Rreziku për keqmenaxhimin e flukseve të refugjatëve

Jun 4, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

pellumb-nakoPËLLUMB NAKO

Edhe Kryeministri, edhe ministri i Brendshëm i vendit tonë ishin mysafirë  të Austrisë para disa ditëve. Sipas komunikimeve mediatike, për të dy problemi themelor duket se ishin kambanat e alarmit që po bien në këtë vend, lidhur me rrugët e reja që po përdorin refugjatët nga Siria dhe vende të tjera të Afrikës dhe Azisë për të mbërritur në Perëndim. Ngadalë, por aq sa vendet europiane po shqetësohen, e rruga e re që po tentohet është ajo nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë drejt Malit të Zi e në vazhdim drejt vendeve të zhvilluara.

Në vitin 2017 u raportuan rreth 1000 raste të konstatuara në vendin tonë, kurse sivjet, vetëm në pesë muajt e parë janë evidentuar të tillë mbi 2000. Ndërkohë edhe Mali i Zi ankohet se pala shqiptare nuk po bën aq sa duhet për problemin. Pra, numri në total është ende më i madh. Qasja zyrtare që po i bëhet problemit duket nuk ndryshon shumë nga ajo që kishte të bënte me flukset e shtetasve shqiptarë dhe kërkesave të tyre për azil në vendet europiane. Propagandë dhe asgjë. Organizatat ndërkombëtare si IOM UNHCR, CARITAS e të ngjashme me to, kanë filluar të shtojnë personelin. Por pa shënuar ndonjë risi.

Të ngjashme me administratën shqiptare. Madje, në një nga aplikimet e kryera me këtë rast, një kandidat që është autori dhe bashkautori i ligjeve dhe procedurave që përdoren për refugjatët dhe që do të trajnonte personelin kufitar, nuk u kualifikua. Në fakt, këto organizata gjejnë momentin e duhur për të thithur fonde, duke organizuar trajnime me vend e pa vend dhe që përsëriten pa fund.

Pak vite më parë, kur kriza e refugjatëve anashkaloi Shqipërinë duke goditur Maqedoninë dhe Serbinë, u panë dhe u dëgjuan deklarime zyrtarësh të lartë shqiptarë, të cilët në publik shpallën se nga ana e tyre ishin marrë masat e duhura, nëse kriza do të përfshinte edhe Shqipërinë. Kur në Luksemburg u mblodhën ministrat e Jashtëm e të Brendshëm të Ballkanit dhe ata të vendeve të Bashkimit Europian, nga ana shqiptare u deklarua: ” Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence … në rast se prekemi nga ky fenomen”.

Po kështu, gjatë një seance dëgjimi në Komisionin e Jashtëm, ishzv.ministri i Jashtëm i asaj kohe u shpreh: ” Në dokumentin në fjalë janë parashikuar vendet e strehimit, kostot, masat në kufi dhe detaje të tjera”. Ku është ky plan që nuk u la vend pa u raportuar? Ka vazhdimësi kjo qeveri me të parën? Apo nuk ka pasur fare plan? Pyetjet bëhen sepse në Austri, as Kryeministri dhe as ministri i Brendshëm nuk e përmendën.

Propozimet e ministrit të Brendshëm nuk kishin në asnjë pikë referencën e planit. Por, ministri ynë, një nga zgjidhjet e problemit e sheh te marrëveshja e re me Bashkimin Europian lidhur me FRONTEX-in, ku ai theksoi se marrëveshja tashmë e dakordë- suar do të ketë një ndikim të posaçëm. Në fakt marrëveshja është instrument ligjor parandalues i BE-së dhe jo i Shqipërisë. Kjo marrëveshje, në thelb nuk ndryshon në asnjë pikë me ato të nënshkruara nga qeveria e 30 viteve me parë, në vitin 1997, ku misionet europiane të policisë MAPE dhe ai italian INTERFORZE, u dislokuan në Shqipëri së bashku me uniformat dhe armatimin e tyre personal, por vetëm për të asistuar e këshilluar Policinë shqiptare, që për arsyet që dihen nuk ishte në gjendje të siguronte sigurinë minimale ne Shqipëri.

Edhe FRONTEX-i, këtë do të bëjë në kufi me flukset e refugjatëve. Madje më shumë. Sepse mandati i tyre nuk do të jetë vetëm këshillues, por edhe operacional. Përveç faktit që kjo marrëveshje realizohet në kuadrin e një qasjeje tjetër të Komisionit Europian për trajtimin e flukseve të refugjatëve, duke i bllokuar ata në vendet transit të Ballkanit Perëndimor dhe duke bashkëpunuar me vendet e burimit, në fund të fundit këto trupa do të dislokohen në territorin shqiptar jo sepse jemi burra të mirë dhe se ata kanë shumë besim te ne, por ata thjesht do të vijnë e të kryejnë një punë, të cilën autoritetet vendore nuk po e kryejnë dot.

Ministri kërkoi edhe financime në mënyrë që Bashkimi Europian të mbështesë me para menaxhimin e integruar të kufirit. Bashkimi Europian ka financuar dhe shumë para në këtë drejtim. Duke nisur nga hartimi i strategjisë së parë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, duke vazhduar në infrastrukturë ( 11 pika tërësisht të reja të kalimit kufitar) mjete lëvizëse të shumta, mjete lundrimi, pajisje survejimi, pajisje kontrolli e trajnime të shumta. Ekspertë të panumërt.

Mbi 20 milionë euro vetëm infrastrukturë. Por kur pas këtyre financimeve, duke filluar nga viti 2014, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit trajtohet si fëmijë i paligjshëm dhe degdiset një herë në Sharrë, pastaj i plasur në një godinë me qira, diku në mes të hiçit, ku nëse do të flasësh në telefon, nuk mundesh, sepse nuk të lejon një kasap aty pranë që thërret klientët për të blerë mish; kur struktura e tij organizative qëndron në këmbë vetëm në sajë të presionit ndërkombëtar, kur megjithëse struktura e re ka kohë që është vënë në punë dhe ende nuk është gjetur një drejtues për kufirin, por kjo detyrë mbahet nga i njëjti person më një detyrë tjetër më të rëndësishme, kur trajnimet u harruan, kur standardi i vendosur për të mos emëruar askënd në kufi pa mbaruar më parë një specializim tremujor për kufirin u shkel, kur ka drejtues që në takime ndërkombëtare thonë “Për kokën e fëmijëve jam shumë e përkushtuar”, kur anglishtfolës të shumtë u larguan, normalisht Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë kufirin shqiptar me financime, por ndryshe nga çfarë dëshiron ministri.

Këto para do të harxhohen nga efektivat e policisë europiane, që do të vijnë në Shqipëri sipas marrëveshjes me FRONTEX-in, së cilës i referohet ai. Dhe ardhja e tyre ka kosto. Jo të vogël. Përse duhet financuar kur për një rast që ka nevojë, Europa do të vijë vetë t’i zgjidhë problemet? Ashtu si shumë paraardhës, ministri nuk i rezistoi dot tundimit për të propozuar ndërtimin e një institucioni ndërkombëtar bashkëpunimi. Ai kërkoi mbështetje nga pala austriake për të ndërtuar Qëndron Rajonale të Bashkëpunimit Policor, e cila pason nismën e paraardhësit të tij që kërkoi krijimin e një qendre trepalëshe Greqi- Shqipëri- Itali dhe që nuk u krijua asnjëherë.

Përse? Sepse palës shqiptare i kujtuan një nismë tjetër më të lashtë, që u mbështet dhe nuk funksionoi kurrë, Qendra Antitrafik në Vlorë. Të bën përshtypje dhe njëkohësisht të vjen shumë keq, kur sheh se nga një qeveri në një tjetër, megjithëse në të njëjtën ngjyrë politike, nuk ka vazhdimësi kur bëhet fjalë për dokumente pune, si plani i emergjencës për refugjatët cituar më sipër dhe në anën tjetër ka një vazhdimësi të çuditshme për të impresionuar homologët europianë nëpërmjet krijimit të qendrave të bashkëpunimit ndërkombëtar, që fillojnë me Qendrën Antitrafik në Vlorë.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura