Veliaj pezullon për një vit lejet e ndërtimit në Tiranë, rrëzohet plani urbanistik i Bashës

Aug 2, 2015 | 7:52
SHPËRNDAJE

Brenda një viti kryeqyteti do të ketë një tjetër plan të ri zhvillimi. Gjatë kësaj kohe nuk do të jepet asnjë leje, ndërsa do të kalojnë në sitën e një auditi lejet e dhëna nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha.

Këto janë parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë nga Bashkia e Tiranës me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Kryetari i ri i Bashkisë, Erion Veliaj, sqaron se bëhet fjalë për një projekt të mirëfilltë, që do t’i japë hov të ri zhvillimi 24 njësive të reja administrative të kryeqytetit.

Ndërkohë që, sipas tij, nevojitej një koncept modern me qëllim që Tirana e pas 20 viteve të mos jetë kryeqytet i qokave të një mandati apo një procesi të caktuar politik.  

Veliaj dhe Gjermeni duke nenshkruar marreveshjen
Veliaj dhe Gjermeni duke nenshkruar marreveshjen
MARRËVESHJA
Kryebashkiaku i ri ka hedhur firmën e parë për hartimin e planit të ri zhvillimor të Tiranës në një marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Marrëveshja e re e Veliajt ka rrëzuar planin e paraardhësit Basha, duke bërë që të pezullohen të gjitha lejet e ndërtimit deri në hartimin e planit të ri, që, sipas tij, do të jetë gati brenda vitit të parë të mandatit.

“Plani ekzistues vendor nga dita e sotme nuk është më në fuqi, pavarësisht rezervave personale apo publike që i kemi shpallur edhe më parë për planin klientelist që trashëgoi Bashkia e Tiranës. Duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit, pezullohen lejet e ndërtimit derisa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit”.

Por jo vetëm kaq. Teksa ekspertët e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe ata të huaj të hartojnë planin e ri, Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake do të verifikojnë të gjitha lejet e dhëna deri më tani, ndërtimet pa leje apo shkeljeve në urbanistikë, e në rast se do të vërehen shkelje, të trajtohen në rrugë ligjore.

“Të sigurohemi që këto parregullsi dhe sjellja e shkeljes konstante të çdo parimi urbanistik dhe bashkëjetesës në komunitet të mos jenë një modë që vazhdon në Bashkinë e re të Tiranës, për të vendosur një standard të ti”, theksoi Veliaj.

Nga ana tjetër, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, theksoi se ka ardhur koha për t’u dhënë fund zhvillimeve kaotike në territor.

“Tashmë njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore e resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare, do të hartojnë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive”, theksoi ministrja Gjermeni. Sipas saj, plani i ri do të jetë gati me një procedurë të përshpejtuar ku do të asistojnë dhe ekspertë të huaj.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura