Rritja e rasteve të reja me koronavirus, epidemiologu Alimehmeti: Rrjedhojë e shtimit të numrit të testimeve, ecuria e virusit ka qenë e …

Oct 17, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

Epidemiologu, Ilir Alimehmeti, e ka lidhur shtimin e rasteve të reja ditore me rritjen e numrit të testimeve.

alimehmeti-ilir-1100x620

Përmes një postimi në rrjetet sociale, doktori ka paraqitur të dhënat mbi situatën deri më tani në vend, duke e krahasuar atë me rajonin dhe vendet e tjera të Europës.

Sipas tij, ecuria e virusit në vendin tonë ka qenë e qëndrueshme.

“Shqetësimi mbi situatën epidemiologjike është i kudondodhur, por jo i shpërndarë në mënyrë homogjene. Atje ku mediat dhe rrjetet sociale kanë më shumë penetrim, atje ka edhe më shumë shqetësim, jo detyrimisht më shumë infektim. Siç mund të shihet qartë dhe siç e mbani mend mirë, në vendin tonë pati rritje të lartë në fund të qershorit; filloi të bjerë në korrik; qëndroi relativisht konstant në korrik dhe gusht; kemi rritje të lehtë dhe me ecuri konstante në tetor. Duke marrë parasysh që patëm një shpërthim në qershor që u kontrollua relativisht shpejt, ecuria ka qenë e qëndrueshme dhe rritja e rasteve të reja është në përqindje të lartë, si rrjedhojë e shtimit të numrit të testimeve, shtim i cili është i mirëpritur dhe duhet të shtohet sa më shumë”, ka shkruar Alimehmeti.

Në krahasim me vendet e tjera në shumicën dërrmuese të vendeve europiane, vë në dukje doktori, jemi më ulët që në korrik e vazhdojmë të jemi më poshtë, me përjashtime të rralla si Spanja. Me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kemi tregues më të ulët. Në krahasim me botën, si total jemi pothuajse njësoj në të gjithë ecurinë.

“Nuk duhet të shohim një indikator të vetëm, por duhet ta zgjerojmë fushën e pamjes. Informacioni duhet të merret së bashku dhe të përpunohet nga njohësit e fushës dhe jo thjesht të ngrijmë të dy shifrat: raste të reja dhe vdekje në ditë”, mbyll statusin e tij doktori. Java e 42-të e pandemisë ka sjellë rritje të të infektuarve.

Veç Tiranës, një numër i konsiderueshëm rastesh pozitive është regjistruar edhe në qarqet e veriut. Nga të dhënat e Ministrisë në vendin tonë aktualisht janë 6101 të infektuar aktivë, 50 për qind prej të cilëve në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura