Rritet numri i turistëve, hynë mbi 1 milion të huaj. Ja raporti me shifrat

Aug 24, 2018 | 7:54
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Në muajin korrik, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 1 milion shtetas të huaj, por vetëm 600 mijë prej tyre kanë qenë turistë. Pjesa tjetër e të huajve kanë vizituar vendin tonë për çështje personale apo kanë qenë vizitorë njëditorë, për çështje biznesi dhe trajtim mjekësor. Në korrik 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 1,028,182.

rinas

Krahasuar me korrikun e vitit 2017, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 19 për qind, ndërsa i shtetasve të huaj, që kanë qenë në Shqipëri për pushime u rrit 26,6 për qind. Shifrat për hyrjet e shtetasve të huaj dhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit për muajin korrik dhe 7-mujorin e 2018-s u publikuan dje nga Instituti i Statistikave.

Referuar shifrave të INSTAT-it në shtatë muaj në vendin tonë kanë hyrë 2,947,686 shtetas të huaj, duke u rritur me 12,4 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Në muajin korrik, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 38,8 për qind, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Anglia, me 20,9 për qind.

Më pas, hyrjet më të larta të shtetasve të huaj kanë qenë nga Greqia. Vetëm në muajin korrik kanë hyrë në Shqipëri 54,594 shtetas grekë, apo 19,4 për qind më shumë se korriku 2017. Rritje ka pasur edhe hyrja e shtetasve italianë, me 19 për qind më shumë se korriku 2017. Po ashtu, rritje ka pasur edhe të shtetasve nga Kosova. Sipas statistikave të INSTAT-it, në vend në muajin korrik hynë 345,368 shtetas nga Kosova, me rritje 16,3 për qind.

Ndërsa për shtatëmujorin e 2018-s, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 33 për qind. Por ndryshe ka ndodhur me shtetasit shqiptarë. Daljet e tyre jashtë vendit në korrik të 2018-s, ranë në krahasim me vitin e kaluar. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2018 është 465.626.

Krahasuar me korrik 2017, ky numër është ulur 6,2 për qind. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit korrik 2018 janë 1.435.804, duke shënuar një rritje me 5,4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2018 është 970.178.

Krahasuar me korrik 2017, ky numër është rritur 12 për qind. Si shtatëmujor, daljet e shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar rritje. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në shtatëmujorin e 2018-s është 2.861.943, duke u rritur me 3,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura