Rritje rekord e çmimeve në Kosovë, inflacioni arrin në 11.2%

May 12, 2022 | 11:36
SHPËRNDAJE

market-shporta-1Rritja e çmimeve për produktet ushqimore bazë në Kosovë ka arritur në 11.2 për qind, si kurrë më parë. Për këtë “fluturim” të çmimeve ka pasur reagime të shumta nga opozita. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se me shqetësim të thellë po e përcjellin rritjen rekorde të çmimeve. Kurse, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar duke thënë se inflacioni i çmimeve ka shënuar rekord të zi.

Rritja e çmimeve për produktet ushqimore bazë në Kosovë nga prilli i vitit të kaluar është rritur 11.2 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave.

ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit për muajin prill 2022 është rritur 1.5 për qind.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, prill 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.5 për qind në muajin prill 2022, krahasuar me muajin mars 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.2 për qind, mishi me 3.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, pemët me 1.5 për qind, perimet me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2 për qind”, thuhet në raport.

Po ashtu, siç ka treguar ASK prodhime të ndryshme ushqimore si salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë janë rritur për 2.2 për qind, kafe, çaji dhe kakao me 0.8 për qind, uji, pije joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 0.6 për qind, pijet alkoolike me 5.4 për qind, gazi me 10.8 për qind.

“… lëndët djegëse të ngurta me 2.6 për qind, pajisjet shtëpiake me 2 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës me 1.7 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 1.3 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.7 për qind, blerjet e automjeteve me 1.3 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 2.7 për qind, shërbimet për transport me 3.9 për qind, shërbimet hoteliere me 1.4 për qind, pra me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në raport me ngritjen e çmimeve.

LDK përmes një njoftimi thotë se me shqetësim të thellë po e përcjellin rritjen rekorde të çmimeve.

“Rritja rekorde e çmimeve, për çdo muaj po vazhdon të bëhet më e papërballueshme për qytetarin. Inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani”.

LDK thotë se Qeveria ka injoruar propozimet konkrete të saj për menaxhimin e krizës së çmimeve.

“LDK ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë. Përballë propozimeve tona, pushteti populist ka zgjedhur injorimin e krizës, duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë”.

Partia opozitare thotë se paaftësia qeverisëse kushton.

“Çmimi i paaftësisë së popullistëve është ky inflacion rekord”, përfundon njoftimi i LDK-së i shoqëruar edhe me disa grafikë krahasuese.

Kurse, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci tha se inflacioni i çmimeve në Kosovë ka shënuar rekord të zi ku norma vjetore e interesit në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.

Përballë kësaj krize të rëndë ekonomike, Stavileci në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës po qëndron si spektatore.

“Me ekskursione të gjata e të padobishme qeveritare nuk luftohen krizat ekonomike dhe inflacioni. Sot përsëri jemi dëshmitarë të një rekordi edhe më të zi për sa i takon inflacionit të çmimeve në vendin tonë. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2022 ishte 11.2 për qind. Ndërkaq, Qeveria e vendit tonë nga një spektatore krizash të brendshme është kthyer në një pasionante ekskursionesh jashtë vendit”, ka shkruar Stavileci.

Të gjitha këto goditje të njëpasnjëshme për qytetarët dhe ekonominë, siç thotë ai, nuk po i këndellin pushtetarët nga rrethi vicioz i ideve dhe gjumi i thellë që i ka kapluar.

“As mundin minimal nuk po e marrin që me masa e intervenime ekonomike t’i japin përgjigje krizës ekonomike. Hiperdeflacioni qeveritar po e rritë pasigurinë dhe pamundësinë e qytetarëve për t’u përballë me të gjitha këto kriza që po rëndojnë mbi kurrizin e tyre”, tha ai.

Sipas tij, dalja nga ky rreth vicioz i mosveprimit të pushtetarëve dhe apatisë qeverisëse, nuk është çështje e fantazisë shkencore, por pikë së pari është çështje e moralit qeveritar dhe vullnetit politik për të respektuar qytetarët dhe shtetin tonë.

Ndërsa, sipas ASK-së rënie e çmimeve vërehet te energjia elektrike me 7.3 për qind, për shkak të rënies së konsumit në muajin prill krahasuar me muajin mars, me një ndikim prej 0.2 për qind në IHÇK.

“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”, thekson ASK-ja.

“Energjia elektrike me 17.6 për qind – ngritja e çmimit është për shkak se në periudhën janar-maj 2021 ishte për 0,0061 cent më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19 derisa në muajin prill 2022 ka pasur rënie të konsumit, gjegjësisht shpenzimeve për 7.3 për qind, gazi me 42.2 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 22 për qind, mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 4.2 për qind, pajisje shtëpiake me 8.4 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 9.9 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 7.4 për qind, blerjet e automjeteve me 6.8 për qind, pjesët e këmbimit dhe pajisjet shtesë për pajisjet e transportit personal me 6.2 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 38.8 për qind, shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit me 9.9 për qind, shërbimet për transport me 11.1 për qind, shërbimet hoteliere me 9.7 për qind, kujdesi personal me 5 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 11.6 për qind në IHÇK”, përfundon raporti.

Rënie e çmimeve vërehet te pemët me 11.5 për qind, veshjet me 1.1 për qind, këpucët me 2.9 për qind, me një ndikim prej 0.4 për qind./Monitor

© Panorama.al

Te lidhura