Rreziqet dhe problemet me sondazhet për 25 prillin

Mar 27, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

EDMOND ÇATA*

1-BESUESHMËRIA E SONDAZHEVE PËR ZGJEDHJET NË SHQIPËRI. Ka një muaj që votuesit po bombardohen me sondazhe që pretendojnë se po parashikojnë sot rezultatin e 25 Prillit. Vetë mua më kanë “sonduar” 2-3 herë në telefon. Sondazhet, me marzhe të ndryshme gabimi, raportojnë jo vetëm që deri 30% e njerzve të pyetur refuzojnë të përgjigjen ose janë të pavendosur, por edhe rezultate të ndryshme! Disa nxjerrin Ramën fitues, disa të tjerë opozitën.

C’po ndodh? Cili është misioni i këtyre sondazheve? Çfarë kanë si objektiv? Ti shërbejnë të vërtetës? Votuesit shqiptar? Reputacionit të kompanive që i bëjnë? Apo ti shërbejnë interesave të klientëve të tyre politikë? Cili është motori prapa shifrave që raportojnë? Të “gjejnë” sot, rezultatin e vërtetë të 25 Prillit? Apo në të vërtetë, po përpiqen të “gatuajnë” që sot rezultatin e 25 Prillit? Çfarë duan tu thonë votuesve shqiptarë? Gjëndjen e vërtetë? Apo duan të krijojnë një psikozë zgjedhore të veçantë tek votuesit shqiptarë?

Ku ca të nxiten të votojnë sa më shumë e ca të tjerë të dekurajohen dhe mos votojnë fare?

Shumica e votuesve mbase nuk i beson sondazheve. Dhe mbase votuesit as nuk do ti mbajnë parasysh kur të votojnë realisht. Sepse deri më sot, sondazhet e bëra për zgjedhjet në Shqipëri, kanë treguar se jo vetëm që nuk kanë parashikuar saktë rezultatet e zgjedhjeve, por edhe shpesh kanë qënë përdorur si instrument nga partia e radhës në pushtet.

Sot Rama e di që nuk i ka më “1 milion shuplakat”; do të rrijë me çdo kusht kryeministër; dhe e ka ngritur në art trushpëlarjen, manipulimin e fakteve, dhe të gënjyerit sy-në-sy! Në këto kushte pra, shqetësimi për sondazhet për 25 Prilli, nëse ato po favorizojnë, me apo pa dashje axhendën tru-shpëlarëse të Ramës, nuk është as i tepërt, as i pajustifikuar! Dyshimet për një rol favorizues të sondazheve, dhe instrumentalizimin e tyre, gjenden jo vetëm në rreziqet që bartin këto sondazhe për zgjedhjet e 25 Prillit, por edhe për vetë problemet që ato shfaqin me pyetjet, përgjigjet, dhe analizën e tyre.

2-RREZIQET E SONDAZHEVE PËR ZGJEDHJET. Zgjedhjet e 25 Prillit nuk janë punë programesh. Janë një referendum pro apo kundër arrogancës së Ramës. Ndaj në kushtet kur sondazhet për zgjedhjet shqiptare nuk tregojnë një historik besueshmërie, ato paraqesin katër rreziqe. “Profecia vet-realizuese”, është rreziku që sondazhet, më shumë se “parashikim sot” të rezultatit të 25 Prillit, synojnë në fakt ti mbushin mëndjen votuesit se “rezultati sot”, do të ndodhë me siguri me 25 Prill! Ky rrezik çon në dekurajimin e votuesit anti-Rama për të votuar, meqë Rama “e ka të sigurtë fitoren”!

Rreziku i dytë, “konformizmi imponues”, është pranimi i sondazheve si të “vërtetë” pa vënë asnjëherë në dyshim nëse rezultatet e tyre janë korrekt apo problematik metodologjikisht. Ky rrezik vërtet nis nga padija dhe mungesa e pregatitjes metodologjike-shkencore e panelistëve për të analizuar sondazhet. Por tamam-tamam, ky rrezik vjen më shumë nga synimi i disa panelistëve që ti bindin votuesit se rezultatet e sondazheve janë “të vërteta”. Rreziku i tretë, “manipulimi i psikikës së votuesit”, fillon me pranim e sondazheve si të “vërteta”, dhe vazhdon me bombardimin e votuesve me interpretime politikisht klienteliste të rezultateve.

Ky rrezik krijon tek votuesi idenë se ndryshimi nuk ka për të ndodhur në 25 Prill. Rreziku i katërt, “justifikimi i rezultatit” është përdorimi i sondazheve para zgjedhore si alibi për të justifikuar pas zgjedhjeve vjedhjen e votave apo “doktorimin” e rezultateve. Rreziku qëndron që sondazhet e sotme mund të përdoren më 26 Prill nga hajdutët e votave dhe të zgjedhjeve për të fshehur vjedhjen dhe manipulimin e votave duke u justifikuar “epo… rezultati që morëm, a nuk ishte parashikuar edhe nga sondazhet?”!

3- FORMULIM PROBLEMATIK I PYETJEVE. Një nga arsyet që të bën të vësh në dyshim vlerën e rezultateve të raportuara nga sondazhet është formulimi problematik i pyetjeve. Kur përdoret si “instrument matës”, pyetja duhet të kuptohet njësoj nga të gjithë. Pra, nëse ajo synon të mbledhë informacion për “mollë”, njerzit ta kuptojnë që po pyeten për “mollë”, jo për “portokalle”.

Nëse personi pyetet për “mollë”, por atij i duket sikur po pyetet për “portokalle”, atëhere informacioni i mbledhur është problematik. Sepse pyetja ka probleme me “validitetin”. Dmth, pyetja nuk mat atë që hartuesi synon të masë. Ky problem zakonisht mënjanohet me “kolaudimin” e pyetjes. Dmth, testimin e saj para përdorimit nëse ajo kuptohet njësoj apo ndryshe nga të gjithë ata që pyeten.

Ky rregull bëhet akoma më i rëndësishëm në rastin e sondazheve që tentojnë të parashikojnë rezultatin real të zgjedhjeve. Por në shumë nga sondazhet për 25 Prillin, keqformulimi I pyetjeve është një ndër gjërat që bie në sy. Një shëmbull ilustrues i këtij problemi është pyetja për “liderin e fortë” apo “të aftë” në sondazhin e IPSOS tek Top Channel. Problemet janë dy: 1) IPSOS nuk e shpreh nëse me “i fortë” nënkupton një tipar pozitiv apo negativ; dhe 2) vetë njerzit kanë dhënë përgjigje dikush duke patur në mëndje një tipar pozitiv, e dikush tjetër një tipar negativ. Ky problem u duk edhe në debatin Bolino-Abilekaj. Bolino i bënte termit “i fortë” edhe shifrave rezultuese një intepretim pozitiv. Ndërsa Abilekaj, me të drejtë, i bënte një interpretim negativ. I njëjti diskutim vlen edhe për opsionin “i aftë” dhe rezultatet e shpallura.

Po të kisha qënë në studio, si profesionist i fushës, para se të “mahnitesha” nga rezultatet, para se ti merrja për të mirëqëna përqindjet, do të pyesja: Ç’ka synuar IPSOS të kuptojnë njerzit me “i fortë”, apo “i aftë”? A i ka kolauduar IPSOS këto terma para përdorimit? Nuk di nëse IPSOS ka bërë apo jo “kolaudim”. Nëse jo, ky është një problem jo i vogël. Sidomos kur shifrat e raportuara mund të ndikojnë psikikën e votuesit. Ndaj, analizuar thjesht në këndvështrimin metodologjik, përgjigjet e dhëna dhe përqindjet e raportuara janë problematike! Vetë “konkluzioni” i Bolinos se “Rama është superior ndaj Bashës” është problematik, në mos klientelist!

4-PROBLEMI ME OPSIONET E PËRGJIGJEVE. Një arsye tjetër që të bën ti shohësh rezultatet e sondazheve si jo thjesht problematike, por edhe të orientuara drejt krijimit të një psikike tek votuesit është rezultatet që raportohen bazuar në spektrin e përgjigjeve që iu viheet përpara njerzve që pyeten. Në një pyetësor, çdo pyetje përfaqëson një fenomen (psh, “shpërndarja e votës”) ndërsa opsionet tek përgjigjet përfaqësojnë “variancën” e fenomenit (psh opsionet PS, PD, LSI, tjetër, nuk e di). Gjithmonë pyetja synon të shpjegojë sa më mirë fenomenin. Por, sa mirë e shpjegon ajo fenomenin, kjo varet nga fakti sa e plotë apo e cungët është shkalla matëse e variances së fenomenit, pra sa i plotë është spektri i përgjigjeve të mundshme. Pavarësisht nëse përgjigjet kërkohen të shprehet me shifra, kategori, apo përgjigje të “hapura”. Andaj, në sondazhet që tentojnë të masin shpërndarjen e votës mes partive, se sa mirë shpjegohet fenomeni “shpërndarja e votës”, kjo varet nga fakti nëse kategoritë e përgjigjeve përfshijnë ose jo të gjitha partitë që votohen.

Por shumë nga sondazhet për 25 Prillin shfaqin dy probleme: 2) matje e cungët e variancës së fenomenit, dhe 2) personi ka opsione të kufizuara përgjigjesh. Një shëmbull illustrues është pyetja që tenton të shpjegojë ndarjen e votës midis partive politike tek sondazhet e MBR në EuroNeës-Albania. Në tre sondazhet e para, njerzve u është kërkuar të shprehen vetëm për PS, PD, LSI, dhe në një sondazh, edhe për PDIU. Ofrimi nga MBR vetëm të këtyre opsioneve si përgjigje, është jo korrekt dhe problematik për tre arsye. Së pari, sepse PS, PD, LSI, pavarësisht se janë partitë që ndajnë pjesën më të madhe të votave, janë vetëm 3 parti krahas 5-6 partive të tjera. Së dyti, sepse PS, PD, LSI, pavarësisht se janë konkurrentët kryesore në zgjedhjet e 25 Prillit, nuk janë të vetmet por ka edhe partitë të tjera të vjetra apo të sapokrijuara. Tashme dihet që janë 13 parti që do kërkojnë votat. Dhe së treti, duke pyetur vetëm për PS, PD, LSI, sondazhi ka bërë diskriminim ndaj atyre personave që kanë votuar, ose kanë ndërmënd të votojnë në 25 Prill, për një parti që nuk egziston fare në opsionet e përgjigjeve të ofruara nga sondazhi.

Si profesionist, pyetja e parë që do të bëja në studion e Ilva Tares do të kish qënë: Pse sondazhi MBR ka limituar përgjigjet vetëm në 4-5 opsione? Nuk është se ky problem nuk u ngrit nga panelistët – Ylli Manjani e vuri në dukje këtë problem. Por unë, përtej thjesht “evidentimit” të problemit do ti quaja përgjigjet dhe përqindjet e raportuara problematike! Sidomos përballë pretendimeve të sondazhit për matje të “prirjes” të votës dhe “parashikim sot” se si do të ndahet vota në 25 Prill! Shpallja si “të vërteta” e rezultateve të shpërndarjes apo tendencës së votës, kur në fakt ato janë jo korrekte dhe problematike, metodologjikisht është e kritikueshme, ndërsa politikisht mund të quhet e qëllimshme apo klienteliste!

5-MOSPËRPUTHJA REZULTATE-PËRGJIGJE. Sa të besueshme janë rezultatet e një sondazhi kjo bie në sy edhe në harmoninë dhe logjikën e rezultateve nga pyetja në pyetje. Pyetjet në një pyetesor synojnë dy gjëra: Të shpjegojnë sa më mirë fenomenin; dhe, informacioni për fenomenin të jetë sa më i “sinqertë/vërtetë”. Pyetësori mund ta shpjegojë një fenomen (psh “performanca e qeverisë”), në tre mënyra: “të përgjithshme” (psh: “si ka performuar qeveria?”); në “aspekte” të veçanta (psh: si ka performuar qeveria në arsim?); dhe si “produkt” i shumë aspekteve (psh duke kombinuar rezultatet në çdo aspekt në një shifër të vetme). Nga përgjigjet mund të shihet nëse performanca është homogjene apo varion nga fusha në fushë, dhe se sa “përputhen” ose “konfirmojnë” njëra tjetrën performanca “e përgjithshme” dhe ajo “produkt aspektesh”. Ndërsa teknikat e formulimit të pyetjeve mund të ndihmojnë në “verifikimin” sa të “vërteta” mund të jenë përgjigjet e dhëna. Kjo arrihet duke i bërë personit të “njëjtën” pyetje disa herë brënda sondazhit, por në formulime të ndryshme. Personi përgjigjet pa e kuptuar dot që pyetja i është bërë edhe një herë më pare, dhe informacioni që i kërkohet, në fakt, tenton të konfirmojë “vërtetësinë” e informacionin që ai ka dhënë në përgjigjet e mëparshme; nëse përgjigja e mëparshme ka qënë apo jo e sinqertë, shpreh apo jo atë që mendon tamam personi!

Një nga gjërat që të bën të vësh në pikëpyetje kredibilitetin e rezultateve dhe konkluzioneve të sondazheve për 25 Prillin është pikërisht mospërputhja e rezultateteve nga pyetja në pyetje. Shëmbull ilustrues i problemit me përputhshmërinë dhe vërtetësinë e përgjigjeve janë Sondazhi 2 i Piepolit në Report TV dhe Sondazhi 2 i IPSOS në Top Channel. Tek Sondazhi i Piepolit performanca e qeverisë Rama matet si “në përgjithësi”, ashtu edhe në “aspekte specifike”. Por rezultatet e vlerësimit të performancës në përgjithësi nuk rezultojnë në harmoni me përformancën në aspekte të veçanta. Si mund të “pajtohen” rezultatet që japin vlerësim pozitiv për përformanca e përgjithshme të Qeverisë Rama me rezultatet që japin vlerësime negativ për nivelin e korrupsionit po në Qeverinë Rama? Edhe qeveri e korruptuar, edhe performancë pozitive, sikur nuk shkon, apo jo?!?! Ndaj kjo mospërputhje mes vlerësimit të performancës së qeverisë në përgjithësi dhe përformancës në një fushë të caktuar, të shtyn të vësh në dyshim vërtetësinë e rezultateve të raportuara nga Piepoli! Të njëjtën problem shfaq edhe Sondazhi i IPSOS në dy pyetjet e para që tentojnë të “masin” dallimet në cilësinë e qeverisjes mes Ramës dhe Bashës. Edhe në këtë rast, përgjigjeve të dhëna dhe rezultateve të raportuara ju mungon vazhdimësia logjike!

6-REZULTATE PROBLEMATIKE. Ç’vlerë kanë rezultatet e një sondazhi nëse pyetjet plotësohet nga njerëz që janë militantë fanatikë të një partie, dhe rezultatet bazohen vetëm në përgjigjet e tyre të njëanshme? Njëanshmëria në statistikë është shumë problematike sepse shpie në raportim të rezultateve të shtrëmbërta dhe që nuk janë përfaqësuese të popullatës. Nëse do ti kërkoje mendim një militanti fanatik partie, në të gjitha përgjigjet, ai ose do të ngrinte në kupë të qiellit qeverisjen, liderin, politikat partisë së vet ose do të thoshte gjërat më të zeza për kundërshtarin. Prandaj një nga gjërat e para që bëhet është pastrimi i të dhënave të mbledhura nga “përgjigjet ekstreme” – përgjigje që janë shumë të ndryshme nga ato të kampionit.

Një ndër problemet që vë re tek sondazhet për 25 Prillin është se raportohen rezultate që reflektojnë barrikadimin e njerzve të pyetur, dhe për pasojë edhe të përgjigjeve të tyre, ose në favor të partisë socialiste dhe Edi Ramës ose në favor të partisë demokratike dhe Lulzim Bashës. Për pasojë, rezultatet e servirura të japin përshtypjen sikur janë “pyetur” vetëm njerëz që edhe në mos i përkitshin grupit të militantit të thekur partiak, përgjigjet e tyre, për të njëjtën aspekt, nuk korrespondojnë nga pyetja në pyetje. Këtë mund ta vësh re tek sondazhet e MBR tek EuroNeës-Albania apo NOTO tek RTV Ora.

Sondazhi i MBR në EuroNeës-Albania i nxjerr rezultatet nga përgjigjet që thotë se i merr 1600 veta me intervista ballë-për-ballë dhe 2000 veta përmes telefonit. Nuk e di nëse drejtuesit e sondazheve bëjnë apo jo pastrim të tëë dhënave nga përgjigjet esktreme. Por në tre sondazhet e parë, në pyetjen “Cila parti besoni se do të dalë e para në 25 Prill”, përveç problemit me formulimin e pyetjes (të “besosh” nuk është njësoj si të “votosh” – ti voton PDIU, por beson se zgjedhjet i fiton PS), sondazhi shfaq edhe problemin e përgjigjeve “ekstreme”. Një shëmbull është ai i diferencës në mbeshtetjen mes PS dhe PD. Sipas sondazhit, niveli i mbështetjes për PS rezulton i pandryshueshëm, ndërsa niveli i mbështetjes për PD rezulton i ndryshueshëm, në rritje. Dhe këto “rezultate” rezultojnë pavarësisht “ngjarjeve” që mund të ndodhin dhe mund të ndryshojnë qëndrimin e votuesit në favor apo kundër PS apo PD. Në mungesë të një shpjegimi bindës, përse mbështetja për PS mbetet e pandryshueshme, dhe mbështetjes së PD i atashohet një “rritje e lehte”, shpjegimi real mund të ish pikërisht fakti që kampioni nuk pastrohet nga përgjigjet ekstreme; se rezultatet ngrihen mbi përgjigjet që japin militantët fanatikë të partive. Sepse asnjë ngjarje, sado e madhe, sado e fuqishme për të ndikuar në zgjedhjen që bëjnë njerzit kujt partie do tia japin votën, nuk ka vlerë për të ndryshuar qëndrimin e një votuesi militant partiak!

Ndarja në llogore partiake duket edhe në rezultatet e sondazhit të NOTO në RTV-Ora. Kjo duket qartë në rezultatet e tablës që përmbante analizën se çfarë mendontë një përgjigje-dhënës i deklaruar pro-PS për shancet e një fitore të PD, dhe po ashtu, se çfarë mendontë një përgjigje-dhënës i deklaruar pro-PD për shancet e një fitore të PS. Rezultatet tregonin se në të dy “kampet” vetëm 1%-2% ishin përgjigjur se mund të fitonte partia kundërshtare, një nivel përqindjeje ky statistikisht krej I parëndësishëm përballë shifrave 92%-98% që ishin përgjigjur se partia e tyre do fitonte!

Përveç karakterit militant të përgjigjeve, ka sondazhe që vijnë edhe me probleme krejtësisht të natyrës statistikore. Në sondazhin 3 të MBR, tek pyetja “Cila parti beson se dela e para në 25 Prill”, në Tabelën 2, që analizon përgjigjet dhe nxjerr rezultatet bazuar në mënyrën si ka votuar përsoni në 2017, ka mospërputhje prej 226 përgjigjesh midis numrit total të personave të pyetur (1600) dhe numrit total (1374) të personave për secilin nëngrup (PS=574, PD=343, LSI=170, tjetër=287! Po në këtë tabelë të MBR, pakujdesia, me apo padashje, në përpunimin e të dhënave duket edhe në saktësinë e shifrave. Nga 1600 veta të pyetur, thuhet në Tabelën 2, 49.3% besojnë që PS del e para! OK, por kur llogarit sa persona i korrespendojnë 49.3%, të del 788.8 persona. Gjë e pamundur, sepse një person përfaqëson një shifër të plotë, nuk mund të llogaritet me presje dhjetore! E gjithë Tabela 2 përmban gabime të tilla. Kjo është e mjaftueshme për të vënë në dyshim vërtetësinë e rezultateve të raportuara!

7-ANALIZË PROBLEMATIKE ME “PRIRJEN E VOTËS”. Analizimi i “prirjes” (psh, “ndarja e votës mes partive”) në statistikë kërkon plotësimin e dy kushteve: kryerjen e matjes në dy apo më shumë pika kohore të ndryshme, dhe matjet të kryhen në të njëjtin kampion. Vetëm testimi që respekton këto dy kushte mund të pretendojë nxjerrjen e konkluzioneve për prirjen e votës.

Një nga rezultatet që raportojnë sondazhet për 25 Prillin është “prirja” e votuesit shqiptar. Pyetja ime modeste për to do të ishte nëse sondazhet I nxjerrin rezultatet e tyre për prirjen e votës mbi kampione të njëjtë apo të ndryshëm. “Prirja e Votës” nuk mund të nxirret duke përdorur kampionë me njerëz të ndryshëm për secilin sondazh. Sepse kampionët në vetvete, nëse nuk kujdesesh posaçërisht që të jenë të njëjtë, nuk ka të ngjarë të jenë identikë me njëri-tjetrin. Ndaj në një sondazh, nëse personat që pyeten janë të ndryshëm nga kampioni në kampion, sondazh-bërësi nuk mund të pretendojë konkluzione mbi prirjen. Më e shumta që mund të pretendojë eshtë konkluzioni që “në këtë moment, shpërndarja e votës për partitë është kjo!”. Dhe, pavarësisht se çfarë ndarje të votës mund të kenë “gjetur” sondazhet në herët e mëparshme, për shkak të dallimeve mes kampionëve, gjetjet në kohë të ndryshme nuk mund të “lidhen” me njëra-tjetrën dhe shërbejnë si “vulë” për një konkluzion për prirjen e votës.
Sondazhet e Piepolit në Report TV dhe të MBR në EuroNeës-Albania pretendojnë se identifikojnë prirjen e votës në rrang kombëtar apo nivel qarku. Të dy sondazhet raportojnë periudhën kur janë kryer, numrin e personave të pyetur, por jo përbërjen e kampionëve Nëse kampionët e tyre nuk përmbajnë të njëjtët persona të pyetur, atëhere, pretendimi për identifikim të prirjes, dhe vetë shifrat rezultuese, janë problematike!!! Dhe ky problem – një identifikim jo korrekt i “prirjes” së votës – nuk mund të quhet një problem i vockël! Sidomos “prirja” e raportuar flet për “superioritet” të votës për Ramën dhe “ujra të ndejtura” për votuesin anti-Rama.

8-PROFESIONALIZMI “PARTIAK” I PANELEVE TË SONDAZHEVE. Dukuria e re, përveç bombardimit me sondazhe, janë intepretimi i rezultateve në TV me panelet të mbushur me lloj-lloj personash, me apo pa kredenciale profesionale për të bërë një gjë të tillë. Panelistë të tillë i gjen me shumicë të mbushin studiot e Report TV, EuroNews-Albania, Top Channel apo TV-ve të tjera. Rëndësia që panelet duhet të mbushen me njerëz me kredenciale profesionale dhe paanshëmri politike del nga një numër arsyesh.
Së pari, profesionalizmi i paneleve është i rëndësishëm për shkak të “biografisë” së sondazheve në Shqipëri. Ndryshe nga ç’ndodh në USA apo Evropë, tek ne, nuk ka patur as traditë, as kapaciteteve profesionale për të bërë sondazhe apo gjykuar rezultatet dhe vlerën e tyre. Edhe ato sondazhe që janë bërë nuk kanë treguar kredibilitet. Ato nuk kanë arritur asnjëherë të parashikojnë saktë rezultatin real të zgjedhjeve. Qoftë kur janë bërë nga ente të huaja, si Gallup Poll-Lëvizja Mjaft e Erion Veliajt, qoftë kur janë bërë nga emra shqiptarë, si Gani Bobi apo Eduard Zaloshja. Kjo ka ndodhur ngaqë bërja e sondazhve në Shqipëri nuk është një gjë e lehtë. Në Shqipëri sondazhet duhet të faktorizojnë frikën, mosbesimin, përgjigjet jo të sinqerta të njerzve. Jo më kot Zaloshnja ankohej që asnjëherë nuk arriti ti bjerë në kokë rezultatit të vërtetë të LSI në zgjedhje, sepse ajo rezultonte gjithmonë dyfish parashikimit.
Së dyti, profesionalizmi i paneleve është i rëndësishëm nga nevoja që sondazhet, rezultatet e tyre të mos merren afrofe si “të vërteta” por të gjykohen përmes lupës profesionale dhe metodologjike. Këtë gjë, mund ta bëjë një panel profesional, jo një panel me persona të anshëm politikisht. Profesionalizmi nuk qëndron as në zellin për të marrë të mirëqëna disa shifra as në intepretimin politik të shifrave. Profesionalizmi i qëndron në aftësinë është për të gjykuar nëse rezultatet pasqyrojnë të “vërtetën”, janë nxjerrë metodologjikisht në mënyrë korrekte apo jo. Pra, panelisti “i duhur” nuk është panelisti “konformist”, një që i “beson” verbërisht sondazhit por panelisti “hetues”, ai që i gjykon sondazhin dhe rezultatet në logjikën e tyre të brëndëshme! Nëse në USA apo Evropë nuk e vë në dyshim njeri rigorozitetin profesional dhe metodologjik të sondazheve, kjo ndodh sepse ato kryhen nga qëndra me kapacitete plotësisht profesionale, janë të përhershme, dhe reputacioni i tyre varet nga saktësia e parashikimit, jo klientelizmi politik. Këto gjëra nuk mund të thuhen për sondazhet në Shqipëri. Në Shqipëri, shohim që panelet më shumë se ti gjykojnë sondazhet dhe rezultatet e tyre nga pikëpamja profesionale, i marrin ato afrofe si të vërteta. Pak veta vënë në dyshim vërtetësinë dhe logjikën e rezultateve të raportuara. Shumica e panelistëve i gjejnë “gjetjet” totalisht ”bindëse” dhe nxitojnë ti shpjegojnë shifrat me sofizma dhe truizma politikisht “korrekte”. Shëmbulli më tipik i këtij lloj panelisti i gjen tek disa panele në EuroNews-Albania apo Report TV. Dhe kjo ndodh, pikërisht në një kohë, kur tek ne, sondazhet dhe rezultatet e tyre, më shumë se për intepretim, kanë së pari nevojë për një egzaminim metodologjik. Për të parë se si e arrijnë ato besueshmërinë dhe “mbajtjen pastër” të përgjigjeve dhe rezultateve nga kultura e frikës, gënjeshtës, fshehjen e mendimit, dhe militantizmi partiak.
Së treti, profesionalizmi i paneleve është i rëndësishëm sepse “panelistët” nuk janë thjesht “përkthyes” shifrash. Ata gjithashtu mund të ndikojnë dhe “trullosin” psikologjikisht votuesin me interpretimet e tyre. Pra, ata mund të përbëjnë rrezik për votuesin dhe zgjedhjet, nëse në vënd të gjykimit profesional, ata bëjnë intepretime në favor të partie politike. Që kjo të mos ndodhë, duhet që gjykimi, analiza, dhe interpetimi i panelistëve të udhëhiqen nga e vërteta, interesi i votuesit dhe jo nga klientelizmi politik. Dhe kjo mund të ndodhë nëse në panel përfshihen njerëz me kredenciale profesionale dhe të paanshëm politikisht. Nëse një person ftohet si panelist, jo për shkak të kredencialeve profesionale, por për shkak të afilacionit të tij politik, atëherë mos prit që gjykimi dhe interpretimi i tij të udhëhiqen nga interesi i votuesit por nga interesi i partisë që “iu jep bukë”. Dhe çfarë shohim në studiot e Report TV, EuroNews-Albania, Top Channel apo TV-ve të tjera? Shihet që për të gjykuar dhe intepretuar sondazhet ftohen si “ekspertë” persona të cilët janë jo vetëm publikisht të afiluar me një parti politike të caktuar, por edhe nuk kanë asnjë pregatitje dhe kredenciale profesionale për të gjykuar një sondazh! Ndaj, a mund të kishin ndonjë vlerë sondazhet dhe rezultatet e tyre nëse ato iu lihet në dorë të gjykohen nga panelistë pa kredenciale profesioniste dhe politikisht të anshëm?
Së katërti, profesionalizmi i panelistëve ka rëndësi për vetë seriozitetin e sondazhit, Kompanisë sondazh-bërëse, dhe Televizionit që i bën jehonë sondazhit. Brënda logjikës Platoniane, sa më profesional shfaqet një panel në kredencialet dhe gjykimin e tij profesionale, aq më të “larta” janë “kuotat e seriozitetit” të sondazhit, kompanisës, televizionit, qënies së tyre në shërbim të së vërtetës, interesit të publikut dhe të shoqërisë! Sa më jo-profesional të jetë paneli, aq më të “ulta” janë edhe kuotat e seriozitetit, dhe aq më të larta janë kuotat e klientelizmit politik. Një nga elementët qëndrorë të Platonit për “shoqërinë normale”, është “virtyti” – secili bën atë punë për të cilën është pregatitur dhe di të bëjë më mirë. Sa “normale” është një shoqëri varet nga dhe reflekton sa ajo e respekton virtytin! Në analizën e tij, mes “kredencialeve” dhe “cilësisë së punës” ka një marrëdhënia përcaktuese: këpucari të prodhojë këpucë, mbreti të qeverisë! Nëse këpucari do qeverisë dhe mbreti të bëjë këpucë, “rezultati” është “anormaliteti.” Kjo logjikë Platoniane, e impostuar në kontekstin e sondazheve për 25 Prillin, rolit dhe ndikimit të profesionalizmit të paneleve gjykues të sondazheve dhe rezultateve të tyre, “i hap vënd” pyetjes: A mund të konsiderohen “normale”, “serioze”, gjykimet dhe intepretimet e sondazheve nisur nga kredencialet profesionale të panelistëve? Ajo që sheh në studiot e TV shqiptare që merren me sondazhet janë panele të mbushur me njerëz që nuk kanë as pregatitjen, as kredencialet, për të bërë një gjë të tillë. Mungesa e panelistëve profesionistë dhe mbushja e paneleve me ”këpucarë” filo-partiakë, nuk është çudi. Ajo reflekton defiçencat e arsimimit metodologjik universitar në Shqipëri, mungesën tek media shqiptare të kapaciteteve të brëndëshme profesionale për të kryer apo vlerësuar sondazhet në mënyrë “kritike”, dhe kulturën klientelise dhe filo-partiake si të medias në përgjithësi ashtu edhe të individëve në veçanti. Në Shqipëri, sondazhet, më shumë se një çështje dhe debat i natyrës metodologjike, shihen dhe kuptohen si çështje dhe debat të natyrës politike. Më “e rëndësishmja” nuk konsiderohet aftësia dhe gjykimi i sondazheve dhe rezultateve nga pikëpamja metodologjike por aftësitë, “njohja”, dhe intepretimi “krijues” i marrëdhënieve dhe zhvillimeve politike.

9-REZULTATET E NDRYSHME TË SONDAZHEVE. Kredibiliteti i sondazheve varet nga mënyra e sondimit të realitetit dhe dinamikave politike por edhe nga aftësia e tyre për të shpjeguar atë që ato “fotografojnë”. Këtu, pyetjet që dalin nuk kanë as radhë, as të sosur.
Cili është shpjegimi pse sondazhet raportojnë rezultate të ndryshme cila parti fiton zgjedhjet e 25 Prillit? Disa sondazhe nxjerrin fitues PS, disa nxjerrin PS dhe PD me mbështetje nën 50% dhe diferencë 1%-10% mes tyre! Përse sondazhet që nxjerrin PS fituese raportojnë nivele të ndryshme fitoreje të PS? Disa sondazhe e nxjerrin PS me 71+ mandate, ndërsa disa të tjerë e nxjerrin PS poshtë 71% dhe në nevojë për koalicion! Përse sondazhet janë aq të ndryshëm në mbështetjen për LSI? Shumë sondazhe shpallin “rënie pikiatë” të mbështetjes për LSI, por disa i atashojnë LSI-së 1%, disa 5%, e disa 10%! Sondazhe që i “njohin” PD-së një “prirje” të rritjes së votës, pse nuk kanë asnjë përpjekje për të “matur” cili është faktori apo faktorët kontribues në rritjen e mbështetjes për PD? Disa sondazhe shpallin për një rritje të mbështetjes për PD. Por disa e “gjejnë” rritjen në nivel 1%-2%, të pamjaftueshëm për të mundur PS, disa e shpallin në nivel 3%-10%, mjaftueshëm jo vetëm për të vënë në dyshim fitoren e PS, por edhe kthyer PD në pushtet.
Të gjitha pyetjet më sipër të bëjnë të pyesësh: Sa kredibël janë sondazhet për 25 Prillin dhe rezultatet e tyre? Nëse rezultatet që ato raportojnë janë aq të ndryshme, cila është arsyeja prapa diferencës së rezultateve? Kjo diferencë mes sondazheve në “fotografimin” e realitetit zgjedhor në Shqipëri, a mund të ketë lidhje dhe shpjegim me ndonjë motiv specifik e Kompanive dhe TV prapa kryerjes së sondazheve? Vetë Kompanitë sondazh-bërëse dhe TV, nga se udhëhiqen në këto sondazhe që zhvillojnë? Udhëhiqen nga interesi për të vërtetën dhe interesin e votuesit shqiptar apo nga interesat të tjera të lidhura me partitë politike dhe lidershipin e tyre? Cili është synimi i këtyre sondazheve? Është thjesht të “fotografojnë” sot rezultatin që mund të prodhojë nesër 25 Prilli? Apo është të manipuluarit sot të psikikës së votuesit cili do të jetë rezultati “i sigurtë”i zgjedhjeve në 26 Prill?
Në një logjiikë normale, nëse sondazhet do të fotografonin “korrekt” realitetin sot, ato nuk do të duhej të tregonin diferenca të rëndësishme në gjetjet e tyre. Fakti që ato shfaqin diferenca në rezultatet që raportojnë, të bëjnë të mendosh dy gjëra: ose ato nuk masin korrekt realitetin, ose realiteti që ato përpiqen të na bindin se egziston, në fakt është I ndryshëm nga ai që raportojnë sondazhet. Kështuqë diferencat në rezultatet që raportojnë sondazhet të bëjnë të ngresh pyetje jo vetëm për sondazhet dhe rezultatet e tyre, por edhe per vetë reputacionin e Kompanive Sondazh-bërëse dhe TV që iu bëjnë jehonë.
Nëse reputacioni dhe kredibiliteti i një Kompanie Sondazh-Bërëse varet nga saktësia e parashikimit të rezultatit, çfarë mund të ndodhë me reputacionin e tyre nëse rezultatet në 26 Prill nuk përputhen me ato të raportuara prej tyre para zgjedhjeve? A e mendojnë sot këto kompani, që nëse rezultatet që ato raportojnë sot nuk do të jenë të njëjta me ato në 26 Prill, kjo gjë mund të “provojë” dyshimet për klientelizëm politik të tyre?

*PhD në Shkenca Politike, Drejtor Ekzekutiv ISAL-Albania

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura