Rrëzimi i shtetit hetimor

Apr 25, 2015 | 13:02
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Vendi ka shpëtuar javën e kaluar nga një rrezik shumë i madh, pasojat e të cilit besoj se do ta kishin kaluar imagjinatën tonë nëse nuk do të prapësohej në mënyrë të prerë dhe përfundimtare. Fjala është për rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të një ligji të ligë e hileqar, të cilit autorët Rama dhe Tahiri i kishin venë si markë apo më saktë si etiketë një formulim amerikan, Byroja Kombëtare e Hetimit, por duke e ndërtuar së brendshmi me material politik ala Rilindje, nga ai i vjetri, që synonte dublimin e Prokurorisë së Shtetit me një Prokurori të Qeverisë, shndërrimin e Ministrisë së Brendshme në një institucion të survejimit dhe hetimit me dorë të lirë të qytetarëve, fuqizimin e ministrit të Brendshëm me kompetenca të trefishta kryepolici, kryehetuesi dhe kryeshishasi.
Autorët e këtij ligji famëkeq, tashmë të rrëzuar, e kanë mbështetur  dhe avancuar nismën e tyre në kuadrin e retorikës antikorrupsion, sikur vetëm duke e marrë vetë në dorë hetimin e këtij fenomeni, ai do të goditej siç duhet. Përveç mendjelehtësisë dhe defekteve të thella në formimin demokratik, në këtë mendim shëlbues dhe populist i ka shtyrë pa dyshim edhe sindroma e tyre e paragjykimit dhe dyshimit deri në mohim të çdo gjejë të ngritur para ardhjes së tyre në pushtet. Nuk do të harrohet debutimi shumë domethënës i Saimir Tahirit në detyrën e ministrit të Brendshëm, kur mblodhi kupolën e Policisë së Shtetit dhe si ai partizani në romanin “Nëntori i një kryeqyteti” që mbledh gazetarët e radios së pushtuar në qytetin e çliruar, u deklaroi: “Prej këtij momenti jeni të gjithë në provë!”. Kështu u tha ministri politik oficerëve me gradat më të larta, të fituara në shumicën e rasteve përgjatë një karriere shumëvjeçare në përballje deri edhe me rrezik jete me krimin. Në fakt, siç dihet, mjaft syresh i fshiu pa u dhënë kohë për t’u provuar. Kjo ishte fryma e revanshit dhe e naivitetit që po instalohej në vend me qeverinë e ashtuquajtur të Rilindjes. Kush kishte minimumin e nevojshëm të njohurive dhe kulturës demokratike, s’kishte nevojë të priste të kalonin dy vjet për të kuptuar se Kryeministri dhe ministri i tij shumë i zellshëm po e rrëzonin Policinë e Shtetit si institucion të pavarur. Me të njëjtin zulm dhe me të njëjtën alibi të rrënimit të trashëguar, ata do t’u suleshin institucioneve me radhë, Prokurorisë patjetër, të cilën, ndërsa nuk e merrnin dot për shkak të vartësisë kushtetuese nga Presidenti, kishin mundësi ta zhvlerësonin duke krijuar prokurorinë e tyre paralele me emër amerikan! Unë nuk mund të them se zotërinjtë e qeverisë nuk kanë qenë të shqetësuar dhe të angazhuar përnjëmend për të luftuar korrupsionin, informalitetin dhe abuzimet që vazhdojnë të jenë një gangrenë në trupin e shoqërisë sonë. Por kur je në pushtet, nuk gjykohet shqetësimi. Gjykohen rrugëzgjidhjet dhe produkti. Këtu e bëjnë diferencën shtetarët e formuar me ata të malit. E keqja është gjithnjë një aleate e mendjeve të prishura, të cilën e shijojnë, e përpijnë dhe duan ta shfrytëzojnë për të fuqizuar pushtetin e tyre. Kjo është e vjetër sa bota. Ndaj civilizimi perëndimor ka ngulitur parimin se e keqja, edhe kur na shfaqet apo e tregojmë të obubushme, duhet luftuar vetëm me ligj, me Kushtetutë, me institucionet dhe shtetin e së drejtës. Përndryshe, e keqja nuk luftohet, por vetëm shtohet në forma të tjera. Byroja Kombëtare e Hetimeve ka qenë konceptuar në periudhën kur flateritë e Rilindjes fluturonin lart, mbi vetë shtetin që dukej si pengesë dhe kur Kryeministri besonte me sa duket se lekët për arkën e shtetit, që tani po shterojnë në thatësirën e taksave të larta ose po rrjedhin në kontot e informalitetit, mund t’i mblidhte me zonjusha dhe dafrunga. Kryeministri ishte aq i shëtitur sa të kuptonte se qeveria dhe shteti i kishin të gjitha mjetet për të luftuar korrupsionin, pa qenë nevoja e eksperimentimeve antikushtetuese. Vetë qeveria ka një mori agjencish dhe zyrash të kontrollit, të cilat, po të drejtohen nga profesionistë të ndërgjegjshëm, që nuk janë aty për të bërë para për vete, mund të furnizojnë pa mbarim prokurorinë me deponime dhe kallëzime penale. Përballë arkipelagut të agjencive dhe vetë Prokurorisë, që është organi ligjor i hetimit, Byroja ishte krejt e tepërt dhe veç kësaj, edhe një barrë e shtuar për financat e holluara të vendit. Por siç u pa nga drafti që votuan, qeveritarët kishin në mendje një qëllim të ulët: të bëheshin prokurorët dhe hetuesit e kundërshtarëve të tyre të njohur apo në perspektivë, të mblidhnin të dhëna kundër kujtdo që do mund t’i përdornin sipas rastit për diversion apo shantazh, të qëndronin vetë mbi hetimin, të pahetueshëm, të pakontrollueshëm; ta përdornin Byronë si akrep për t’ia hedhur apo për të kapur çdo të padëshiruar. Ky do të ishte shteti hetimor që në lidhje të ngushtë me shtetin policor, krijojnë një formë shumë të rrezikshme të oligarkisë.
Gjykata Kushtetuese e ka kthyer mbrapsht dhe e ka rrëzuar këtë ligj të ligë dhe tinëzar. Byroja Kombëtare e Hetimit bie ndesh me nenin 108 të Kushtetutës. Ndjekja penale është kompetencë e Prokurorisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme. Vetëm Prokurori përfaqëson shtetin përballë Gjykatës. Byroja Kombëtare e Hetimit cenon të drejtën e qytetarëve për një proces normal ligjor si pasojë e marrjes në dorë të gjurmimit dhe hetimit të individëve nga Ministria e Brendshme. Struktura e ngritur nga Ministri i Brendshëm nuk mund të hetojë korrupsion për zyrtarë, pasi nuk është një institucion i pavarur. Ligji shkel parimet kryesore kushtetuese që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të individit. Këto janë disa nga sentencat e Gjykatës Kushtetuese në mbështetje të vendimit për rrëzimin e Byrosë. Kushdo që i lexon, edhe pa e njohur ligjin, ka mundësi të kuptojë jo pa u dridhur natyrën dhe përmasat e rrezikut të çaktivizuar. Sa e sa të drejta që do të ishin venë në shënjestër të nëpërkëmbjes kanë shpëtuar. Autorët kryesorë të Byrosë dolën zbuluar ndërkaq në tendencizitetin e tyre antidemokratik. Ata nxituan të venë gjethe fiku në fillim të javës, duke u përbetuar se do të ngrenë se s’bën Byronë e Hetimit. “Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, replikoi në kohë reale Ambasada Amerikane në Tiranë, në tonin e së cilës ndihej qartë zhgënjimi që pala shqiptare u ka marrë kopertinën e Byrosë së Hetimit duke e mbushur me një përmbajtje antikushtetuese. Sindroma e fasadës edhe në marrëdhënie me amerikanët. Qeveria mund ta ruajë emërtimin, por nuk mund të fusë më brenda ligjit lëndën alarmante që ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese. Duhet t’i heqin kapelën kësaj gjykate, e cila po dëshmohet në sa e sa raste garante e Kushtetutës dhe demokracisë. Duhet të falënderojmë deputetët e opozitës që e ankimuan dhe e mbrojtën me argumente, deri në fund, rrëzimin e ligjit antidemokratik. Demokracia vazhdon t’i prodhojë mjetet e vetëmbrojtjes. Vazhdon të funksionojë dhe të fitojë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura