Rrëzimi i avionit në Ishëm, vjen dosja nga Italia me emrat e të “fortëve” nga Fushë Kruja. Mediat italiane: Ajo që ndodhi, s’ishte thjesht një ekskursion

Nov 10, 2019 | 8:55
SHPËRNDAJE

Kur kanë kaluar tre vjet nga rrëzimi i avionit të pilotuar nga Guido Guidi, në pistën e improvizuar të Ishmit, prej nga dyshohet se kryhej trafik droge, autoritetet italiane i janë përgjigjur interesimit të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Avioni ne ishem

Burime të besuara pranë këtij institucionipohuan për “News 24” se kanë riaktivizuar hetimet, pas disa provave të reja që iu kanë mbërritur përmes letërporosisë. Në dokumentin e firmosur nga autoritetet e drejtësisë italiane në dispozicion të Prokurorisë shqiptare, thuhet se janë renditur emrat e bashkëpunëtorëve të pilotit italian në trafikun e drogës, të cilët rezultojnë të jenë kryesisht nga zona e Fushë Krujës.

Disa nga të dyshuarit janë të arrestuar në Itali, gjatë tentativave për të trafikuar sasi të mëdha hashashi, ndërsa të tjerë besohet se ndodhen në territorin shqiptar. Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të forta se një grup kriminal me bazë në Fushë-Krujë financoi ndërtimin e pistës për ta përdorur më pas për uljen e avionëve të vegjël që do të transportonin drogën.

HETIMI

Burimet thonë se ka dyshime të forta se avionët ia kanë dalë të ngrihen disa here nga pista e Ishmit, kjo referuar të dhënave të ardhura nga autoritetet e shtetit fqinj. Ndërsa për rastin kur avioni u rrëzua në pistë, burimet thonë se ka gjasa të jetë ngarkuar më shumë sesa mund të transportonte, ndaj gjatë tentativës për t’u larguar pësoi defekt dhe ngeci në grykëderdhjen e lumit të Ishmit.

Italiani Guido Guidi u mbajt për muaj të tërë në Shqipëri, në një bazë të fshehtë, çka ngre dyshime se ai mund të jetë rrëfyer për autoritetet shqiptare dhe të ketë nxjerrë emrat e atyre që e pajtuan të transportonte drogë me avion.

Ai u largua nga Shqipëria, pasi Gjykata për Krime të Rënda pranoi garancinë pasurore që u dha prej tij. Tashmë, me daljen e provave të reja në dritë, Prokurorisë mund t’i duhet të ripyesë pilotin Guidi, i cili me gjasë mund të gëzojë dhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, fakt që s’u pranua asnjëherë zyrtarisht. Por a do të rikthehet ai sërish në Tiranë për t’u përballur me trafikantët, të cilët e pajtuan të bënte transportin e drogës me avion?

NGJARJA

Më 15 shtator të vitit 2016, Policia e Durrësit ka konfirmuar se një avion i vogël është ulur në fshatin Gotull në kufirin mes Krujës dhe Laçit. Burimet zyrtare thanë se avioni drejtohej nga një pilot italian 69-vjeçar dhe ka bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti teknik.

“Mes Ishmit dhe Laçit konfirmohet rënia e një avioni të vogël. Sipas njoftimit në sallën operative, piloti është italian dhe avioni është gjetur bosh. Po verifikohet nëse ka qenë bosh apo e kanë boshatisur para se të mbërrinte Policia”, thanë burimet policore.

“Kontrata” e njëzet mijë eurove për të transportuar në avionin e tij dyqind kilogramë marijuanë”. Kështu e niste shkrimin e saj të datës 18 shtator 2016, italiania “Corriere.it”, duke nënvizuar me ironi se piloti italian, Guido Andrea Guidi, “një biznesmen nga Milano që është arrestuar në vitin 2006 për një aksident ajror, të enjten, në orën 09:30 të mëngjesit, kishte zbarkuar rastësisht në Ishëm, në veri të Durrësit”.

Ajo e tij nuk ishte thjesht një ekskursion në Shqipëri, siç kishte deklaruar fillimisht para Policisë, që e kishte ndalur pas uljes emergjente dhe ngecjes në zonën e pyllëzuar të Ishmit, “një zonë e përdorur nga “narkotrafikantët ajrorë”, vijon shkrimin “Corriere.it”.

“Corriere della Sera”, duke iu referuar burimeve të inteligjencës italiane, shkruante se kishte nisur një hetim i përbashkët mes dy shteteve për të identifikuar kokat e këtij trafiku të drogës nga ajri. Autoritetet italiane po studiojnë lëvizjet e pilotit drejt Barit si dhe kontaktet e tij. Në dëshminë e tij, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç, ka treguar dy emra, një italian dhe një shqiptar.

“Të njëjtit njerëz që e kishin rekrutuar, do ta paguanin me 20 000 euro, për të sjellë ngarkesën në Itali. Sipas burimeve të inteligjencës, për të shpëtuar, Guidi do të tregojë emrat e organizatorëve, tashmë nën vëzhgimin edhe të Guardia di Finanza për lëvizjet e drogës në të gjithë bregdetin puliez. Prokuroria do të vendosë mbrojtje për Guidin për të shmangur hakmarrjet e organizatës kriminale, e përbërë nga mafiozë shqiptare dhe italianë”, vijonte shkrimi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura