Rritet bilanci i viktimave nga zjarri në spitalin Covid/ Autoritetet në Maqedoninë e Veriut konfirmojnë 14 humbje jete

Sep 9, 2021 | 9:31
SHPËRNDAJE

Bilanci i viktimave si pasojë e zjarrit  në spitalin Covid në Tetovë është rritur në 14. Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut, e cila thotë se për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar 5 prokurorë.

Ndërkohë sipas njoftimit të Prokurorisë nuk raportohet që mes viktimave të ketë staf mjekësor.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë”.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.

“Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura