“Rritje për biznesin e madh”/ Ministrja e Ekonomisë për krizën energjitike: Kjo kosto do tranferohet në çmime të konsumatorit

Oct 16, 2021 | 18:29
SHPËRNDAJE

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj është shprehur se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjet, ashtu siç e ka deklaruar edhe qeveria më parë.

delinaibrahimaj

Duke folur për fondin prej 200 mln eurosh që vendi ynë do të ketë në dispozicion për të përballuar krizën, ministrja thotë se ajo parashikohet të mbulojë muajt e fundit të këtij viti dhe 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Në një intervistë në News24, Ibrahimaj shprehet se do të ketë rritje çmimesh për biznesin e madh, duke sjellë një rritje të kostos së prodhimit.

Sipas saj, kjo rritje do të transferohet dhe tek çmimet e konsumatorit, por e gjitha do të jetë e përkohshme.

Ibrahimaj: Do të kemi një shumë prej 200 mln eurosh për përballimin e kësaj krize. Kjo mbështetje do jepet për import të energjisë elektrike. Nuk është një krizë e çmimeve por edhe e ofertës së energjisë elektrike. Ndaj ne duhej të merrnim masa për likujditete. Për vitin aktual, jemi duke menduar instrumentin e duhur për financimin e kësaj sasie. 200 mln do jetë për të gjithë periudhën, muajt e fundit të vitit dhe për 6-mujorin e ardhshëm. Ne do të mundohemi që të gjejmë financimin më të lirë, që t’i kushtojë sa më pak buxhetit të shtetit. Do bëhet përmes një akti normativ që të përcaktohet nga do merret energjia elektrike, duke pasur parasysh dhe borxhin që kemi. Peshën më të madhe e merr qeveria, ato projektet që kishin filluar, parashikimet e atyre projekteve, kursimet e qeverisë gjatë vitit, dhe të ardhurat shtesë. Në të ardhmen, do të shkojmë drejt një tregu më efiçent.

Pyetje: Rritja e çmimeve do të ketë ndonjë efekt tek bizneset e mëdha dhe a do ketë reaksion zinxhir tek konsumatorët?

Ibrahimaj: Reforma e energjisë ka parashikuar një rritje graduale të çmimeve me qëllim arritjen e efiçencës së operatorit të shpërndarjes. Kjo kategori biznesesh, në bazë të vendimit që do merret nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, patjetër që do ketë rritje të çmimeve të energjisë për biznesin e madh. Patjetër që kjo do të do transferohet në çmimet e konsumatorit sepse është një çmim prodhimi që do transferohet pjesërisht tek konsumatori. Shumicën e produkteve e importojnë. Ne jetojmë në një ekonomi të hapur, kur diktohet nga tregu rritja e çmimeve. Rritja e çmimit të energjisë dhe të kostove të prodhimit të bizneseve të mëdha, nuk mund të transferohet automatikisht tek konsumatori pasi prodhimi vendas zë vend më të vogël në konsumin total. Do të jetë një efekt, materializimi i tij do të shihet në varësi të ecurisë së çmimeve të importit. Është duke u materializuar një inflacion i madh.

Inflacioni i ekonomive të botës po rritet më shumë se sa inflacioni i Shqipërisë. Ky inflacion do stabilizohet gjatë vitit të ardhshëm. Goditja që kanë marrë çmimet e konsumit nga rritja e çmimit të energjisë është e përkohshme dhe nuk pritet të jetë e gjatë. Nuk ka lidhje me strategjinë e qeverisë. Ka lidhje me ecurinë e tregut ndërkombëtare. Kjo rritje e çmimit të konsumit, do rritet çmimi të importeve. Do jetë goditje e përkohshme. E parashikon Banka e Shqipërisë, FMN-ja, nuk pritet të ketë goditje të çmimeve të konsumit afatgjata.

A do të ketë rritje pagash dhe pensionesh? Ja si përgjigjet Ministrja e Ekonomisë

Pyetje: Sa i përket buxhetit, a është planifikuar fond për rritje pagash apo pensionesh?

Ibrahimaj: Në programin e qeverisë parashikohet rritja e pagës për mjekët, infermierët dhe administratën publike dhe gjithashtu një rritje e pagës minimale. Të gjitha këto gradualisht fillojnë që prej vitit 2022 për t’u rritur më vonë gjatë viteve në vijim.

Pyetje: Kur bëhet fjalë për fundin e vitit, pensionistët janë stresa më sensitive që kanë dhe pritshmëritë më të larta. A do të mendohet në fund të vitit për shpërblime për ta?

Ibrahimaj: Për qeverinë është prioritet dhënia e bonusëve për pensionistët. Edhe në vitet më të vështira, qeveria e ka gjetur mundësinë të financojë bonusin e pensionistit dhe ka marrë angazhimin që nga viti i ardhshëm ky zë të përfshihet si zë buxhetor dhe të mos ketë më pikëpyetje për dhënien e bonusit të pensionistit cdo vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura