Rrethi sa vjen e ngushtohet, dy dështimet e rënda për Donald Trump

SHPËRNDAJE

Dy dështime të rënda për Donald Trump: Megjithatë është herët të mendosh për fundin e presidencës së tij, mendon Martin Muno.

trump

Çfarë dite në Uashington! Dy ndër më të besuarit e Donald Trumpit duhet të qendrojnë për një kohë të gjatë në burg. Ish-menaxheri i fushatës elektorale Paul Manafort gjendet fajtor në disa prej pikave të aktakuzës për evazion fiskal. Pothuajse njëkohësisht me të ish-avokati i Trumpit Michael Cohen pranon fajin para gjyqit, se ka bërë shkelje të rregullave gjatë financimit të fushatës elekotrale – e madje e ka bërë këtë nën udhëzim. Për të gjithë kundërshtarët e Trumpi këto janë lajme të mira.

Në rastin Manafort në epiqendër nuk ishte çështja, se deri në ç’masë ekipi elektoral i republikanëve ka pasur marrëveshje ilegale me përfaqësues të qeverisë ruse, për të dëmtuar rivalen e Trumpit në fushatë Hillary Clinton. Megjithatë kjo temë ende luan një rol të rëndësishëm – edhe në një proces tjetër që fillon në mes të shtatorit.

Kommentarbild Muno Martin Martin Muno

Cohen e pranoi fajin duke pohuar, se ka vepruar sipas udhëzimeve të “një kandidati” duke u paguar para që të heshtin dy grave, me të cilat siç duket Trump ka kryer marrëdhënie seksuale, “për të influencuar një zgjedhje”. Trump është përbetuar në mënyrë të përsëritur, se as nuk ka pasur kontakte seksuale dhe as nuk janë derdhur para. Nëse Cohen është fajtor në aspektin juridik, atëherë Trump është gjithsesi fajtor.

Të fala nga Watergate dhe Lewinsky

Praktikat ilegale në fushatat elektorale dhe përgënjeshtrimi i marrëdhënieve jashtë martesore – që të dyja këto lloj aferash kanë zënë tashmë një vend të rëndësishëm në librin e historisë së personaliteteve të SHBA-së: Në rastin e parë – afera Watergate-prej së cilës më 1974 iu desh të japë dorëheqjen presidentit Richard Nixon, në mënyrë që t’i shpëtonte një procedure të shkarkimit nga posti. Në rastin e dytë një proces i tillë u hap ndaj Bill Clinton, sepse ai kishte pasur marrëdhënie seksuale me praktikanten  Monica Lewinsky, por e pati mohuar këtë nën betim. Procesi në fund dështoi, por reputacioni i Clintonit u cënua ndjeshëm.

Edhe pse po bëhet gjithnjë e më e qartë, që Trump ka bërë truke në fushatën elektorale, ka dhënë ryshfet e ka mashtruar, arsye të forta këto për një proces shkarkimi nga posti, ende nuk ka shenja për një veprim të tillë. Sepse për këtë procedurë fillimisht do të duhej të votonte dhoma e përfaqësuesve me një shumicë të thjeshtë dhe senati me shumicën e dy të tretave. Përderisa republikanët aktualisht kanë shumicën në të dyja dhomat një votë kundër presidentit duket e pamundur – e po ashtu është e pamundur që demokratët në zgjedhjet e ndërmjetme në nëntor të mund të arrijnë shumicën përkatëse në të dyja dhomat.

Një vend thellësisht i përçarë

Për çfarëdo që të akzuohet presidenti – një pjesë e mirë e popullsisë vazhdon ta mbështesë Trumpin. Madje njoftimet për devijime të presidentit konsiderohen nga simpatizantët e tij si propagandë dhe Fake-News të një shtypi mashtrimesh – të tilla akuza absurde lëshohen madje çdo ditë përmes tweet-ve me mllef nga vet presidenti. SHBA-ja është një vend thellësisht i përçarë: përkrahësit e Trumpit dhe kundërshtarët e tij nuk arrijnë të pajtohen as mbi një bazë të përbashkët faktesh, prrej nga mund të gjykoheshin veprimet e këtij personi – një rrethanë kjo, që na bën të shohim me shqetësim ndaj kulturës politike të kësaj demokracie me shumë traditë.

E pra mbeten gjykatat të gjykojnë: në sfondin e dënimeve afatgjata që i kërcënojnë ata, është e mundur, që si Cohen edhe Manafort të bashkëpunojnë me hetuesit. Nuk do të ishte e habitshme, nëse më pas do të bëheshin publike të tjera fakte të pakëndshme. Megjithatë, nëse do të arrihet deri në një akuzë ndaj presidentit. kjo është e dyshimtë, sepse ai gëzon imunitetin politik të postit – të paktën sa u përket akuzave që prekin detyrat e tij zyrtare. Juristët nuk duhet të grinden për çështjen, nëse ndër akuzat bëjnë pjesë edhe eskapadat seksuale të Trumpit para zgjedhjes së tij. Ai vet madje është i mendimit se ka kompetencat që ta falë vetveten. Duket pra, sikur burri në shtëpinë e bardhë pavarësisht dobësive të karakterit të tij mund ta vazhdojë i patrazuar avazin e tij politik – thjeshtë sipas motos: “meqënëse i ka dalë boja, mund të qeverisë tani lirshëm”. E ky është një lajm i keq në këtë ditë të paharrueshme në SHBA. DW

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.