Rritet me dy muaj mosha për të përfituar pension

Jan 6, 2016 | 14:43
SHPËRNDAJE

Nga 1 janari i këtij viti ka hyrë në fuqi pjesa e dytë e reformës së pensioneve. Rritja e moshës dhe e viteve të punës për të përfituar pensionin.

Sipas ligjit të vjetër, çdo femre për të dalë në pensionin i mjaftonin 35 vite punë dhe mosha 60 vjeçe. Por skema e re, e miratuar nga maxhoranca si zgjidhje e problemeve me sigurimet shoqërore, e ka rritur moshën e punës në mënyrë progresive.

Pensionet

ÇFARË NDRYSHON

Në 1 janar 2015, ditën e parë që skema e re e pensioneve hyri në fuqi, të gjitha femrat duhet të kishin edhe dy muaj shtesë në moshë për të përfituar pension. Nuk mjaftonte të ishin 60 vjeçe, por duhet të ishin 60 vjeç e 2 muaj. Kjo deri në datë 31 dhjetor 2015. Nga 1 janari 2016, mosha e daljes në pension për femrat bëhet 60 vjeç e 4 muaj. Pra shtohet me 2 muaj të tjerë. Për ta bërë më të thjeshtë.

Në rast se një femër mbush 60 vjeç në datën 10 janar 2016, asaj nuk i lind e drejta për pension të plotë pleqërie. Reforma e rrit edhe me 4 muaj moshën. E drejta e saj për pension pleqërie i lind pas 4 muajsh, ose më 10 prill 2016. E njëjta gjë për të gjithë femrat që mbushin moshën e pensionit këtë vit. Vjet, reforma preku të gjithë femrat që ishin 60 vjeç, të cilat dolën në pension 2 muaj më vonë. Këtë vit, shtesa bëhet katër muaj. Ndërsa për burrat, mosha e daljes në pension nuk ndryshon, ajo është 65 vjeç.

Ajo që ndryshon për të dy kategoritë është koha e punës. Pra, për të dalë në pension duhen të plotësosh moshën, por edhe vitet e siguruara në punë. Kjo për të marrë pension të plotë pleqërie. Nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2015, koha e punës u rrit me 4 muaj. Pra, nuk duheshin 35 vite punë, por 35 vite e 4 muaj. Këtë vit shtohet edhe me 4 muaj të tjetër, pra bëhet 35 vite e 8 muaj. Për të marrë pension të plotë pleqërie duhen 35 vite e 8 muaj punë dhe mosha 60 vjeç e 4 muaj për femrat dhe 65 vjeç për meshkujt.

SKEMA PROGRESIVE

Kur u miratua skema e re e pensioneve, e gjithë përpjekja e qeverisë ishte ulja e kostove, e përfituesve të pensioneve. Çdo muaj shtesë në moshë, do të thotë aq muaj më pak pensione të paguara nga qeveria, por edhe aq muaj shtesë në të ardhura si kontribute. Skema e re parashikon që mosha e pensionit të rritet çdo vit me nga dy muaj për gratë, deri në vitin 2032. Në atë vit, një femër do të duhet të jetë 63 vjeç për të marrë pension, ndërsa pas këtij viti, fillon shtesa e moshës edhe për burrat në mënyrë që në vitin 2056, të dalin në pension 67 vjeç. E njëjta gjë edhe për vitet e punës. Shtesa do të bëhet me nga 4 muaj, deri në momentin që për të përfituar pension të plotë pleqërie, do të duhen 40 vite punë.

DORINA AZO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura