Rritet zbulueshmëria e diabetit dhe kancerit. Ekspertët kërkojnë më shumë kontrolle

May 26, 2023 | 19:41
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri, sipas zyrtarëve të shëndetit publik, zbulohen çdo vit mbi 7 mijë pacientë të rinj me diabet dhe mbi 6 mijë e 500 raste të reja me kancer.

Capture

Ekspertët pohojnë që ndërsa diabeti po zbulohet tani më shumë prej kontrolleve periodike bazë, nga ana tjetër kontrollet për kancer janë të pakta dhe të pamjaftueshme.

Përballja me sëmundjet kronike po bëhet një sfidë e vërtetë për sistemin shëndetësor të Shqipërisë, ndërkohë që sëmundjet infective janë në rënie.

Instituti i Shëndetit Publik po punon paralelisht me vaksinime dhe ndërgjegjësim të popullatës, ndërsa po zbaton mes të tjerash programe kundër kancerit të qafës së mitrës, kundër duhanpirjes.

Përfaqësuesja e ISHP-së, Blerta Brati, thotë se është rritur zbulueshmëria e diabetit dhe e kancereve, sëmundje kronike që janë vështirë të zbulohen dhe të parandalohen. Ajo i bëri këto komente në konferencën rajonale të Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik.

“Nga monitorimet e Institutit të Shëndetit Publik ne prekim çdo vit, ose diagnostikojmë 7 mijë raste të reja me diabet dhe 6 mijë e 500 raste të reja me kancer. Për sa u përket kushteve, ekonomisë dhe çdo gjë tjetër, sëmundje infective kanë shënuar një rënie, qofshin këto gastro-enterite, qofshin këto toksiko-infeksione, por nga ana tjetër jemi në një parballje me sëmundjet kronike, të cilat janë vështirë për zbulim dhe parandalim”, tha zonja Brati.

Zbulimi i rritur i diabetit ka ardhur prej kontrolleve periodike bazë, të mbiquajtura check up, ndësa kontrollet për kancer janë më të pakta, pohojnë ekspertët.

Ata propozuan që në kontrollet bazë të përfshihen edhe sëmundje të tjera, si për shembull kanceri i prostatës.

Kanceret sipas tyre, janë aktualisht një tendencë globale, ndërsa në Shqipëri ndikojnë edhe faktorë të mjedisit vendor, mënyrat e ushqyerjes dhe të jetesës, ndaj depistimet për zbulimin e kancereve janë ende në nivele të ulëta në raport me nevojat, ndonëse kostot janë të larta dhe kërkohen financime.

Drejtuesi i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik, doktori dhe pedagogu Adrian Hoxha, thotë se shifrat vjetore për diabetin dhe kancerin janë trishtuese. Rastet e reja me diabet shpesh zbulohen nga kontrollet, ndërsa ato për kancerin janë të pamjaftueshme.

“Shpesh herë depistimet që bëhen me fushata krijojnë hapësira boshe, të cilat bëjnë të pamundur studimin e detajuartë gjendjes reale. Është fakt që depistimet për kancerat përgjithësisht janë në nivele të ulëta. Por rritja e dukurive të të tjera si obeziteti në vendin tonë, në mënyrë të pashmangshme çon në rritjen e rasteve të reja me diabet”, thotë zoti Hoxha.

Përdorimi i drogave ka hyrë po ashtu në listën kryesore të rreziqeve në shëndetin publik, ku numri i përdoruesve është disa dhjetëra mijëra dhe statistikat janë gjithmonë të mangëta.

Ekspertë të njohur të shëndetit publik, të universitetit të mjekësisë sollën studime nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku ndeshen probleme të ngjashme me duhan pirjen, alkoolin dhe lëndët narkotike. Në shumicën e rasteve rreziqet vijnë nga sjelljet e dobëta në stilin e jetesës së pacientëve, mungesa e vullnetit të tyre për të përballuar trajtimin mjekësor. Ekspertët propozuan që jo ilaçet, por ndryshimi i stilit të jetesës është mjeti kryesor për shërim dhe që strukturat e shëndetit publik duhet të shkojnë tek pacientët përdorues të duhanit, lëndë narkotike, alkool dhe jo të presin, që pacienti të vijë tek shëndetësia. /VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura