Rritja e naftës për jahtet/ Kryetari i Industrisë së Turizmit: Ndikon drejtpërdrejtë në sektor. Në 5 vitet e fundit ndryshoi imazhi i porteve shqiptare dhe u rrit numri i klientëve VIP

Nov 9, 2021 | 19:47
SHPËRNDAJE

Në projektbuxhetin e ri të qeverisë rifutet akciza së naftës që përdoret për jahtet, heqja e të cilës i kishte kthyer portet shqiptare në destinacione për mjetet lundruese luksoze të Mesdheut.

naf

Duke folur lidhur me këtë çështje, Arben Çipa, kryetar i Industrisë së Turizmit dhe Operatorëve Turistikë Detarë, tha se një vendim i tillë ndikon drejtpërdrejt në sektor, duke kundërshtuar kështu kërkesën për akcizën 65 lekë për litër.

Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në “Syri TV” ai tha se heqja e akcizës së naftës ndikoi në thithjen e klientëve VIP, ndryshimin e imazhit të porteve shqiptare, si dhe industrinë detare në tërësi.

Para tre ditësh kemi pasur pasur një interpelancë në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me një problem, me qëllim mos shtimin e tre taksave të reja, që lidhen me furnizimin e jahteve. Ne nuk jemi përfaqësues të hidrokarbureve, por industrisë së turizmit që ka shumë hallka që lidhen edhe me hidrokarburet. Nëse në vitin 2015 u votua ligji për dhënien e karburantëve pa akcizë, ky ishte një vendim i drejtë, që mungonte, dhe padyshim solli rezultate. Në 2016-ën numri i jahteve u shtua në nivelin 110-120 për qind. Në vitin 2021, në një vit që vazhdon të jetë pandemia, numri i jahteve arriti në 1020 për sezon dhe kjo falë politikave të karburantit pa akcizë.

Nëse pyesni se çfarë roli sjell për turizmin? Nuk është vetëm fakti që ato vijnë për karburant dhe largohen. Por edhe kështu po ta shihnim, humbje nuk kemi. Por në krahun tjetër kemi fitime pa dyshim. Realiteti i turizmit shqiptar në botën perëndimore është akoma jo i qartë dhe i pastër, pasi ne jemi identifikuar si destinacion turistik por jo nga të gjitha tregjet e hapura. Këto 5 vite kanë lozur rol pozitiv në një kategori klientelësh VIP. Në ndryshimin e imazhit të porteve ku jahtet mbërrijnë. Është një zinxhir i tejzgjatur i shërbimeve që mbahen nga kjo industrie, nga agjencitë detare, agjencitë e transportit, nga shumë hallka, si piloti, marina, etj. Pa përjashtuar shumë raste kur klientet VIP-a bëjnë ture ditore që janë shumë më serioze se sa një grup turistik. Kjo politikë e hidrokarbureve lidhet direkt me shërbimet turistike”, tha Arben Çipa.

I pyetur mbi humbjet që mund të pësojë sektori si pasojë e akcizës së naftës, Çipa u shpreh: “Nëse bëhet fjalë për 1020 jahte në sezon, llogaritet me një mesatare prej 5 mijë euro“.

Ndërsa u ndal te interepelanca në Komisionin e Ekonomisë, Arben Çipa tha:”Përshtypja ime gjatë interpelancës ishte që informacion të hollësishëm ata nuk kanë pasur. Me shpjegimet tona në detaje, na u dha një dritë jeshile se kjo nuk do të ndodhi. Mesazhi është i qartë, nëse ndodh një vendim i tillë jahtet do ti rikthehen destinacioneve të mëhershme“.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura