Rreziku i tensionit të ulët të gjakut, si të kujdesemi

Dec 15, 2014 | 15:48
SHPËRNDAJE

Zakonisht jemi mësuar që “të ruhemi” nga presioni i lartë i gjakut, porse pak e marrim parasysh se edhe presioni i ulët ose hipotensioni mund të jetë i rrezikshëm. Edhe pse tensioni i lartë është pa dyshim më i rrezikshëm për shëndetin, është mirë që njerëzit të kenë kujdes edhe nga tensioni i ulët.
Po kur mund të themi se kemi tension të ulët?
Hipotensioni ndodh kur zemra nuk ka fuqi mjaftueshëm të punojë për të hedhur në trup sasinë e domosdoshme të gjakut që i nevojitet atij. Përgjithësisht vlerat normale të presionit arterial konsiderohen 120 me 80 mm Hg (njësia matëse është mmHg, milimetra shtyllë zhive). Tensioni i ulët zakonisht i referohet leximit të presionit të gjakut, në një mesatare nën 100/60 mmHg. Megjithatë, këto norma variojnë edhe sipas personit, pasi çdo individ ka normat e tij të presionit arterial dhe shëndeti i tij vihet në rrezik kur presioni i gjakut ulet nën këto vlera apo kur këto vlera bien në mënyrë të papritur.
Cilat janë shenjat e presionit të ulët arterial?
Simptomat më të zakonshme të hipotensionit mund të përfshijnë vizion të paqartë, zbehje të lëkurës, gjendje depresioni, zalisje apo gjendje të fikëti, vështirësi në përqendrim, marramendje, lodhje e përgjithshme, të vjella, frymëmarrje të shpeshta apo të sipërfaqshme.
Cilat janë shkaqet më të zakonshme të presionit të ulët arterial?
Humbja e gjakut (hemorragjitë e ndryshme, operacionet), sëmundje të tiroides, shtatzënia, infeksionet e ndryshme, reaksionet alergjike, anemitë, mangësitë në ushqyerje, mjekimet që kurojnë zemrën dhe presionin e lartë të gjakut etj., mund të jenë disa nga shkaqet që çojnë në tension të ulët arterial. Nëse tensioni juaj bie nën 30 për qind të vlerave tuaja personale normale, atëherë kjo situatë kërkon paraqitjen te mjeku.
Ndodh hemorragjia kur kemi tension të ulët të gjakut?
Të gjithë e dimë rrezikun e hemorragjive cerebrale nga tensioni i lartë i gjakut. Por, rreziqet për trurin janë të mëdha edhe kur tensioni është i ulët. Kjo do të thotë se truri nuk furnizohet me sasinë e gjakut që i nevojitet dhe nga kjo vuajnë edhe organet e tjera, si: zemra, veshkat, mëlçia, zorrët etj. dhe kështu ndodhin ato që quhen ishemi. Nga tensioni i ulët mund të ndodhin edhe atakët në tru apo në zemër.

Si të parandalojmë tensionin e ulët?
•     Rekomandohet konsumimi i         kripës, sigurisht me masë.
•     Rekomandohet të hani shpesh         dhe në porcione të vogla gjatë         gjithë ditës. Ndër ushqimet e         rekomandueshme janë             qumështi dhe mishrat me         përmbajtje të ulët yndyre         (mishi i pulës, peshku).
•     Konsumoni sa më shumë fruta.
•     Pini sa më shumë ujë dhe         lëngje gjatë ditës.
•     Nëse ju merren mendtë kur         ndërroni pozicion, duhet të         ktheheni menjëherë në             pozicionin e mëparshëm.
•     Mos qëndroni në diell.
•     Mos përdorni alkool.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura