Rregulla të reja për regjistrimin në Hipotekë, ja kufizimet

Dec 30, 2015 | 11:03
SHPËRNDAJE

Pagesa e faturës së truallit për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet apo tokë me pronarë nuk do të jetë më parakusht për marrjen e lejes së legalizimit. Jo vetëm kaq, madje edhe prona do të mund të regjistrohet në Hipotekë, por vetëm se do të jetë me shënim. Kjo do të thotë se pa u paguar fatura, nuk mund të marrësh tapinë.

Legalizime_ALUIZNI_Durres_01-520x250

Qeveria ka miratuar dje vendimin për “Përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës ndërmjet ALUIZNI-t e ZQRPP-së dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”, me anë të të cilit ndryshojnë të gjitha praktikat e deritanishme dhe vendosen afate konkrete ndërmjet dy institucioneve.

REGJISTRIMI

Vonesat e krijuara në shlyerjen e detyrimit financiar kanë mbajtur peng jo vetëm procesin për ndarjen e tapive, por edhe atë të pajisjes së familjeve me leje për objektin informal. Tanimë këto dy procese ndahen. Një vendim i mëparshëm i qeverisë e shkëpuste praktikën e legalizimit nga ajo e regjistrimit të pronës në Hipotekë. Kjo do të thotë që ALUIZNI do të operojë me ndarjen e lejeve të legalizimit, pavarësisht nëse familja e ka kryer ose jo pagesën e parcelës ndërtimore që ka në posedim.

E reja në vendimin e djeshëm është fakti që aty specifikohet se kjo pronë e papaguar do të regjistrohet, por me kufizim. Ajo nuk do të cilësohet pasuri e paluajtshme dhe familja nuk mund ta marrë tapinë deri në momentin që likuidon të plotë faturën.

“Leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore, regjistrohet nga ZVRPP-ja në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse në kartelë. Heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar, sipas pikës 14, kryhet nga ZVRPP-ja menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve”, thuhet në pikën 14 dhe 15 të vendimit të djeshëm.

AFATET

Zvarritjet që kanë shoqëruar deri më tani procedurat në Hipotekë kanë bërë që qeveria të vendosë afate konkrete. Kështu, regjistrimi i pronës do të bëhet brenda 10 ditëve nga momenti që ALUIZNI depoziton dosjen. Zgjidhje duket se do të marrin edhe ankesat e ngritura nga ALUIZNI se nuk marrin përgjigje në kohë nga institucioni i Hipotekës. Pa kaluar 10 ditë nga matjet në terren, Agjencia e Legalizimit kërkon informacion për statusin e pronës. Hipoteka ka detyrimin që në harkun e dy javëve t’i kthejë përgjigje ALUIZNI-t. Sakaq, kur ZVRPP-ja nuk dërgon informacion, ALUIZNI vijon procedurat administrative për legalizimin e ndërtimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura