“Rrethimi i Niklës” dhe arrestimi i 5 “të fortëve”, monovra që përdori policia para aksionit

Sep 13, 2018 | 18:37
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Fshati problematik i Krujës, Nikël, u zgjua dje i rrethuar nga blindat e snajperët e forcave speciale RENEA, FNSH, si dhe dhjetëra oficerë të Policisë së Shtetit.

Pas operacionit që zhvilloi në Shkodër, Policia këtë herë shënjestroi Niklën, që për nga situata kriminale, i ngjan Lazaratit të dikurshëm. Objektivi i këtij aksioni të nisur në orët e para të mëngjesit kanë qenë personat me precedentë penalë, kontrollet për armë, eksploziv e drogë, për të cilat ishin siguruar më parë mandatet nga Gjykata. akson policia

Kontrollet që nisën herët mëngjes zgjatën për disa orë, me kontrolle banesash, territori dhe shoqërim të personave të dyshuar. 11 persona u shoqëruan nga Policia, por vetëm pesë prej tyre u prangosën.

Të arrestuarit janë: Valter Bami, 32 vjeç, vëllai i Durim Bamit; Marklen Haka, 27 vjeç, nipi i Falamur Hakës, Lutfi Haka, 67 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë; Ylli Çangu, 42 vjeç dhe Skënder Leza, 34 vjeç.

 

Prezenca e forcave të Policisë në fshatin e Niklës, mund të ishte vënë re shumë shpejt, në rast se nuk do të ishte përdorur si manovër stakimi i energjisë në fshat.

Kjo, për arsye se shtëpitë e “të fortëve”, që ishin edhe objektivi i kontrollit për armë e drogë, kanë të instaluar sistem sigurie me kamera, që mund t’i ndihmonin ata për t’i shpëtuar Policisë dhe për të fshehur objektet e jashtëligjshme që mund të kishin nëpër shtëpi.

Gjithçka është realizuar në mënyrë që fikja e dritave të dukej si një defekt në të gjithë zonën, deri në kohën që forcat RENEA dhe FNSH janë pozicionuar në pikat strategjike e të tjera forca u janë afruar banesave që do të kontrolloheshin.

Më pas ka nisur operacioni në orën 05:00 të mëngjesit, që vijoi më tej deri në orët e mesditës, me kontrolle dhe shoqërime të personave me precedentë penale e të dyshuar për krime.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura