Rritja e moshës, kushtet për shtesë 6% të pensionit

Nov 30, 2015 | 13:02
SHPËRNDAJE

Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë pensionet edhe gjatë vitit që vjen. Në buxhet janë parashikuar vetëm fonde për indeksimin e tyre. Që do të thotë që pensionet nuk do të kenë shtesë, pra me paratë e pensionit blen mallra dhe shërbime të njëjta. Por, ka një tjetër rrugë për të rritur pensionin.

Rama gjatë nje takimi me pensioniste
Rama gjatë nje takimi me pensioniste

Ajo është vazhdimi i punës edhe pasi mbush moshën. Formula e ligjit të ri, jep jo pak, por një rritje prej 6 për qind të pensionit për çdo vit pune. Kush punon pasi mbush moshën, për çdo muaj shtesë merr me këtë ligj 0.5 për qind më shumë pension.

SKEMA

Që të dalësh në pension, duhet të përmbushësh dy kushte. Të kesh 35 vite punë të siguruar, pra të kesh 35 vite pagesë kontributesh, dhe të mbushësh moshën për pension. Për burrat mosha është 65 vjeç. Për gratë, me ndryshimin e këtij viti, është 60 vjeç e dy muaj. Në momentin që mbush moshën e punës, atëherë përcaktohet edhe pensioni. Por skema e re parashikon që kur një person vazhdon të punojë, pra një burrë nuk del nga puna në moshën 65 vjeç (ose një grua 60 vjeçe), për çdo muaj merr një shtesë prej 0.5 për qind të pensionit. Qeveria përfiton.

Ajo jep 0.5 për qind shtesë pensioni, por i merr një të punësuari 24 për qind të pagës si sigurim. Nga ana tjetër, edhe i punësuari përfiton, se vazhdon të marrë rrogën. E sigurt është se pas 1 viti pensioni i tij do të jetë 6 për qind më i lartë, sikundër edhe koha e përfitimit të pensionit do të jetë 1 vit më e shkurtër.

LLOGARITJET

Për ta bërë më të thjeshtë, po marrim tre shembuj. Sipas llogaritjeve të qeverisë, një person me pagë minimale, pra që ka marrë një pagë të ulët gjatë gjithë jetës së tij, i del sot pensioni 14,343 lekë në muaj. Për ta marrë pensionin, duhet të jetë 65 vjeç dhe me 35 vite punë. Kaq është pensioni ditën që ai mbush 65 vjeç.

Në rast se ai vazhdon të punojë edhe një vit, atëherë kur të mbushë moshën 66 vjeç, pensioni i tij do të jetë jo 14,343, por 6% më i lartë. Pasi për çdo muaj shtesë pas kësaj moshe ai merr 0.5 për qind rritje. Në moshën 66 vjeç, në rast se ai vazhdon punën, pensioni i tij do të jetë: 860,58 lekë më i lartë, ose 15,204 lekë në muaj.

Në rast se del 67 vjeç në pension, atëherë rritja dyfishohet në 12 për qind, ose 1721.16 lekë më shumë në muaj. Për ata që kanë pagë maksimale, edhe pensioni kur mbushin moshën është më i larti. Sipas përllogaritjeve të qeverisë, një person me pagë maksimale të 35 viteve të punës, merr një pension prej 29,546 lekësh në muaj kur mbush 65 vjeç nëse është burrë, ose 60 vjeçe e dy muaj nëse është grua.

Në rast se vazhdon të punojë deri në moshën 66 vjeç, atëherë pensioni i tij bëhet 6 për qind më i lartë. Pra kur del në pension me pagë maksimale në moshën 66 vjeç, pensioni nga 29,546 lekë në muaj, shtohet me 1772 lekë dhe bëhet 31319 lekë në muaj.

Gazeta po jep shembujt në tabelë për tri llojet e pensioneve dhe shtesën për çdo vit më shumë në punë. Duhet theksuar se sipas ligjit të vjetër, shtesa për ata që punonin pasi mbushnin moshën e pensionit ishte 0.3 për qind në muaj, ose 3.6 për qind në vit.

shembujt e pensioneve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura