Rreziku i qeverisjes delirante

Sep 10, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

BLENDI KAJSIU

Blendi Kajsiu

Shpallja e kabinetit “Rama 3” tregoi edhe një herë atë që tashmë pranohet si nga mbështetësit, edhe nga kritikët e tij, qeveria Rama është e tipit “unë, vetë dhe vetja ime”. Ajo ka vetëm një fytyrë, atë të Kryeministrit. Ndaj, fotoja e kabinetit “Rama 3” që bëri më shumë xhiro në rrjet ishte ajo ku të gjithë ministret e ministrat shfaqen me fytyrën e Ramës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me përbërjen gjinore të qeverisë, përkundrazi. Pjesëmarrja e lartë e grave ishte një lajm mjaft pozitiv. Fatkeqësisht, më shumë se me një hap emancipues, kemi të bëjmë me një provokim, apo karrem për opozitën. Dhe disa syresh të saj nuk rezistuan dhe e gëlltitën karremin me gjithë grep, duke treguar maskilizmin e tyre injorant.

Eksponentë “intelektualë” të opozitës nuk vonuan ta quanin harem qeverinë e Ramës sapo panë që aty shumica ishin gra. Në vend që të kritikonin Kryeministrin për një qeveri ku mungojnë figurat me peshë politike, ata filluan të denigrojnë ministret duke i reduktuar nga profesioniste në objekte seksuale. Pra, denoncojmë gruan edhe kur paçavuren e bën burri.

Ndërkohë, problemi nuk është se Rama e ka mbushur qeverinë e tij me gra, por se në tetë vitet e qeverisjes së tij nuk është lejuar të rritet asnjë politikane apo politikan me peshë brenda kabinetit Rama. Kur një grua është e suksesshme si ministre apo deputete, kur krijon një profil serioz dhe me peshë në politikën shqiptare, që e bën të denjë për kryetare partie apo Kryeministre të ardhshme, ajo zhduket jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Parlamenti.

Mjafton shembulli i një nga politikaneve më serioze, më të formuara profesionalisht dhe me peshë në skenën tonë politike, si Mimi Kodheli, për ta kuptuar këtë proces. Zëvendësimi i grave më peshë dhe karrierë të suksesshme politike me fytyra sa të reja, aq edhe të panjohura, më shumë se shenjë emancipimi është strategji eliminimi e çdo figure që mund t’i bëjë hije egos së kryetarit.

Këtu qëndron rreziku i qeverisë “Rama 3”. Aty nuk ka asnjë figurë politike me peshë që mund ta kundërshtojë apo këshillojë Kryeministrin kur ai gabon në mënyrë spektakolare. Ndaj ekziston rreziku i një qeverisjeje delirante ku Kryeministri shkëputet gjithnjë e më tepër nga realiteti politik dhe social i vendit dhe i rajonit.

Ky rrezik bëhet edhe më i lartë po të kemi parasysh gjendjen e mjerueshme si politike, edhe intelektuale të opozitës. Ndaj, kjo e fundit do jetë e paaftë të frenojë deliret e një Kryeministri që pasi mundi tërmetin, Kovidin dhe opozitën, kërkon të mundë edhe historinë.

Shembulli më i qartë dhe shqetësues i kësaj tendence është nisma “Open Balkan”, ku Edi Rama e ktheu historinë me kokë poshtë duke u rreshtuar me Serbinë e Vuçiç kundër Kosovës dhe jo thjesht kundër Albin Kurtit, siç propagandojnë tellallët e tij.

Nuk kam dyshim që qëllimet e Ramës për të tejkaluar historinë konfliktuale shqiptaro-serbe nëpërmjet hapjes dhe bashkëpunimit mund të jenë shumë fisnike dhe vizionare. Ama, ideja se vullneti i tij mjafton për të ndryshuar realitetin historik të rajonit, nëpërmjet bashkëpunimit me Serbinë e Vuçiçit, është delirante.

Së pari, konflikti serbo-shqiptar në rajon nuk mund të tejaklohet pa pjesëmarrjen e Kosovës. Së dyti, paqëtimi mes Serbisë dhe shteteve shqiptare nuk mund të realizohet për sa kohë Serbia nuk pranon tërësisht jo vetëm ekzistencën e Kosovës, por as atë të Malit të Zi dhe të Bosnjës. Së treti, loja gjeopolitike e Serbisë, lidhja e saj e ngushtë ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe flirtimi me Kinën, bie ndesh me synimet tona të integrimit euroatlantik. Pa përmendur faktin që Vuçiç dhe qeveria e tij janë pasardhës të Millosheviçit në Serbi.

Të gjithë këta faktorë e bëjnë të pamundur tejkalimin e tensioneve serbo-shqiptare në rajon thjesht sepse Rama vendos të bëhet shok me Vuçiçin. Natyrisht, takimi dhe bashkëpunimi mes tyre prodhon një lajm dhe imazh pozitiv në mediat ndërkombëtare që janë mësuar të mbulojnë vetëm konflikte në rajon. Por vetëm kaq.

Për sa kohë në tryezë nuk është as Kosova, as Mali i Zi dhe as Bosnja, “Open Balkan” do mbetet një flluskë sapuni. Dhe për sa kohë Serbia nuk pranon, ose kërcënon, ekzistencën e këtyre shteteve, ato nuk do futen në një nismë të organizuar nga Serbia.

Ndaj nuk ka sens që Shqipëria të bëhet pjesë e një nisme që nuk ka të ardhme, por që përçan faktorin shqiptar në të tashmen. Edhe nëse pjesëmarrja në këtë nismë prodhon një lajm pozitiv në mediat ndërkombëtare, apo e nxjerr Kryeministrin si kozmopolit vizionar.

Nuk është e nevojshme të jesh politolog apo studiues i gjeopolitikës të kuptosh kaq gjë. Fakti që brenda qeverisë Rama nuk u dëgjua asnjë bëzamë mbi këtë të vërtetë kaq evidente, është prova kryesore se ministrat shërbejnë jo për t’i vënë fre, por për t’u bërë fresk delireve kryeministrore.

Janë delire që zhvillohen kur egoja e liderit rritet aq shumë saqë vendi i rri i vogël. Dhe ndonëse Shqipëria jonë është e vogël, ajo gjithsesi mbetet më e madhe se Kryeministri. Ndaj, interesat e saj gjeopolitike nuk mund të reduktohen te vullneti i tij. Aq më pak, mund të sakrifikohen për të kuruar imazhin e Kryeministrit të radhës në mediat ndërkombëtare.

Problemi është se në qeverinë “Rama 3” nuk ka asnjë ministër apo ministre që t’i kujtojë këtë fakt të thjeshtë Kryeministrit. Madje, kam frikë se shumë syresh mund të mendojnë se Rama meriton një vend më të madh se Shqipëria. Ndaj rreziku kryesor, me të cilin përballet kabineti “Rama 3”, është qeverisja delirante që prodhon gafa monumentale si “Open Balkan”. Ato mund ta fusin Kryeministrin në histori, por për arsyet e gabuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura