‘Rritja ekonomike e vendit u përshpejtua në 4.4%’, Guvernatori Sejko flet për prioritetet dhe sfidat

Nov 1, 2018 | 13:18
SHPËRNDAJE

“Raportet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare prestigjioze theksojnë se perspektivat e zhvillimit ekonomik botëror vijojnë të mbeten pozitive. Në mënyrë të ngjashme, edhe Shqipëria gjendet në një trajektore të qëndrueshme e pozitive të rritjes ekonomike”.

Keshtu ka deklaruar sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, gjate fjales se mbajtur ne konferencen vjetore te BSH.

Sejko

“Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”, ishte tema e konfernences gjate te ciles Sejko theksoi se “Sipas statistikave zyrtare, rritja ekonomike e vendit u përshpejtua në 4.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke shfaqur një bazë të gjerë në terma të përbërësve të kërkesës agregate dhe një kompozim të larmishëm në terma të sektorëve që kanë kontribuuar në rritje”.

Sipas guvernatorit Raportet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare prestigjioze theksojnë se perspektivat e zhvillimit ekonomik botëror vijojnë të mbeten pozitive. Në mënyrë të ngjashme, edhe Shqipëria gjendet në një trajektore të qëndrueshme e pozitive të rritjes ekonomike.

 

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT 

Të nderuar pjesëmarrës,

Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, e kam gjithnjë kënaqësi të hap punimet e konferencës sonë të përvitshme. Megjithatë, këtë vit kënaqësia është e dyfishtë, për arsye se kjo konferencë organizohet në bashkëpunim me London School of Economics – një nga institucionet akademike më prestigjioze në fushën e kërkimit për shkencat ekonomike dhe politike. Shprehja e interesit dhe investimi profesional i një institucioni të tillë është dëshmi e maturisë që ka arritur cikli i konferencave tona.

Jam i bindur se konferenca e sivjetshme do të ruajë dhe do të çojë përpara standardet e arritura. Po ashtu, jam i bindur se diskutimet e hapura dhe shkëmbimi i opinioneve dhe eksperiencave të ndërsjella do të na ndihmojë të identifikojmë rrugët optimale të trajtimit të sfidave që kemi përpara.

***

Tema e këtij viti është veçanërisht e rëndësishme, jo vetëm për bankat qendrore, por për të gjithë vendimmarrësit ekonomikë. Duke u fokusuar në pasojat direkte mbi politikën monetare, ajo prek çështje që kanë të bëjnë me ndryshimet e vrullshme që po përjetojnë strukturat ekonomike, tregjet financiare, doktrinat e administrimit ekonomik, si dhe shoqëritë e komunitetet njerëzore, në rang botëror e lokal.

Raportet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare prestigjioze theksojnë se perspektivat e zhvillimit ekonomik botëror vijojnë të mbeten pozitive. Në mënyrë të ngjashme, edhe Shqipëria gjendet në një trajektore të qëndrueshme e pozitive të rritjes ekonomike.

Politikat e kujdesshme ekonomike që kemi ndjekur, përmirësimi i vazhduar i bilanceve të sektorit real dhe financiar, si dhe ristrukturimi në progres i ekonomisë dhe i modelit të rritjes, kanë krijuar premisat e duhura për shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Më lejoni ta detajoj më tepër këtë mesazh. Sipas statistikave zyrtare, rritja ekonomike e vendit u përshpejtua në 4.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke shfaqur një bazë të gjerë në terma të përbërësve të kërkesës agregate dhe një kompozim të larmishëm në terma të sektorëve që kanë kontribuuar në rritje.

Në veçanti, eksportet shqiptare kanë shfaqur rritje, ndërsa nivelet e investimeve të huaja direkte kanë mbetur të larta, duke ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente dhe në qëndrueshmërinë e pozicionit të jashtëm të vendit. Dinamizmi i sektorit eksportues dhe nivelet e larta të investimeve të huaja janë inkurajuese në drejtim të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, dhe dëshmi e kompetitivitetit dhe atraktivitetit në rritje të ekonomisë shqiptare.

Efektet e rritjes ekonomike kanë filluar të jenë të pranishme në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë. Pjesëmarrja në forcat e punës dhe punësimi janë rritur; norma e papunësisë zbriti në 12.4% në tremujorin e dytë të vitit; dhe pagat kanë filluar të lëvizin për lart.

Po ashtu, rritja e kërkesës agregate ka ndihmuar në përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve shqiptare dhe ka mundësuar trendin e qartë rënës të kredive me probleme. Ky tregues zbriti në nivelin 12.9% në tremujorin e tretë, duke pothuajse u përgjysmuar nga nivelet maksimale të shënuara pas krizës.

Në reflektim të tij, por edhe të gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe ambientit monetar me norma të ulëta interesi të gjeneruar nga politika jonë monetare lehtësuese, sektori bankar shqiptar vazhdon të mbetet likuid, rentabël dhe i mirëkapitalizuar. Ky sektor shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të mundshme, si dhe zotëron kapitalin dhe likuiditetin e nevojshëm për të mbuluar nevojat e ekonomisë për financim.

Momenti pozitiv që po kalon ekonomia shqiptare përmban premisat e mjaftueshme që trendi i rritjes të vijojë dhe në të ardhmen. Zgjerimi i kërkesës agregate, ambienti i favorshëm financiar, përmirësimi i bilanceve dhe rikthimi i besimit në ekonomi, formojnë një rreth virtuoz, i cili do të mbështesë rritjen në horizontin afatmesëm.

Më tej, seria e gjatë e reformave strukturore – të ndërmarra apo në fazë implementimi – duhet t’i hapin rrugë një rritjeje ekonomike më të shpejtë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Tema e konferencës së sotme ka të bëjë me sfidat që shtrohen përpara politikëbërësve, si në terma të rritjes ashtu dhe në terma të stabilitetit ekonomik e financiar. Në një këndvështrim të përgjithshëm, këto sfida kanë të bëjnë me:

  • implikimet që ka normalizimi i politikës monetare të bankave kryesore qendrore për vendet në zhvillim, sidomos për ato vende të cilat kanë ndjekur një model rritjeje ekonomike të bazuar te borxhi afatshkurtër;
  • fenomenet populiste, të cilat ushqejnë një retorikë proteksioniste, dëmtojnë tregtinë botërore dhe frenojnë lëvizjen e lirë të faktorëve të prodhimit; si dhe me
  • rreziqet të cilat vazhdojnë të jenë ende të pranishme në sistemin financiar botëror.

Në një këndvështrim më specifik, realiteti i sotëm ekonomik, monetar e financiar, paraqitet veçanërisht sfidues për politikën monetare. Ky realitet emërtohet dhe si “normalja” e re e politikës monetare. Më lejoni të identifikoj disa prej këtyre sfidave.

  • Normat natyrore të interesit paraqiten në rënie, potencialisht si pasojë e një kombinimi faktorësh: ngadalësimi i produktivitetit dhe i ritmit të inovacionit; trendet e pafavorshme demografike në vendet e zhvilluara; apo dhe riciklimi i kursimeve nga vendet në zhvillim drejt atyre të zhvilluara. Kjo rënie sjell reduktimin e hapësirave për politika monetare stimuluese konvencionale në të ardhmen.
  • Lidhja midis kërkesës agregate dhe normës së inflacionit është zbehur në horizontin afatshkurtër e afatmesëm, si pasojë e zhvillimeve në tregjet e punës dhe e integrimit në rritje të ekonomisë botërore. Ky fenomen rrit koston e veprimit të politikës monetare.
  • Po ashtu, inovacioni financiar dhe ndërgjegjësimi në rritje i ndërlidhjes midis stabilitetit ekonomik e monetar nga njëra anë dhe stabilitetit të sistemit financiar nga ana tjetër, kanë reduktuar hapësirat e veprimit të instrumenteve konvencionale të politikës monetare.

Pavarësisht natyrës së ndërlikuar të këtyre sfidave, rekomandimet për përballimin e tyre nuk mungojnë. Ato variojnë nga modifikimi i mandatit të politikës monetare, te pasurimi i gamës së instrumenteve që ajo përdor, dhe te koordinimi më i mirë i saj me politikën makroprudenciale.

Jam i bindur se çështjet e mësipërme do të adresohen në detaje gjatë punimeve të kësaj konference.

Në këndvështrimin tim, konsensusi mbi fizionominë e “normales” së re të politikës monetare duhet të ruajë tre elemente esenciale të saj.

  • Së pari, evitimi i objektivave të shumëfishtë, apo të paqartë e jotransparentë, mbi politikën monetare. Ky parim do të ruante besueshmërinë e politikës monetare, si një parakusht i rritjes së efektivitetit dhe i reduktimit të efekteve anësore të ndërhyrjes së saj.
  • Së dyti, njohja e limiteve që ka politika monetare, si në horizontin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë.

Në horizontin afatshkurtër e afatmesëm, politika monetare shpesh përballet me efektivitet të kufizuar, veçanërisht në rastin e krizave financiare, apo me efekte negative anësore, në formën e rritjes së rrezikut në sistemin financiar. Ky kufizim thekson nevojën e plotësimit dhe koordinimit të saj me politika të tjera të administrimit ekonomik.

Paralelisht me të, politika monetare, e vetme, nuk disponon instrumentet e duhura për të gjeneruar një përshpejtim të qëndrueshëm të ritmit të rritjes në afatin e gjatë. Ky kufizim nënvizon faktin se politika monetare nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësues i reformave strukturore.

  • Së treti, dizenjimi i gamës së instrumenteve në përdorim të politikës monetare duhet të kujdeset për shmangien e rrezikut në bilancin e bankës qendrore, çka do të ndikonte negativisht pavarësinë e tyre.

***

Eksperienca e Bankës së Shqipërisë në përballimin e krizës dhe në nxitjen e rritjes ekonomike në periudhën vijuese, ilustron disa nga temat kryesore që preka më lart.

Në përgjigje të ngadalësimit të kërkesës agregate dhe të pasojave negative të këtij ngadalësimi në punësim, në shëndetin e bilanceve financiare dhe në inflacion, Banka e Shqipërisë ndërmori një lehtësim progresiv të politikës monetare. Ky lehtësim u krye nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit dhe injektimit të likuiditetit kundrejt një baze të zgjeruar kolaterali.

Politika e ekspansionit monetar u ndihmua nga fokusi i qartë në stabilitetin e çmimeve dhe u favorizua nga operimi i një regjimi të lirë të kursit të këmbimit. Ky i fundit ka shërbyer dhe do të vazhdojë të shërbejë si absorbues i goditjeve afatshkurtra mbi ekonominë shqiptare dhe sistemin e saj financiar.

Në këtë pikë me lejoni të theksoj se mbajtja e një regjimi të lirë dhe aktivizimi i ndërhyrjeve në treg vetëm në ato situata kur cenohen objektivat primare janë parime mjaft të rëndësishme, pasi pikërisht lëvizjet në momente specifike, drejt një ekuilibri të ri e më të qëndrueshëm, i mundësojnë politikës sonë monetare të fokusohet në objektivin e saj primar – stabilitetin e çmimeve – dhe ndihmojnë orientimin sa më produktiv të resurseve njerëzore e financiare të ekonomisë.

Stimuli monetar i transmetuar me instrumente konvencionale rezultoi i suksesshëm në kontrollin e efekteve negative të krizës. Ai ndihmoi operimin e qetë të tregjeve financiare, lehtësoi kostot e shërbimit të borxhit në ekonomi, dhe ndihmoi fillimin e një procesi ristrukturimi të ekonomisë.

Megjithatë, disa tipare të zhvillimit të tregjeve financiare shqiptare kufizuan efektivitetin e veprimit të politikës monetare. Më konkretisht, shkalla e ulët e zhvillimit të tregjeve financiare, fenomeni i rritjes së kredive me probleme dhe niveli i lartë i huamarrjes në valutë, frenuan përcjelljen e plotë të stimulit monetar në ekonomi.

Në përgjigje të tyre, Banka e Shqipërisë adoptoi një përqasje të integruar për rritjen e efektivitetit të stimulit monetar, e cila nënkuptoi si adoptimin e instrumenteve të reja, ashtu dhe inicimin e një sërë reformash strukturore, të cilat synuan përmirësimin e mekanizimit të transmetimit të politikës monetare.

  • Në drejtim të kuadrit të instrumenteve, Banka e Shqipërisë filloi përdorimin e orientimit të tregut mbi të ardhmen e politikës monetare, apo siç njihet ndryshe forward guidance, dhe aplikoi masa makroprudenciale kundërciklike, në mbështetje të rritjes së kreditimit në ekonomi.
  • Në drejtim të mekanizmit të transmetimit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, ndërmori një sërë reformash strukturore në sistemin financiar. Këto reforma synuan zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar, përmirësimin e ambientit ligjor e rregullator në drejtim të respektimit të kontratave, ekzekutimit të kolateralit dhe uljes së rrezikut të kreditit, si dhe reduktimin e fenomenit të huamarrjes në valutë.

Kjo përqasje e integruar ka dhënë tashmë frytet e para, duke krijuar një ambient financiar më reagues ndaj politikave tona dhe duke qenë një garanci më tepër për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike.

Ky investim duhet plotësuar më tej me krijimin dhe ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen, si dhe duhet shoqëruar me reforma të gjithanshme strukturore, për rritjen e rezistencës dhe fleksibilitetit të ekonomisë.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke parë nga e ardhmja, dëshiroj të theksoj se një nga mësimet e vyera që kemi nxjerrë nga kriza është se stabiliteti financiar dhe ruajtja e një mekanizmi funksional të transmetimit të politikës monetare, janë disa nga investimet më të rëndësishme që banka qendrore mund të bëjë për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, sfidat përpara ekonomive globale do të jenë gjithnjë e më komplekse, duke nënkuptuar nevojën e një vendimmarrje sa më të informuar, kurajoze dhe në linjë me hapin e kohës.

Ajo çfarë në terminologjinë e sotme njihet si “New Normal”, karakterizohet nga shumë të panjohura, ndërkohë që nga të gjithë politikëbërësit kërkohet gjetja e opsioneve të vlefshme dhe mëse të nevojshme për të lehtësuar vendimmarrjen e një Banke Qendrore, jo vetëm nga këndvështrimi i mirëmenaxhimit të politikës monetare, por edhe nga këndvështrimi i stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve dhe ekonomisë nga goditjet ekonomike e financiare.

Prandaj kemi mbledhur sot, së bashku me LSE-në, ekspertët më të mirë nga akademia, bankingu qendror, institucionet ndërkombëtare dhe tregu financiar, për të diskutuar efektet potenciale të këtyre zhvillimeve dhe për të gjeneruar ide mbi cilat mund të jenë politikat e duhura dhe optimale në përgjigje të këtyre sfidave.

Nevoja për bashkërendim të politikave brendshme, si dhe rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis tregjeve dhe autoriteteve, është evidente. Eksperienca jonë në këtë drejtim është pozitive. Mësimet e nxjerra nga kriza, por dhe skanimi i shkallës së zhvillimit të sektorit financiar, kanë bërë të mundur që – nën një bashkëpunim mjaft të suksesshëm me qeverinë shqiptare – t’i hapim rrugë ristrukturimit të plotë të arkitekturës së rregullimit e monitorimit të sektorit financiar, të krijojmë mekanizma funksionalë të shkëmbimit të informacionit dhe të koordinimit midis agjencive rregullatore, si dhe t’i hapim rrugë reformave konkrete të zhvillimit të sistemit financiar, veçanërisht në fushën e tregjeve të kapitalit dhe të sistemeve të pagesave.

Kjo nevojë për bashkëpunim dhe bashkërendim shtrihet dhe përtej kufijve. Një qasje sa më gjithëpërfshirëse, në rang botëror e rajonal, do të ndihmonte shmangien e pasojave të padëshirueshme, jo vetëm për ekonomitë e vogla e në zhvillim – të cilat shpesh janë thjesht konsumatore të politikave të rregullimit financiar në rang botëror – por dhe për ekonomitë e mëdha, të cilat janë origjinuese të tyre.

Besoj se konkluzionet e paneleve të konferencës do të jenë shumë të dobishme për të gjithë ne, dhe do të portretizojnë e paraqesin në mënyrë të plotë rreziqet dhe përfitimet nga problematikat e përmendura më lart, e veçanërisht të nxjerrin në pah trajtimin e tyre nga këndvështrimet e vendimmarrësve.

Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj, i uroj punime të mbara konferencës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura