Rritja e çmimeve, FMN thirrje qeverisë: Të mbështeten shtresat në nevojë

Sep 22, 2022 | 8:49
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveria që të rrisë mbështetjen ndaj shtresave në nevojë për përballimin e krizës. Në përfundim të vizitës disa ditore në vendin tonë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Bo Li, vë theksin në sfidat me të cilat përballet vendi si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve për produktet ushqimore dhe energjisë. Mbështetja për familjet në nevojë sipas duhet të bëhet përmes politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme.

zv drejtori

“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme”, ka pohuar zëvendësdrejtori i FMN-së.

Në deklaratën përmbyllëse, FMN-ja ka vlerësuar masat e ndërmarra deri më tani në përgjigje të situatës së krijuar.

“FMN ka një marrëdhënie afatgjatë dhe produktive me Shqipërinë. E vlerësoj këtë mundësi që pata për të forcuar marrëdhëniet tona dhe kam theksuar mbështetjen tonë të vendosur për Shqipërinë. Largohem me ndjenjën e një miqësie dhe partneriteti të forcuar pas takimeve me autoritetet, që më lanë përshtypje me nivelin e tyre të lartë të angazhimit. Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj këtyre goditjeve me politika duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga politikat më parë”. Pjesë e diskutimeve, në takimet e zhvilluara me Ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ishin edhe politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar progresin e vendit dhe konvergjencën e të ardhurave me Bashkimin Evropian. “Ne diskutuam gjithashtu politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe i kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një strategjie të shëndoshë afatmesme të të ardhurave”, bën të ditur zëvendëspresidenti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura