Rritja e pensioneve, nis ndarja e përftimeve

Aug 4, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata pensionistë që do të paraqiten në pikat ku tërheqin pensionin, do të mund të marrin në dorë shtesën që vjen si efekt i vendimit të qeverisë. ISSH ka nisur nga dje të shpërndajë pensionet e radhës me rritjen e miratuar nga qeveria. Burime pranë ISSH-së konfirmuan për gazetën se gjatë së premtes, së shtunës dhe së dielës është bërë në sistem gjenerimi i përllogaritjes së re për shtesën e pensionit. Indeksimi prej 1.4 për qind i miratuar nga qeveria, i është bashkangjitur më pas shumës totale të pensionit.

Mbledhje Qeverie
Mbledhje Qeverie

Kjo shtesë nuk është pjesë e kompensimeve të tjera që qeveria jep, siç është ajo për kompensimin e energjisë. Madje, shtesa 1.4 për qind është e përllogaritur sipas pensionit bazë që përjashton këto kompensime.

SHTESA
Por si ndryshojnë pensionet me indeksimin 1.4 për qind të inflacionit? Pensionet minimale në qytet, që janë në vlerën 12 264 lekë/ muaj, do të kenë një rritje me 172 lekë, çka do të thotë që nga ky muaj pensioni i ri është 12 436 lekë/muaj. Pensionet maksimale në qytet, të cilat ishin 24 528 lekë/muaj me shtesën e re, e cila automatikisht në vlerë është më e lartë, bëhen 24 872 lekë/muaj, pra rritja 1.4 për qind korrespondon me 344 lekë/muaj. Për fshatin, pensioni minimal nga 8398 lekë/ muaj bëhet 8516 lekë/muajve, një rritje prej 118 lekë/ muaj. Në një vit, një pensionist në fshat do të marrë 1416 lekë më shumë. Pensioni maksimal në fshat, nga 12264 lekë/muaj bëhet 12436 lekë/muaj, me një rritje vjetore prej 2064 lekësh.

SHIFRAT
Në të gjithë vendin, përftimi nga indeksimi i pensioneve rritet për mbi 590 mijë pensionistë dhe 30 mijë të tjerë që përfitojnë nga skemat suplementare. Konkretisht, janë 453 511 pensionistë që jetojnë në qytet, 145 800 që jetojnë në fshat dhe 32 800 pensione të parakohshme suplementare. Për këtë rritje, qeveria ka vënë në dispozicion mbi 5 milionë dollarë. Në fakt, vlera e parashikuar në buxhet në fillim të vitit për politikat e reja të pensioneve ishte 12 milionë dollarë, por duket se në kushtet e shtrëngimit të shpenzimeve, qeveria ka vendosur të përdorë më pak se gjysmën e këtij fondi.

Në indeksimin që bëri qeveria së fundmi për inflacionin në nivelin 1.4 për qind saktësohet se kjo vlen për disa mallra dhe shërbime dhe jo për inflacionin vjetor. “Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.

Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit”, përcaktohet në ligjin e ri të pensioneve. Rritja me vetëm 1.4 për qind e pensioneve, edhe pse mund të konsiderohet si një politikë pozitive, mbetet më e ulëta në shumë vite. Madje, një vit më parë, qeveria indeksoi me 2 për qind pensionet. Kjo lidhet me kërkesat e vazhdueshme të FMNsë për të ngrirë politikat e reja të rritjes së pagave dhe pensioneve, në kushtet kur Shqipëria duhet të ecë drejt konsolidimit fiskal.

rritja ekonomike-1 

rritja ekonomike-2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura