Numri rekord i të infektuarve me koronavirus/ VOA: Autoritetet rritën ndjeshëm testimet. Bie në sy…

Jul 13, 2020 | 17:41
SHPËRNDAJE
 Në Shqipëri situata e epidemisë së Koronavirusit po përkeqësohet. Në 24 orët e fundit u rregjistrua një rekord rastesh të reja me 117 të infektuar, ndërsa dy persona të tjerë humbën jetën. Në spitalin infektiv, pacientët në gjendje të rënduar janë në numër të lartë. Vetë autoritetet e Shëndetësisë po flasin për një situatë serioze epidemiologjike dhe po përgatiten për të rihapur spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë, vetëm për të sëmurët e prekur nga koronavirusi.

278FD054-262A-45EC-8882-3F8E68D42F27_w1023_r1_s

Java që lamë pas ka treguar një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitive, rritje të shtrimeve në spital, pacientëve që kanë pasur nevojë për trajtim në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar. Fatkeqësisht kemi pasur edhe rritje të qytetarëve që kanë humbur jetën”, deklaroi sot Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik.

Dhe 24 orët e fundit kulmuan me 117 të infektuar, shifrën më të lartë deri më tani, pasi autoritetet rritën ndjeshëm numrin e testimeve, duke i çuar ato në 585 të tilla. Bie në sy një shtrirje gjithnjë e më e madhe gjeografike e epidemisë. Vetëm rastet e fundit u zbuluan në 22 qytete të vendit. Aktualisht janë 1462 raste aktive. Tirana mbetet zona me 635 raste, ose 43 përqind të personave ende pozitivë, e ndjekur nga Durrësi e Shkodra me mbi 200 raste, Vlora 108, ndërsa qarqet e tjera poshtë 100 të prekurve aktivë.

Përkeqësimi i situatës dëshmohet dhe nga pohimi i sotëm i autoriteteve: “Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit”, u shpreh zonja Tomini.

Vetëm në 24 orët e fundit, u njoftua për dy viktima të tjera, një 70-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 66-vjeçar nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruse. Në total numri i vdekjeve ka shkuar në 95 persona. Që pas heqjes së masave shtrënguese, numri i viktimave thuajse është dyfishuar.

Edhe gjendja në spitalin Infektiv vijon të rëndohet dita-ditës. Në 24 orët e fundit ka patur shtim të personave të shtruar, ku deri pak para mesitës ishin 85 pacientë në spital, nga të cilët 10 në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.

Edhe vetë autoritetet nuk duket se presin ndonj përmirësim, përkundrazi. Ato kanë nisur përgatitjet për të rihapur spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë, vetëm për trajtimin e të sëmurëve të prekur me Koronavirus.

“Është një situatë serioze epidemiologjike e Covid 19 në të gjitha elementët e vlerësimit të saj. Kjo situatë kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën, duke respektuar masat e vendosura, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e sigurisë”, deklaroi zonja Tomini.

Opozita akuzoi sot sërish qeverinë për mungesën e një strategjie për përballin e gjendjes. Ekspertja e Partisë Demokratike Liljana Shyqyriu foli për “një situatë që po precipitin rrezikshëm” dhe se “qeveria është dorëzuar përballë kësaj epidemie dhe po e lë virusin në rënie të lirë”.

Ndërsa nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha sot se “mënyra se si është administruar kjo pandemi që nga fillimi ka qenë e gjitha mbi spontanitetin, mbi mosmarrjen e masave efektive, mbi mosvlerësimin e atyre hapave të domosdoshëm, të cilat bëjnë të mundur që të kesh një situatë në kontroll”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura