Rritet numri i personave të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, vetëm në 24 orët e fundit …

Mar 27, 2020 | 18:12
SHPËRNDAJE

Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 18 raste të reja me koronavirus në vend. Në Shkup pozitiv rezultuan 11 persona, në Prilep 4, në Kumanovë 2 dhe Tetovë 1. Numri i të prekurve në vend arrin në 219.

maqedoni

Shkup 134, Dibër 43, Kumanovë 17, Shtip 8, Prilep 6, Ohër 3, Veles 3, Kavadar 2, Tetovë 2, Gostivar 1.

Nga këta të infektuar vetëm 41 janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup, 7 prej të cilëve me gjendje më të rënduar por pa nevojë për aparat respirator. Pacientët tjerë sipas ministrit Filipçe janë në mjekim të kushteve shtëpiake.

“Deri në këto momente është mirë që kemi rritje lineare të rasteve, përafërsisht numër i njëjtë çdo ditë dhe jo rritje rapide. Por, ne jemi të gatshëm të trajtojmë pacientë edhe në raste të tilla”- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Deri më sot, 17 manelbardhë në vend u diagnostikuan pozitiv deri sa ishin në linjën e parë të frontit. Ministri Filipçe tha se sistemi mjekësor aktualisht nuk ka nevojë për mjek shtesë nga jashtë vendit.  Ai theksoi se gjatë një muaji prej rastit të parë të konfirmuar janë bërë 1800 teste të virusit korona.

“Megjithatë çmimi është më i lartë prej rreth 5 mijë denarë. Ky nuk është çmim që janë blerë testet, por kosto që Fondi Shëndetësor i paguan shërbimet e Institutit të Shëndetit Publik. Këtu nuk është vetëm testi si pajisje por llogaritet edhe puna e stafit mjekësorë kështu funksionon i gjithë sistemi”- pohoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Pozitiv me koronavirus sot rezultoi edhe një i punësuar në Klinikën e Kardiologjisë. Bëhet fjalë për teknik, i cili punonte në repartin e rëntgenit edhe pse është dashur të vetë-izolohet. Sipas Ministrit Filipçe i gjithë personeli mjekësor i Klinikës së Kardiologjisë do t’i nënshtrohet testimeve , ndërsa është dezinfektuar plotësisht salla ku ka punuar tekniku.

“Ky rast është në pjesën e sallës ku nuk ka pacientë të hospitalizuar, por që vijnë vetëm për intervenime në zemër. Në këtë drejtim pacientët në kontakt direkt me mjekët janë plotësisht të mbrojtur. Por, nëse ka në repartet tjera, këtë dua të them qartë, që dikush ka pasur edhe më herët simptome, në këto raste do të pasojnë sanksionet”- tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq, janë siguruar 55 aparate për frymëmarrje artificiale prej të cilëve 25 nga Zyrës për shërbime të projekteve të KB-së. Një ditë më parë Filipçe tha se gjatë javës që vjen si donacion pritet të arrijnë edhe 500 mijë maska dhe 20 mijë teste për Covid-19. Sot iu dorëzuan rreth 3 mijë maska mbrojtëse mjekëve amë. Edhe 3 mijë tjera pritet të vijnë donacion për këta mjek familjarë, të cilët janë ndër të parët me detektimin e simptomave të pacientëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura