Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, 40 raste të reja sot

May 21, 2020 | 16:20
SHPËRNDAJE

Maqedonia e Veriut ka regjistruar 40 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, shifër kjo më e larta që nga 16 prilli kur ishin regjistruar 107 të infektuar.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup dhe në Tetovë, që po konsiderohen si zona me rrezik të lartë.

505B6169-99EF-4C13-A16A-EAB12CD79AC3_cx0_cy10_cw0_w1023_r1_s

Të dhënat kanë të bëjnë me 549 testet e kryera në të gjithë vendin.

Është regjistruar edhe një viktimë duke e çuar në 111 numrin e përgjithshëm të vitkimave. Gjatë 24 orëve të fundit 11 persona janë shëruar.

Që nga paraqitja e rastit të parë, me koravirus janë diagnostikuar 1,898 dhe prej tyre 1378 janë shëruar ndërsa 409 ende janë aktiv.

Ministria e Shëndetësisë ka përsëritur apelin për respektimin e masave për mbrojtje nga përhapja e virusit.

Qeveria ndërkohë pritet të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për zbatimin e orës policore për festën e Bajramit.

Por, ky propozim është kundërshtuar nga Bashkësia Fetare Islame e cila ka thënë se jo vetëm që nuk mban përgjegjësi për hapjen e xhamive për faljen e Bajramit, por edhe ka dalë me masat se si duhet të realizohen ritualet fetare.

“Vendosja e orës policore do të zemëronte pa masë besimtarët myslimanë, nga shkaku se gati një muaj në vikende nuk ka pasur orë policore, gjë që me automatizëm nënkuptohet se kjo bëhet me qëllim që të ndalohet falja e namazit të Fitër Bajramit, i cili falet njëherë në vit, namaz ky që zgjat vetëm 15 minuta”, thuhet në letrën e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi, drejtuar Qeverisë, Shtabit të Krizës dhe Komisionit për Sëmundje Ngjitëse./ REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura