Rritja e çmimit të ushqimeve, Kurti u kërkon durim qytetarëve: Do të kemi paketë masash! Ata që akuzojnë qeverinë duan të…

Oct 26, 2021 | 13:06
SHPËRNDAJE

albinkurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për rritjen e çmimeve të ushqimit në vendin fqinj për të cilën thotë se qeveria ka gati një paketë masash.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti thotë se kjo është një krizë që ka prekur botën dhe që vjen nga 4 faktor: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave.

“Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngrihet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët. Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyera nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve. Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pta bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”, ka shkruar ai.

Duke iu përgjigjur kritikave, Kurti thotë se ata që akuzojnë qeverinë e Kosovës për rritjen e çmimeve, kërkojnë të manipulojnë opinionin publik.

Kreu i qeverisë kosovare u kërkon qytetarëve durim dhe qetësi teksa thotë se po punojnë që ditëve në vijim të kenë një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre. Janë po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar! Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie’, ka shkruar ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura