrjedhja e votave/ Zbulohet debati në PD, Berisha: Mos flisi në emër të grupit. Salianji: Unë e kam bindje…

Sep 11, 2017 | 11:20
SHPËRNDAJE

Kur nuk ishin mbushur ende 24 orë nga votimi i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit, kreu i PD-së, Lulzim Basha, thirri kryesinë dhe Grupin Parlamentar.

Rrjedhja e të paktën dy votave nga demokratët në favor të zgjedhjes së Ruçit në krye të Kuvendit ishte diskutimi kryesor gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, e cila u shoqërua me debate të forta, shkruan “Panorama”.

Sali Berisha dhe Ervin Salianji
Sali Berisha dhe Ervin Salianji

DEBATI

Sali Berisha: Unë dua të flas pak për atë që ndodhi dje, se jo vetëm për shkak të eksperiencës, por edhe për përvojën parlamentare jam ndjerë i ofenduar dhe kam dalë kokulur nga ajo sallë. Dua ta them qartë. Grupi i PD nuk duhet ta falë atë që nguli thikën pas shpine. Po, po. Ashtu ka qenë për çdo demokrat, ngulje pas shpine ai votim. Ai/ajo që e ka bërë duhet ta dijë mirë që ne e dënojmë si veprim, si sjellje. Ne nuk mund t’i falim, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje kaq serioze, kur nuk bëhet fjalë për një individ si ai për të cilin bëhet fjalë, por për një vendim të Partisë Demokratike. Unë, kryetar, mendoj se duhet mbajtur një qëndrim i ashpër në lidhje me këtë situatë, që precedentë të tillë të mos përsëriten në të ardhmen.

Tjetër gjë që doja të them lidhet me disiplinën që çdo deputet i Grupit Parlamentar duhet të ketë kur flet për publikun. Ne kemi marrë mandate dhe jemi në Parlament nga populli, ndaj edhe nuk mund t’i hedhim hi syve duke i thënë se votat na i vodhën dhe pretekste të tjera si këto. Jo, këtë s’e pranoj. Për këtë duhet prova, se ka qenë diç- ka publike, ka qenë “live” në televizion. Unë sapo kam dalë nga Parlamenti, kam lexuar, Ervin, deklaratën tënde se ka pasur manipulim të komisionit.

Ervin Salianji: Pa diskutim që ajo që ka ndodhur është tronditëse. Nga ajo që ndodhi në parlament ne kemi dalë me dy vota më pak dhe kundërshtari ynë me dy vota më shumë. Por ne në katër vite opozitë e kemi denoncuar me fakte vjedhjen e votës në parlament. Dhe unë mendoj se mungesa e anëtarit tonë në komision e legjitimon pretendimin tonë për manipulimin e votave. Edhe unë mendoj se kush e ka shitur shpirtin nuk ka vend në PD dhe duhet qëruar, por jemi në një situatë që e dimë kush ka votuar. Ndaj edhe ajo që unë deklarova pas parlamentit nuk ka qenë thjesht deklaratë, unë e kam bindje atë që ka ato vota janë manipuluar.

Sali Berisha: Jo, jo, unë s’mund ta pranoj atë që ti thua thjesht se ti e ke bindje. Në qëndrimin zyrtar që grupi do të dalë pas kësaj mbledhjeje duhet theksuar edhe fakti që deputetët mund të jenë blerë. Po e përsëris se unë nuk e pranoj që dilet publikisht me qëndrime në emër të Grupit. Jo vetëm ti, por edhe zonja Duma nuk mund të dilnit me qëndrime tuaja pas asaj që ndodhi. Ajo ishte e rëndë dhe për të do të merrej një vendim në Grup. Vendimi i Grupit është më i rëndësishëm se çdo qëndrim që secili nga ne mund të japë.

Ervin Salianji: Doktor, unë e respektoj mendimin tuaj, por edhe një herë po e përsëris se kam bindjen se ai ishte një manipulim i pastër i socialistëve. Unë problemin më shumë e shoh te PS. E kam më të lehtë të besoj se kolegët e mi sesa te socialistët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura