Rreziku për ekonominë, FMN: Kontroll tri herë në vit

Feb 28, 2015 | 17:56
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që rishikimet për ecurinë marrëveshjes 36-mujore me vendin tonë të kalojnë nga dy herë në muaj, në tre herë në muaj. Kjo bëhet me dije në dokumentin e fundit të Fondit të publikuar, pas miratimit nga Bordi Ekzekutiv, të këstit 58.8 milionë euro.

SHEFI I MISIONIT TE FMN ILAHI DHE MINISTRI I FINANCAVE CANI

Në pjesën që lidhet me modalitetet dhe risqet e programit, theksohet se stafi i Fondit ka propozuar që duke nisur nga rishikimi në etapën pesë, programi të kalojë me tri rishikime në vit, në vend të dy në vit pas mesit të 2015-s, siç është parashikuar në etapën e parë. Kjo në fakt vjen edhe në një kohë kur FMN pranon që edhe pse programi ka pasur një ecuri të mirë gjatë 2014-s, risqet kanë ardhur në rritje.

RISQET

“Risqet për programin janë rritur. Tensionet politike dhe ato sociale mund të rriten me afrimin e zgjedhjeve lokale në mes të 2015-s dhe kjo mund të prekë implementimin e axhendës ambicioze të reformave. Kursimet nga reforma në sektorin energjetik janë subjekt i riskut zbatues dhe do të kërkojnë një angazhim të qëndrueshëm politik në terma afatmesëm. Një rritje më e dobët ekonomike sesa ajo që pritet mund të testojë vullnetin e autoriteteve për të adoptuar masat fiskale të nevojshme për të arritur uljen e borxhit, sipas objektivave”, thuhet në raportin e FMN-së.

Kjo e fundit sheh si risk për programin e saj me qeverinë edhe pasigurinë për rritjen ekonomike në vendet partnere, rritjen e mëtejshme  të çështjeve që gjykohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, apo edhe rritjen e kredive me probleme.

GUVERNATORI DHE ENERGJIA

Dokumenti i FMN-së jep edhe arsyet pse rishikimi i dytë i programit u vonua duke sjellë në vëmendje dy arsye. E para lidhet me zhvillimet në Bankën e Shqipërisë gjatë shtatorit të vitit të kaluar, kurse e dyta lidhet me reformën në energji dhe konkretisht me rregullimin e tarifave.

“Rishikimi i dytë u vonua për shkak të nevojës për të përfshirë reformën e energjisë elektrike në program dhe për t’i dhënë kohë që kushtet që rrethonin Bankën e Shqipërisë të normalizoheshin pas largimit të drejtuesve të lartë të menaxhimit. Të gjitha kriteret e fundqershorit, fundshtatorit dhe ato të dhëna paraprake për dhjetorin tregojnë se kriteret e performancës janë realizuar”, thuhet në raportin e FMN-së.

NGJARJA NË BSH

Një tjetër pikë që theksohet, e lidhur kjo direkt me Bankën e Shqipërisë, është çështja e mbrojtjes së besueshmërisë te ky institucion.

“Mbrojtja e besueshmërisë së Bankës së Shqipërisë është kritike për përmbushjen e detyrës së saj. Zhvillimet e fundit në BSH nënvizojnë rëndësinë që kjo bankë të vijojë të operojë normalisht dhe në mënyrë të pavarur dhe nevojën për të mbushur një sërë vendesh vakante të rangut të lartë. Banka do të rishikojë kontrollet e brendshme dhe do të vlerësojë procedurat me ndihmën e një eksperti të jashtëm për të implementuar rekomandimet që u bënë në raportin e Vlerësimit Financiar 2014. Kjo do të ndiqet edhe nga vendosja e një Komiteti Auditi”, vlerëson stafi i Fondit në raportin e tij të fundit.

Në këtë aspekt vlerësohet edhe përpjekja që po bëhet nga ana e institucioneve shtetërore për të ndryshuar kufijtë e kreditimit të qeverisë nga ana e Bankës, ku si referencë nuk do shërbejë më objektivi i vendosur, pra parashikimi, por ai i performancës në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura