Rrëzimi i Byrosë në Kushtetuese, maxhoranca nuk tërhiqet: Do ngrihet. Braho sulmon Gjykatën. Paloka: Po e kthejnë vendin në Moskën e Putinit

Apr 21, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Përpos rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka deklaruar sot se Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet, pasi sipas tij pas zbardhjes së vendimit do të reflektohen sugjerimet e gjykatës në mënyrë që ky organ të fillojë sa më parë nga puna, veçanërisht në luftimin e korrupsionit elitar dhe të krimit të organizuar.

Tahiri në konferencë me Luzin

“Askush nga ne, mazhoranca…, si ka lejuar vetes komentimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe në rastet kur janë jashtë parashikime tona. Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet. Presim zbardhjen e vendimit të Kushtetueses, reflektimin e sugjerimeve të Kushtetueses dhe marrjen e masave qoftë nëpërmjet amendimit të ligjit, qoftë akteve nënligjore për të arritur plotësimin e standarteve kushtetuese e ligjore, sipas parashikimeve të vendimit të gjykatës. Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion mjaft i rëndësishëm veçanërisht në luftën kundër korrupsionit elitar dhe krimit të organizuar…Do reflektojmë sugjerimet e do të marrim masat në një procedurë mjaft të përshpejtuar që Byroja Kombëtare e Hetimit të punojë bashkë më Byronë Federale të Hetimit”, tha Tahiri në një konferencë për shtyp ku u njoftua firmosja e një memorandumi bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 21 qershorit.

Më herët gjatë ditës deputeti Spartak Braho sulmon Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të saj për të rrëzuar Byronë Kombëtare të Hetimit.

Spartak Braho

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare tha në një prononcim për mediat se megjithëse Gjykata e rrëzoi, maxhoranca do të gjejë modalitetet për ta ngritur këtë institucion.

Si e keni pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të thotë se mori fund kjo ide?

Duke perifrazuar një thënie “Po me urën ç’patën”, dua të them që është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Siç dihet Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme solli një projektligj për “Policinë e Shtetit” ku përfshihej të ndërtohej dhe një strukturë e posaçme në luftën kundër krimit, veçanërisht kundër korrupsionit që u nominua Byroja Kombëtare e Hetimit. Një strukturë e veçantë e cila do të jepte nxitje të fuqishme pikërisht asaj kërkese të shtruar jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga opinioni për të qenë fenikas në luftën kundër krimit të organizuar.

Për çudinë më të madhe, ndonëse kjo iniciativë pati mbështetje të fortë dhe nga ndërkombëtarët, madje ka qenë e ripërsëritur kjo mbështetje edhe në bisedat që ka zhvilluar Ministri i Punëve të Jashtme, z. Bushati me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z. Kerry, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Padyshim nuk diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo është e saktë. Edhe kjo që po them unë është një opinion, por që nuk e ndal mazhorancën t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, për ta ngritur, për ta ringritur, për të gjetur mënyrën për ta konstruktuar për t’i shkuar çuar deri në fund problemit të funksionimit me ligj, por në forma të tjera të parashikuara nga ligji të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Dhe si mund të bëhet?

Mendoj që shumë shpejt do ta vendosim

Z. Bushati tha se do të gjenden rrugët për ta ngritur këtë byro. A jeni ju në dijeni dhe a ka ndonjë gjë konkrete?

Jam plotësisht në dijeni për të konsumuar gjëra që mund të thuhen edhe më pas. Kaq mund t’ju them sot, që Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet.

A është kjo një sfidë ndaj Gjykatës Kushtetuese?

Padyshim që është një sfidë, është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Nuk e di, nuk dua të bëj dhe aludime për këtë vendim të saj, por është një kundërvënie e hapur në këtë proces të nevojshëm që kërkohet për të luftuar krimin e organizuar. Nuk e di ku fle lepuri. Gjykoj që ka qenë thjesht një vendim teknokrat i dobët.

Në fakt nuk shikoni që Ministria e Brendshme i kishte marrë kompetenca Prokurorisë?

Nuk ka marrë Ministria e Brendshme dhe në këtë draft kompetenca të Prokurorisë. Prokuroria do të jetë drejtuese e punës e Byrosë së Hetimit. Kështu e parashikonte edhe projekti.

A nuk është kjo një strukturë paralele?

Nuk është kjo strukturë paralele. Nuk bëhet fjalë për strukturë paralele. Bëhet fjalë për një strukur të posaçëm të Policisë së Shtetit, që nën drejtimin e Prokurorisë të forcohet lufta kundër krimit të organizuar.

Ju do të prisni që të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pastaj do të shikoni për ndryshimet?

Këtë do të thosha që ne do të mendojmë që brenda arsyetimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese e cila se ka zbardhur ende vendimin, të gjejmë modalitetit për ta ripërsëritur iniciativën.

Reagon Paloka: Po e kthejnë vendin në Moskën e Putinit

Kurse kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, në një reagim ndaj deklaratave të Kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho për Byronë Kombëtare të Hetimit, tha sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë.

“Deklarata e Brahos, vijim i sulmeve ndaj gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk mund të ngrihet. Sulmi i radhës ndaj gjykatave, nuk është habi. Po e kthejnë vendin në Moskën e Putinit”, tha ai.

Lidhur me përplasjet e PD-së me aleatët dhe bashkimin e PDK-së me të majtët, Paloka nuk u prononcua: “Asnjë qëndrim për aleatë dhe ish-aleatë të PD-së”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura