Rregullore e zgjedhjeve që mban peng Universitetin e Tiranës

Feb 21, 2020 | 10:13
SHPËRNDAJE

EDMOND ÇATA, PHD edmond-cata-696x381

Pak ditë më parë, Universiteti i Tiranës publikoi Rregulloren e Zgjedhjeve të majit 2019. Në shkrimin tim ca ditë më parë, thosha se zgjedhja e drejtuesve është një ndër faktorët kryesorë të degradimit të Universitetit të Tiranës dhe cilësisë së arsimit. Zgjedhjet, megjithatë, do të bëhen, tamam si një “profeci vetëpërmbushëse”. Sepse qeveria mendon se nuk mund ta ndryshojë dot këtë gjë. Sepse në universitete, disave iu intereson të vazhdojë kjo maskaradë, disa të tjerë, njësoj si qeveria, mendojnë se nuk kanë fuqi ta ndryshojnë këtë gjë. Pra, zgjedhjet në universitete do të bëhen jo prej logjikës, por prej inercisë së zakonit; jo prej dobisë, por prej pafuqisë për të hequr qafe çibanin e së keqes; jo prej dëshirës që universiteti të bëhet më i mirë, por prej etjes për të “rregulluar” punët e vetes, familjes, klientëve, besnikëve votues, partisë mbështetëse dhe militantëve që duan të bëhen pedagogë, doktorë, profesorë me tituj.

Në kushtet e vazhdimit të praktikës së zgjedhje të drejtuesve, merr rëndësi të madhe qoftë fryma dhe mendësia e komisionit të hartimit të zgjedhjeve, qoftë edhe përmbajtja e Rregullores së Zgjedhjeve. Sepse cilësia e tyre është tregues pararendës i “bukës” që do të dalë prej tyre. Dhe çfarë “buke” do të dalë prej tyre, mund të shihet qoftë në deklaratat mediatike, qoftë në përmbajtjen e Rregullores së Zgjedhjeve të UT-së, e hartuar nën drejtimin e Dr. Majlinda Keta nga Fakulteti Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë dhe anëtarëve: prof. ass. Bernard Dosti nga Fakulteti Ekonomik; Departamenti i Ekonomiksit, doc. dr. Ardian Doka; nga Fakulteti Histori-Filologji, Departamenti i Gjuhës, prof. ass. Eglantina Gishti; Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Frëngjishtes, prof. ass. Oriona Muçollari; Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i së Drejtës Publike, dr. Gledian Caka; Fakulteti Shkencave të Natyrës, Departamenti Bioteknologjisë dhe studenti Eno Lushka.

Problemet që i presin përpara zgjedhjet e majit 2020 në UT i kanë dhënë sinjalet e para në deklaratat e bërë në media. Vetëm pak ditë më parë, e ftuar në “Ora News” nga Beti Njuma për të komentuar rreth Rregullores së Zgjedhjeve dhe zhvillimeve në UT, Majlinda Keta, shprehu “opinionin” e saj se rektori i ardhshëm i UT duhet të ketë background juridik për shkak të karakterit “juridik” të konfliktit midis rektorit aktual Koni dhe ministres aktuale, Shahini. Pavarësisht pozicionit të saj si kryetare e grupit të punës për hartimin e Rregullores së Zgjedhjeve në UT, ajo që është shqetësuese është kapaciteti juridik dhe profesional që shoqërojnë deklaratat e saj. Të gjithë e mbajnë mend daljen e saj po në “Ora News”, me deklaratën lapidare “Ligji i Arsimit të Lartë ka rënë!”. Por deklarata e saj e fundit më “Ora News” për background juristi të rektorit të ardhshëm duket sikur thotë se gjërat janë të paracaktuara. Ose, edhe nëse nuk janë ende të “vulosura”, zonja në fjalë lë përshtypjen sikur ka zgjedhur në cilën anë do anojë.

Por problemet që i presin përpara zgjedhjet e majit 2020 në UT, shfaqen akoma më konkrete në Rregulloren e Zgjedhjeve të UT. Rregullorja ka probleme tepër domethënëse për dobinë dhe produktin e vetë zgjedhjeve. Ajo, jo vetëm që nuk premton ndryshim të gjendjes aktuale, përkundrazi, mban peng UT me të njëjtën frymë të vjetër dhe mendësi klanore të konceptimit të zgjedhjeve.

1-RREGULLORJA BARAZON PROCESIN E VERIFIKIMIT TË PLAGJIATURËS ME VETËDEKLARIMIN

Kjo është një gjë që thotë Rregullorja e Zgjedhjeve. Në 14 janar 2020, ministria ua kaloi përgjegjësinë e verifikimit të plagjiaturave universiteteve. Por, Nenet 18, 19, 20, 21, 23, e barazojnë procesin e verifikimit të plagjiaturës me vetëdeklarimin e kandidatit “nuk kam bërë plagjiaturë” për fitimin e titullit “Doktor” apo të titujve akademikë “Profesor i Associuar” dhe “Profesor”. Në të gjithë nenet, thuhet që çdo sqarim i mëtejshëm jepet në Aneksin 1. Por në rregullore ky aneks mungon. Zv.rektori i UT-së, Elton Skëndaj, pohoi se deri tani nuk është hartuar ndonjë dokument që specifikon kriteret, standardet, procesin, penalitetet dhe per sonat që kërkon realizimi i procesit. Në UT, numri i kandidatëve konkurrues që do duhet të “skanohen” i kalon 100 vetët. Neglizhenca e deritanishme dhe barazimi i procesit të verifikimit të plagjiaturave me vetëdeklarim janë tregues se qoftë komisioni hartues i rregullores, qoftë strukturat e tjera brenda UT-së, as nuk besojnë, as nuk e dëshirojnë dhe as nuk janë impenjuar seriozisht për vënien në lëvizje të procesit. Pavarësisht se ditët po ikin, pavarësisht se procesi kërkon një angazhim dhe punë voluminoze.

2-RREGULLORJA SHPALL KRITERE QË RICIKLOJNË KASTËN DHE PENGOJNË KONKURRIMIN E LIRË

Kjo është gjëja e dytë që bën rregullorja. Neni 4, pika 5, thotë se për pozicionet Rektor/Dekan mund të konkurrojnë edhe persona jashtë UT-së. Kjo ripohohet edhe në Nenet 19, 20, 23. Por “deriçka” që rregullorja u hap personave “jashtë UT” mbyllet menjëherë. Këta persona nuk lejohet të konkurrojnë për Shef departamenti, sepse ky pozicion, në Nenin 21, pika 2, u takset vetëm atyre që punojnë brenda UT. Derën e konkurrencës së vërtetë e mbyllin përfundimisht “kriteret” e Neneve 19, 20, 23. Dhe çfarë kriteresh se: Të jesh “Profesor”! Të kesh 10 vjet mësimdhënie! Të kesh 10 vjet kërkim shkencor! Të kesh qenë “titullar disiplinash të lëndëve”! Të kesh zhvilluar kurrikula, programe lëndësh! Të kesh përgatitur literaturë mbështetëse! Të kesh zhvilluar projekte kërkimore të paktën për pesë vjet! Këto kritere nuk janë formuluar me disponimin për të hapur UT ndaj konkurrimit të lirë të ideve, projekteve, njerëzve të diplomuar dhe eksperiencë akademike, shkencore dhe profesionale në universitete në SHBA, Britani apo Europë. Pra, që të identifikojë kandidatë cilësorë. Kriteret duket se janë vënë për të ricikluar drejtuesit brenda kastës ekzistuese të UT-së. Këto kritere, një “kut” allashqiptar dhe pa asnjë vlerë në universitete normale në SHBA, Britani, apo Europë, janë stisur për të ngushtuar sa më shumë, edhe brenda vetë UT-së, numrin e kandidatëve që plotësojnë “kualifikimet”. Kriteret po ashtu tregojnë se hartuesit nuk e kanë fare haberin që qenia Rektor, Dekan apo Shef Departamenti, në universitete normale, ka karakter administrativ. Pra, që personi në këto pozicione, më shumë se me mësimdhënie apo punë kërkimore, për të cilat “kriteret” kushtëzojnë aq shumë eksperiencë, merret me letra dhe burokracira të funksionimit të përditshëm. Shkurt, kriteret riciklojnë kastën e vjetër të drejtuesve, pengojnë konkurrencën e lirë dhe e mbajnë UT hermetik ndaj çdo kandidati nga jashtë UT-së apo jashtë Shqipërisë.

3-RREGULLORJA SHARTON “ZGJEDHJET” ME “KRITERET”

Ky është nonsensi i tretë i rregullores. Hartuesit, me ose pa dashje, nuk kanë mbajtur parasysh dallimin mes zgjedhjeve dhe rekrutimit. Esenca e “zgjedhjeve” është përzgjedhja e më të mirit mbi bazën e konkurrencës së ideve dhe programeve. Pra, supozimi është që pedagogë e studentë të UT-së do të zgjedhin një kandidat me alternativën më të mirë. Esenca e “rekrutimit” është përputhshmëria e kandidatit me një set kriteresh që reflektojnë nevojat dhe preferencat e punëdhënësit. Pra, supozimi është që kriteret që UT shpall, synojnë të punësojnë kandidatin më të përshtatshëm. Rregullorja, nga njëra anë flet për zgjedhje, nga ana tjetër vë kritere për kandidatët!!! Ky shartim alla-shqiptar, nëse është i “mbrojtshëm”, të bën të pyesësh. Kur bëhet fjalë për “kritere”, a ka Komisioni i Rregullores së Zgjedhjeve tagrin juridik, kapacitetin institucional, dhe kapacitetin profesional, të përcaktojë cilët qenkan “kriteret” e mira të punësimit? Nga e ditkan anëtarët e këtij komisioni, cilat kritere qenkan të mira dhe garantojnë “përputhshmërinë” e kandidatëve për Rektor, Dekan, Shef Departamenti me nevojat e punëdhënësit “Universitet”? Çfarë i bie të jetë Komisioni i Rregullores së Zgjedhjeve? Një organ me fokus zgjedhjet? Apo edhe një organ “punësues”? Nëse Komisioni i Zgjedhjeve paska tagrin të përcaktojë edhe kriteret që bëjnë një kandidat të “kualifikueshëm” për punësim, a nuk ia rrëmben ky komision kompetencën e punëdhënësit një organi tjetër, me tagër dhe legjitimitet akoma më të madh se ai? Po ashtu, nëse bëhet fjalë për “zgjedhje”, çfarë ftohen të zgjedhin pedagogë e studentë bashkë? Ftohen të zgjedhin një më të mirin midis vizioneve, ideve, programeve që ofrojnë kandidatët konkurrues? Apo ftohen të zgjedhin kritere? A nuk ka vënë kështu Komisioni i Rregullores së Zgjedhjeve shenjën e barazimit midis “kritereve” dhe “programeve”? Kush ia jep këtë të drejtë këtij Komisioni të përcaktojë se cilët kandidatë qenkan të kualifikuar për të konkurruar dhe cilët jo? Nëse është vërtet kështu, përse u duhet atëherë kandidatëve të kenë programe, të shpalosin ide? Përse duhet vetë fushata zgjedhjeve? Shkurt, kur komisione të tilla si ky i UT, krijohen për inerci, funksionojnë në mënyrë fiktive dhe vihen në funksion të axhendave okulte të kastës aktuale drejtuese, doemos që do prodhojnë xhevahire të tilla!

4-RREGULLORJA DISKRIMINON STUDENTIN

Kjo është gjëja e katërt që bën Rregullorja e UT. Dhe e bën në disa mënyra. Së pari, duke i dhënë votës së studentit një peshë vetëm 10 për qind. Neni 14, pika b dhe Neni 15, pika b, thonë që vota e një “pedagogu” vlen sa vota e 10 studentëve. Dhe kjo logjikë shkruhet e zeza mbi të bardhë. Pavarësisht faktit që numri i studentëve është shumë më i lartë se numri i pedagogëve dhe jashtëzakonisht i lartë në raport me numrin 50 vetë të drejtuesve të UT-së. Pavarësisht faktit se rritja e peshës së votës së studentit ishte një ndër kërkesat kryesore të protestave studentore të dhjetorit 2018. Diskriminimi i dytë i Rregullores ndaj studentit është gjymtimi i së drejtës së studentit për të votuar, i shprehur në moslejimin e tyre për të votuar Shefin e Departamentit. Sipas Neneve 11, 14, 15, studentët votojnë vetëm për Rektorin dhe Dekanin. Neni 16 thotë se shefat e departamenteve zgjidhen vetëm nga pedagogët. Neni 11 thotë hapur që studentët nuk votojnë për zgjedhjen e Shefit të Departamentit. Nëse i qëndrohet logjikës së dobisë së zgjedhjeve universitare, kjo praktikë që gjymton të drejtën e studentit për të votuar, është një nonsens që nuk merr fare parasysh faktin se më shumë se me Rektorin apo Dekanin, studentët në praktikën e përditshme, për çdo nevojë, hall apo kërkesë përplasen te, dhe kanë të bëjnë me, Shefin e Departamentit. Diskriminimi i tretë që Rregullorja bën është ajo ndaj studentit-doktorant. Nenet 3, 11 dhe 13 thonë se vetëm studentët e ciklit të parë dhe të dytë kanë të drejtën të listohen në listat e votuesve dhe votojnë! Po studenti doktorant? Apo ai nuk ekziston fare!!! Studentit doktorant, kjo Rregullore nuk i njeh të drejtën e votës. Ose edhe kur thotë në Nenin 18 se studenti doktorant ka të drejtë të kandidojë për anëtar senati, i vë kushtin “të ketë mesatare mbi 8 të provimeve”. Dhe këtë “kusht” e vë në një kohë kur në modelin shqiptar të doktoratave studenti doktorant nuk merr lëndë. Vendosja e kriterit “notë mesatare mbi 8”, në një kohë që bëhet fjalë për “zgjedhje”, të bën të pyesësh: Po pse mesatare 8 dhe jo 7, 9, apo 10? Çfarë e bëka magjike shifrën 8? Shkurt, anëtarët e Komisionit të Rregullores, madje as Eno Lushka, përfaqësuesi i studentëve në këtë komision, as që e kanë vrarë mendjen që Rregullorja e Zgjedhjeve të korrigjojë marrëdhëniet e universitetit me studentin.

5-RREGULLORJA IMPORTON TË KËQIJAT E ZGJEDHJEVE POLITIKE

Kjo është gjëja e pestë që bën Rregullorja e Zgjedhjeve e UT. Nenet 6 dhe 7 thonë që kandidatët për Rektor dhe Dekan kanë të drejtë të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet e zgjedhjeve. Flitet edhe për “vëzhgues”. Po përse u dashka që kandidatët për Rektorë dhe Dekanë të kenë “përfaqësuesit” e tyre në komisionet e zgjedhjeve? Sepse anëtarët e komisioneve nuk janë të besueshëm? Sepse kandidatëve mund t’u vidhen votat? Apo për ndonjë arsye tjetër? Cilado qoftë racionalja prapa këtyre dy neneve, ajo të kujton kulturën dhe praktikat problematike të zgjedhjeve politike në Shqipëri. Të kujton luftën që bëjnë partitë politike për kontrollin e komisioneve të zgjedhjeve të përgjithshme. Duket se Komisioni hartues është i shurdhët ndaj debatit aktual që po bëhet për depolitizimin e komisioneve të zgjedhjeve. Sepse përkatësia politike e komisionerëve shihet si një ndër shkaqet e problemeve. Duke imituar konceptin e komisioneve të zgjedhjeve politike, Komisioni i Zgjedhjeve të UT-së ka importuar brenda zgjedhjeve universitare të gjithë të këqijat që shoqërojnë këtë model.

6-RREGULLORJA REFLEKTON KULTURË PROBLEMATIKE JURIDIKE

Kjo është gjëja e gjashtë që vërehet në Rregullore. Një element ku duket kjo deficiencë është në pohimin se zgjedhjet bëhen çdo 4 vjet të shprehur në Nenin 4, pika 1, edhe në Nenin 5, pika 1. Çfarë do ky pohim i përgjithshëm në Rregullore? A nuk është rregullorja një dokument ad-hoc, vetëm për zgjedhjet e përcaktuara nga Ministria për t’u mbajtur në maj 2020? A nuk duhet të jetë çdo artikulim apo përcaktim në rregullore i lidhur vetëm me zgjedhje specifike të majit 2020? Apo “zgjedhjet e majit 2020” do përsëriten çdo 4 vjet? Ky nonsens merr rëndësi në kontekstin e kulturës dhe artikulimit juridik të njerëzve në universitete. Është tjetër gjë të njohësh “the mechanics”, d.m.th., “yçklat”, e funksionimit praktik dhe të përditshëm të universitetit dhe është tjetër gjë t’i veshësh ato, ose shprehësh detajet dhe realitetet e përditshme me formulime juridike. Rregullorja e Zgjedhjeve të UT-së reflekton po të njëjtat probleme të kulturës dhe artikulimit juridik që reflekton Ligji i Arsimit të Lartë 80/2015 në përmbajtjen e vet. Elementi i dytë ku vërehet kultura problematike juridike është ai i përcaktimit të trupës zgjedhore. Nenet 12, 13, 14, 15, kur flasin për trupën zgjedhore, i referohen Nenit 3. Kur shkon te Neni 3 dhe kërkon definimin e saktë të trupës zgjedhore, pikat 3 dhe 4 përcaktojnë kush nuk ka të drejtë të votojë, por jo se si definohet trupa zgjedhore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura