Rritja e çmimeve, Rama: Fle më pak se çdo qytetar, e ndjej këtë shqetësim! Shitja energjisë? S’kemi ku ta ruajmë, ose do e derdhim ose do e….

Oct 8, 2021 | 10:36
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për krizën energjitike që pritet të përfshijë vendin.

Ai është shprehur në një prononcim për mediat se fle më pak pasi sipas tij, ai ndjen shqetësimet e qytetarëve shqiptarë për rritjen e çmimeve, si të energjisë elektrike, ashtu edhe të bukës.

“Nëse zgjidhja do të ishte hajde rrisim çmimin, atëherë nuk do të kishim bërë atë që do bënte çdo qytetar për vendin e tij. Jemi këtu për të mishëruar shqetësimet e çdo qytetari. Për shkak të detyrës, unë fle më pak se çdo qytetar pasi ndjej çdo shqetësim të tyre. Sot për sot është shumë e rëndësishme. Unë e kam të pamundur të mendojë se mund të vrapoj me vrapin që ka marrë çmimi i energjisë. Broçkullat që Shqipëria ka ujë, e prodhon energjinë dhe naftën vetë. Kjo situatë vjen nga që këtu bëhet e pabëra, duhen lënë më njëanë për të kuptuar veten se çfarë flasin. Shqipëria nuk e prodhon të gjithë energjinë që i duhet. Shqipëria e shet energjinë, pasi kur ka shi me tepricë dhe reshje, ose ta shesë ose ta derdhë.

Kur është mot i përgjithshëm reshjes, çmimi është më i ulët dhe e shet në një moment kur kërkesa nuk është e lartë. Një ekonomi e varur 100% nga zoti, ka të mirën e vetë pasi ka energji të gjelbër, por nuk ka burime energjie të planifikueshme dhe kur e shet e shet me lirë dhe e blen më shtrenjtë gjatë thatësirës pasi kërkesa është më e lartë.  Tregu nuk të pyet si e ke emrin kur shkon e blen, nuk të pyet nëse je Gjermania apo Shqipëria. Për ne është më sfiduese ose më e vështirë. Duhet t’i kuptojmë në mënyrë që të jemi të qartë për çfarë po flasim. Kjo është vetëm për tani, apo përgjithmonë. Sot ekspertët thonë se kriza do ketë një kulm që do të zgjasë të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm. Por thonë se çmimet nuk do të shkojnë aty ku ishin” – tha Rama.

***

“Shitja e energjisë? S’kemi ku ta ruajmë! Ose do e derdhim ose do e shesim!” – Rama: Përfundimi i Skavicës, do na mundësojë të grumbullimin e prurjeve! Do ndryshojmë strategji për…

Kryeministri Edi Rama thotë se ulja e TVSH-së së energjisë elektrike për konsumatorët nuk ka prova që do të sjellë benefite për konsumatorët.

Duke e vendosur theksin tek shitja e energjisë në treg, Rama shprehet se Shqipëria e shet lirë atëherë kur nevoja në treg është e ulët dhe prurjet në vendin tonë janë të mëdha.

Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria aktualisht nuk ka kapacitete për të mbajtur prurjet e mëdha, ndaj ose do i shesë më lirë, ose do i derdhi.

Rama shprehet se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, do e ndihmojë shtetin shqiptar që të rezervojë prurjet, çka do të sjellë një strategji të re të shitjes së energjisë në treg.

Pyetja: Në vitin 2013 ju shpreheshit se do të ulnit taksën për energjinë nga 20 në 6 % për familjarët. A jeni duke e parë si mundësi uljen e TVSH-së për konsumatorët familjarë?

“Ajo që ju nuk doni të kuptoni, ju që jeni midis nesh dhe publikut, sepse qytetarët janë një tjetër pozicion, janë në të drejtën e tyre. Energjia, shitet lirë, sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët, si rezultat i faktit se ne nuk e mbajmë dot përndryshe do përmbysnim dynjanë. Për çfarë arsye do ta ndërtonim Skavicën sot? Skavica është rezervuari që balancon dhe që na jep mundësinë, që prurjet që kemi në moment, të mos i derdhim por t’i mbajmë aty. Do bëjmë një lojë tjetër nga pikëpamja në treg, ta diktojmë ne kur të dalim në treg për të shitur. Ose do ta derdhim ose do ta shesim. Skavica që ka filluar tani, puna dhe që do të ndërtohet brenda këtij mandati, do na japë mundësinë që ne të ruajmë rezerva. Ujë mund të kesh, por po nuk pate ku ta rezervosh, çfarë do bësh, do rrish në dush gjithë ditën, apo do ta lesh të ikësh. Është e vërtetë ajo që kam thënë unë dhe është e vërtetë ajo që po them sot. Nuk ka prova që këto ulje sjellin benefit tek konsumatori. Jo, siç ndodhi me inputet bujqësore. Përfituan nga ulja ata që i shesin. Përsa i përket Francës, mos bëni ngatërresa. Franca ka centrale nukleare, nuk ka problem nga kjo krizë pasi e ka me sustë, hap centralin dhe rrit prodhimin. Gjermania problemin e ka se ka mbyllur centralet nukleare. Të gjitah këto kanë ldhje me ne sepse ne jemi pjesë e së tërës. Kur dalim të blejmë, tregu nuk pyet nëse je Edi Rama apo Muhamet Veliu” – tha Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama tha se çmimi i naftës dhe benzinës sot është me i lirë se 8 vite më parë. Teksa komenton taksën për karbonin, Rama tha se është një domosdoshmëri, pasi ata që ndosin ambientin më shumë, duhet të kontribuojnë më shumë.

“Krahasimi im është shumë i thjeshtë. Sot ankesa është që është rritur çmimi i naftës. Si nuk mban më çmimi i naftës kur në vitin 2013. Unë them çmimi në benzinat, nuk e vendos shteti. Nuk e vendos shteti por tregu. E kemi zgjedhur këtë sistem kur ju nuk kishit lindur ose ishit në proces lindje. Këtu pyetja është, meqë ankesa vjen si rezultat i një rritje të paparë. Ka qenë më e lartë nafta më parë se sa është sot. Është e pabesueshme. Po të flas për çmimet e naftës. Bëni verifikimin. Nafta dhe benzina ka qenë më shtrenjtë. Megjithse brenda çmimit të naftës kemi dy komponentë plus, taksa e qarkullimit dhe një taksë karboni, çmimi i naftës është më i ulët se çfarë ishte. Taksa e karbonit është aty dhe do rri aty. Ata pensionistët që ju qani hallin, nuk janë ndotës të mjedisit. Nuk ndosin për të tjerët. Kur flasim për fëmijët dhe pensionistët, nga vjen kjo mbështetje, nga shiu? Mbështetjet e tjera vjen nga kontributet. Kush ndot më shumë, kontribuon më shumë. Nuk kemi të bëjmë me një çmim të paparë, por me një çmim më të ulët se çfarë ishte. Këtu flasim për një sektor totalisht privat.

Dikush thotë se Shqipëria prodhon shumë naftë. Shqipëria nuk prodhon mjaftueshmërisht naftë, nafta që prodhojmë është shumë e rëndë, ndaj shitet jashtë, pasi prodhuesit janë privat. Shitet kryesisht për nënprodukte industriale, bitum kryesisht. Ndërkohë Shqipëria importon 600 mijë ton. Qeveria ka detyrimin që të bëhet digë mes tyre që nuk e përballojnë dot këtë fortunë. Nuk është qeveria që të lehtësojë streset për ata që nuk preken nga këto kriza, nga ato që kanë nga dy makina. Këto diskutimet që si ta bëjmë Shqipërinë ku çmimet janë përtokë dhe rrogat përpjetë, është një realitet imagjinar. Do vijojmë në këtë rrugë. Po t’i kishim bërë këto gjëra që në 91’, sot do diskutonim gjëra të tjera. Sektori energjitik ishte në humnerë” – shprehet kryeministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura