Rregulla të reja për prodhimin dhe emetimin e biletave të lojërave të fatit

May 31, 2016 | 20:24
SHPËRNDAJE

Pas miratimit të rregullave për pajisjen e basteve me adresa sekondare, kësaj here është miratuar procedura e prodhimit dhe shpërndarjes së biletave online, pjesë e lojërave online të fatit.

bileta-300x200
Me udhëzim të Ministrisë së Financave, janë përcaktuar rregullat dhe afatet e procedurës së shtypjes, prodhimit dhe emetimit, si më poshtë:

2. Drejtori i Përgjithshëm i Lojërave të Fatit, miraton çdo biletë të re që hidhet në qarkullim nga organizatori i lojërave të fatit. Për këtë qëllim, organizatori paraqet pranë AMLF-së dokumentacionin e mëposhtëm:
a) kërkesën për miratim të biletës, shoqëruar me modelin e biletës së propozuar nga organizatori; b) Kontratën e lidhur me prodhuesin e biletës (përveç rasteve kur modeli i biletës parashikon printim në printerë termikë);
c) Detaje teknike të lojës dhe biletës.

3. Bileta e propozuar nga organizatori duhet të përmbajë elementet si më poshtë:
a) Emrin e organizatorit të lojës;
b) Të përmbajë nënshkrimin e “Miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Lojërave të Fatit”;
c) Çmimin e biletës në lekë (përjashtuar biletat ku çmimi përcaktohet sipas rastit);
d) Numri serial i biletës (numër progresiv i veçantë për secilin operator);
e) Bileta online do të marrë një numër serial unik nga Sistemi Qendror i Monitorimit online;
f) Elementi i sigurisë së biletës (për biletat e lotarisë së çastit);
g) Rregullorja e lojës me çmimet përkatëse për fituesin (për biletat e lotarisë së çastit);
h) Llojin/modelin e printerëve që do të printojnë biletat e lojës dhe detajet teknike të tyre.

4. Biletat e lojërave të fatit shtypen në shtypshkronjën e letrave me vlerë. Kur shtypshkronja e letrave me vlerë nuk ka kapacitet teknologjik për shtypjen e biletave, ato mund të shtypen në shtypshkronja brenda ose jashtë vendit.
4.1 Operatorët e miratuar për zhvillim aktiviteti lojërash fati, i dërgojnë paraprakisht shtypshkronjës së letrave me vlerë (SHLV-së) kërkesë për shtypjen e biletave të lojës së fatit, e cila do t’i propozohet për miratim ministrit të Financave. Me marrjen e kërkesës për shtypjen e biletave të lojërave të fatit nga operatori, shtypshkronja e letrave me vlerë vlerëson, nëse:
a) Ka apo jo kapacitetin teknik për shtypjen e kësaj bilete në formën dhe specifikimet e kërkuara nga operatori;
b) Negocion me operatorin, duke i propozuar këtij të fundit ndryshimet e nevojshme, me qëllim bërjen të mundur të shtypjes së biletës pranë këtij institucioni, sipas mundësive të këtij të fundit; c) Nëse edhe pas negocimit operatori nuk bie dakord për ndryshimet e propozuara dhe SHLVja vlerëson se nuk ka kapacitetin e duhur teknologjik të shtypjes së biletave të kërkuara, mblidhet bordi drejtues i SHLV-së, i cili shqyrton dhe analizon kapacitetet teknike.
Nëse bordi drejtues konstaton, gjithashtu, që SHLV-ja nuk ka kapacitetet teknike për shtypjen e këtyre biletave dhe argumenton pamundësinë e kthimit ekonomik nëse do të investohej për blerjen e teknologjisë së munguar për këto raste, shprehet me vendim;
ç) Vendimi i Bordit drejtues për pamundësinë e ofrimit të shërbimit, i komunikohet operatorit kërkues dhe Autoritetit Mbikëqyrës të Lojërave të Fatit, i shoqëruar ky me dokumentacionin justifikues që ka çuar në marrjen e këtij vendimi. Në vijim, operatori mund të procedojë me nënshkrimin e kontratës për shtypjen e këtyre biletave në shtypshkronja brenda ose jashtë vendit dhe vë në dijeni institucionin mbikëqyrës së aktivitetit të tij (AMLF-në);
d) AMLF-ja, pasi merr dijeni për vendimin e SHLV-së, kërkesën e operatorit dhe dokumentacionin e parashikuar në pikat 2 dhe 3 të këtij udhëzimi, së bashku me opinionin e tij të mirargumentuar, i dërgon për miratim ministrit të Financave biletën e propozuar nga operatori me të njëjtat specifikime, detaje teknike dhe format, si ato të dërguara nga vetë operatori për SHLV-në.

4.2 Në zbatim të pikës 4.1, Autoriteti Mbikëqyrës i Lojërave të Fatit merr në disponim nga operatori dhe shtypshkronja e letrave me vlerë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar shmangien e abuzimeve të mundshme.
5. Në kontratën e lidhur me shtypshkronjën e letrave me vlerë apo me shtypshkronja brenda ose jashtë vendit, do të përcaktohet data e fillimit të shtypjes së biletave, data e dorëzimit të biletave, sasia në copë e biletave, numri serial i biletave, çmimi i shtypjes së biletave, specifikimet teknike të biletave dhe vendosja e elementeve të sigurisë në biletë.
6. Organizatori depoziton pranë AMLF-së, përpara hedhjes në qarkullim të biletës për kategorinë e lojës “Lotari me fitim në çast”, CD me kodet e sigurisë dhe çmimet fituese të biletave, si të prodhuara nga shtypshkronja, me të cilën organizatori ka lidhur kontratën. Kjo CD hapet vetëm në përfundim të lojës dhe në prani të organizatorit.
7. Për biletat të cilat nuk shtypen pranë SHLV-së, ndiqet kjo procedurë:

a) Vetëm shoqëritë e licencuara për organizim të lojërave të fatit, kanë të drejtën të lidhin kontrata për prodhim biletash të lojërave të fatit me shtypshkronjën prodhuese të biletave të tyre, të importojnë dhe të hedhin në treg bileta të lojërave të fatit;
b) Në rast se biletat janë shtypur jashtë vendit, në deklaratën e zhdoganimit duhet të jetë e përfshirë: sasia në copë e biletave dhe numri serial i tyre sipas çmimeve përkatëse. Një kopje e deklaratës së zhdoganimit i dërgohet AMLF-së nga dega doganore përkatëse dhe, gjithashtu, operatori i lojërave të fatit, përpara hedhjes në treg të biletave, i dërgon një kopje të deklaratës doganore, AMLF-së. Të gjitha procedurat e tjera janë të njëjta sikur biletat të ishin shtypur pranë SHLV-së.
c) Në rast se biletat shtypen në shtypshkronja brenda vendit, veprojnë të njëjtat dispozita si ato të shtypura pranë SHLV-së.

8. Organizatori i lotarisë së çastit/me shorte është i detyruar të publikojë në të gjitha pikat e shitjes së biletave: a) Serinë e plotë të biletave të hedhura në qarkullim në të gjithë territorin e vendit; b) Rregulloren e lojës.
9. Bileta online është e vlefshme kur regjistrohet në kohë reale në SQMO dhe merr një numër serial unik nga ky sistem.
10. Organizatorët e lojërave të fatit, duhet të deklarojnë çdo datë 20 të muajit (deklarim mujor): a) Numrin e biletave të shitura; b) Numrin e biletave fituese; c) Numrin serial të biletave të shitura; d) Vlera totale të biletave të shitura; e) Vlera totale e biletave fituese. Asgjësimi i biletave bëhet vetëm me miratim të drejtorit të Përgjithshëm të Lojërave të Fatit.

MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura