RRITJA E ÇMIMEVE/ Inflacioni i dhjetorit 3,7%, niveli më i lartë në 11 vjet

Jan 12, 2022 | 13:04
SHPËRNDAJE

GRAFIKURritja e Përgjithshme e Çmimeve në muajin dhjetor 2021 shënoi nivelin më të lartë që nga qershori 2011.

Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2021, arriti 103,7 kundrejt muajit dhjetor 2020, duke çuar inflacionin e dhjetorit në nivelin më të lartë në 11 vitet e fundit.

Rritja u udhëhoq nga rritja e çmimeve në shërbimet e transportit dhe argëtimit për shkak të bazës krahasuese të ulët në dhjetorin e vitit 2020, por përbërësi kryesor i inflacionit në vend mbeten çmimet e ushqimeve, të cilat kontribuuan me 60 për qind të inflacionit të dhjetorit 2021.

Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2021 është 2,0% nga 1,6% që ishte në vitin 2020.

Krahasuar me muajin dhjetor 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 9,0%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 4,2%, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,3% secili.

Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” u rrit me 2,1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,9%, “Veshje dhe këpucë” me 1,7%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2%, Shëndeti” me 0,9%, “Shërbimi arsimor” me 0,5%. Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,3%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 11,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,3%, “vajra dhe yndyrna” me 9,4%, “bukë dhe drithëra” me 6,3%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 5,6%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,8%, “mish” me 3,3%, etj.

Krahasuar me muajin nëntor 2021, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,9%, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Transporti” me 0,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2% secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,22 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,48 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,38 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,10 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje./Monitor

© Panorama.al

Te lidhura