Rregulla më të forta/ Qeveria propozon 2 sisteme për monitorimin e mjeteve ujore. Si ndryshojnë procedurat për regjistrimin

Aug 10, 2020 | 14:21
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Me anë të një projektligji të paraqitur për konsultim publik, qeveria propozon një ndryshim për procedurat e regjistrimit dhe të monitorimit të mjeteve lundruese turistike që përdoren në bregdetin shqiptar.kuvendi sot

Projektligji “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të kënaqësisë me motor me fuqi mbi 30 KW ose 40.8 KF dhe tonazh nën 150 GT”, paraqet disa mënyra të reja për procesin e regjistrimit të këtyre mjeteve ujore, por ndryshim për shkeljet në drejtim të moszbatimit të rregullave gjatë lundrimit apo zhytjes në zona të caktuara.

Sipas legjislacionit aktual, pronarët e mjeteve lundruese duhet të marrin leje me shkrim nga Policia Kufitare, ndërsa në projektligjin e ri, aplikimi dhe dhënia e lejes së lundrimit do të jepet dhe merret përmes rrugëve elektronike.

QËLLIMI

Në relacionin e projektligjit që është paraqitur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rreshtohen 3 objektiva kryesorë. Që nga krijimi i një regjistri elektronik për mjetet lundruese e deri te monitorimi më i mirë i këtyre mjeteve gjatë sezoneve turistike, ligji tenton që të normojë një fushë që deri më tani ka pasur raste kur janë evidentuar edhe problematika.

“Objektivat që synohen të arrihen përmes miratimit të këtij projektligji dhe zbatimit të tij janë: (i) rregullimi i mënyrës së regjistrimit të mjeteve lundruese duke krijuar një regjistër elektronik, i cili të jetë i aksesueshëm edhe nga institucionet e tjera ligjzbatuese; (ii) përcaktimin e normave të lundrimit në det dhe ujërat e brendshme tokësore; (iii) monitorimin sa më mirë të mjeteve lundruese turistike dhe të kënaqësisë që operojnë në det dhe ujërat e brendshme tokësore”, thuhet mes të tjerash në relacion.

SISTEME PËR REGJISTRIM E MONITORIM

Me këtë projektligj lind si detyrim ngritja e dy sistemeve elektronike. Njëri do të shërbejë për regjistrimin e të gjitha mjeteve ujore të kësaj kategorie dhe tjetri për monitorimin e këtyre mjeteve në ujërat territoriale të Shqipërisë. “Sistemi i parë do të quhet ‘Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese’, i cili do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia etj.

Ky sistem do të lehtësojë punën për regjistrimin e mjeteve lundruese në Republikën e Shqipërisë si dhe të forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin e punës midis institucioneve për monitorimin e tyre. Sistemi i dytë quhet ‘Sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve Lundruese’.

Ky sistem do të vendoset në kapitaneritë e porteve, të cilat, në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë, do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujerat e brendshëm tokësore të Republikës së Shqipërisë. Ky sistem do të lehtësojë procedurat e lejeve dhe raportimeve të mjeteve lundruese që kanë dëshirë të lundrojnë përgjatë bregdetit shqiptar”, thuhet në relacionin e projektligjit. Sipas një vlerësimi paraprak është parashikuar që kostoja ekonomike për ngritjen e këtyre dy sistemeve do të jetë afërsisht 35 milionë lekë që do mbulohen nga buxheti i shtetit.

SANKSIONET

Në projektligj parashikohen sanksione më të ashpra për rastet e mosregjistrimit të mjeteve lundruese apo edhe në rastet e zhytjes në zona të mbrojtura. Mjetet ujore turistike dhe ato të kënaqësisë që nuk do të regjistrohen brenda afateve të përcaktuara në ligj do të dënohen me 20 mijë lekë gjobë.

Pronarët e mjeteve lundruese do të gjobiten me 50 mijë lekë gjobë deri në bllokim të mjetit për 90 ditë edhe për rastet e mospasjes apo refuzimin e paraqitjes së dokumenteve gjatë lundrimit. Po ashtu, sanksione do të zbatohen për pronarët që do të fshehin të dhënat e vendndodhjes të mjetit lundrues.

GJETJET KRYESORE NË PROJEKTLIGJ

Projektligji do të sjellë si detyrim ngritjen e dy sistemeve elektronike.

-Sistemi i parë do të quhet Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese, i cili do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia etj.

-Sistemi i dytë quhet “Sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve Lundruese”. Ky sistem do të vendoset në kapitaneritë e porteve, të cilat në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujerat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë. Ky sistem do të lehtësojë procedurat e lejeve dhe raportimeve të mjeteve lundruese që kanë dëshirë të lundrojnë përgjatë bregdetit shqiptar.

Kostoja ekonomike për ngritjen e këtyre dy sistemeve do të jetë afërsisht 35 milionë lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Mosregjistrimi i pronësisë së mjetit brenda afatit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 20,000 (njëzetmijë) lekë.

Zhytja e pa autorizuar në objektet historike dhe kulturore nënujore të paautorizuara konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në vlerën 300,000 (treqind mijë) lekë.

Mjetet lundruese me fuqi motorike më të vogël se 30 KW ose 40.8 hp me cw lundrimi deri në 2 milje nga bregu, regjistrohen vetëm në zyrën e ZRMLD;

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura