Rreziku virusi/ Guvernatori Sejko: Ekonomia, drejt përmirësimit, çfarë mbetet sfidë

Oct 24, 2020 | 8:31
SHPËRNDAJE

Goditja nga pandemia solli rënie ekonomike në të gjithë botën.  Prodhimi dhe të ardhurat ranë në mënyrë drastike, papunësia u rrit, ndërsa bilancet e sektorit privat dhe atij publik u përkeqësuan. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, vlerësimet për rënien e PBB-së në rajon gjatë vitit 2020, variojnë nga -3.1% (sipas Bankës Botërore) në-5.2% (sipas FMNsë).

sejko

“Shqipëria ka një përvojë të ngjashme. Në fillim të goditjes së dyfishtë, shkaktuar nga tërmeti i fundnëntorit 2019 dhe pandemisë, PBB-ja pritet të pësojë një rënie rreth mesatares rajonale”, vuri në dukje Guvernatori në takimin online të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, në kuadër të Mbledhjeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

ECURIA Megjithatë, në nivel global, shtoi Sejko, perspektiva ekonomike po përmirësohet nga kontraktimi i shkaktuar nga Covid-19.

“Sfida të shumëfishta mbeten për politikëbërësit, ku mund të përmendet hapësira e kufizuar e politikave ekonomike për reagim në të ardhmen, ndikimi afatgjatë i kësaj goditjeje në ritmet e rritjes potenciale, si dhe ndikimi negativ që ajo mund të japë në procesin e integrimit ekonomik dhe koordinimit të politikave në nivel botëror”, tha Guvernatori.

Nga ana tjetër, drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha po ashtu se natyra e goditjes pandemike kërkon mbështetje të vazhdueshme të politikave, në varësi edhe të hapësirave që këto politika kanë në vendet e rajonit. Për më tej, politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar të mbështesin ekonominë, ndërsa përgatiten për botën postpandemike dhe trajtojnë sfidat afatgjata.

MASAT

Në takimin e djeshëm, Sejko parashtroi edhe masat e ndërmarra nga institucioni që ai drejton, në përgjigje të situatës së krijuar në vendin tonë prej pandemisë dhe tërmetit të 26 nëntorit të një viti më parë.

“Banka e Shqipërisë ndërmori masa të menjëhershme si: ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividendit në sektorin bankar; si dhe heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave”.

Në vijim, Guvernatori nënvizoi se nga trajtimi i situatës së krijuar nga Covid-19, politikëbërësit arritën të evidentojnë elementet kyçe të suksesit të menaxhimit të krizës, si rëndësia e marrjes në kohë të masave të jashtëzakonshme, koordinimi i kujdesshëm i politikave, bashkëpunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, me qëllim arritjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura