Rrëfimi special/ Sekretet e Dajës: Ja çfarë do t’u thosha inspektorëve të UEFA-s

Mar 21, 2018 | 23:48
SHPËRNDAJE

Ilir Daja duket se në këto ditë pushimi për shkak të grumbullimit të ekipit kombëtar ka gjetur kohën për një intervistë ndryshe.

daja vangjeli

Numri një i pankinës korçare tregon pa dorashka në 360 gradë karrierën e tij si trajner, anët e vështira të një profesionisti rekordmen si i vetmi që ka kaluar katër ture eliminatore në Europë, por edhe anët e forta dhe të dobëta gjatë karrierës së tij.

Në rrëfimin për “Panorama Sport”, Daja tregon kë bezdis më shumë gjatë një ndeshjeje, por edhe “rebelët” që i është dashur t’i zbusë.

daja-2

Në karrierën tuaj si trajner a keni qenë ndonjëherë kaq i shkëputur nga ndjekësit?

Jo, asnjëherë me këtë diferencë pikësh nuk kam qenë më parë. Dua të them se është një diferencë që të jep qetësi psikologjike në njërën anë, por në anën tjetër ka vështirësi në motivimin e futbollistëve në fushë pasi duhet t’i mbash të karikuar deri në momentin që kampionati mbaron.

Ju paragjykojnë më shumë tani apo më parë?

Besoj që edhe pa të drejtë jemi gjithë kohës të paragjykuar. Në çdo javë paragjykohet rezultati i Skënderbeut para ndeshjes dhe del e kundërta, kur takimi përfundon. Por, në anën tjetër me lojërat që kemi zhvilluar dhe rezultatet që kemi marrë kemi hedhur poshtë çdo lloj paragjykimi.

Kolegët në skuadrat që luftojnë për mbijetesë a ju kanë kërkuar ndonjëherë me humor: “Na e lini këtë ndeshje se titullin e keni në xhep”?

Jo, absolutisht nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Sepse asnjë kolegu nuk i kam kërkuar të më bëjë nder në gjithë karrierën time. Duke ditur natyrën time, askush nuk e merr guximin që të bëjë një gjë të tillë.

Cilin nga kolegët vlerësoni më tepër?

Pavarësisht se me disa kolegë kam raporte më të mira se me një pjesë tjetër, me të gjithë pa përjashtim respekti është reciprok. Në Shqipëri nuk jemi në kushte të njëjta për shkak se jo të gjithë i kanë kushtet që të ofron stoli i Skënderbeut. Ka plot kolegë të mi që ushtrojnë profesionin në vështirësi fi nanciare dhe në infrastrukturë. Prandaj them se këta i respektoj më shumë pasi i di të tilla vështirësi.

Kush ka qenë trajneri që ju frymëzon më shumë?

Janë disa që të frymëzojnë, por po veçoj Mourinjon në një periudhë të caktuar dhe tani Guardiolën. Por jam vetvetja për sa i përket punës që bëj në stolin e një ekipi.

Daja

Cili është futbollisti që i flisni apo i bërtisni më shumë në një ndeshje?

Nuk dua të ndaj askënd pasi në momentet kur doza emocionale është e lartë, mund të jenë të gjithë ata që provojnë të bërtiturat. Por meqenëse po më kërkoni ndonjë emër nganjëherë e pëson Vangjeli, por edhe Lilaj dhe Osmani. Megjithëse, Micit i bie më shumë në qafë pasi është afër meje dhe duhet të më durojë gjatë gjithë kohës. Megjithatë, Mici është një lojtar i mirë dhe një djalë i mrekullueshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Gavazajn.

A keni kënduar ndonjëherë në publik, ndoshta në një rreth të ngushtë miqsh dhe kur e keni bërë për herë të fundit?

Sigurisht që kam qejf të këndoj edhe pse nuk di të këndoj mirë. Madje, në shkollë, zysha e muzikës më nxirrte jashtë pasi stonoja jashtë mase dhe prishja korin e shkollës. Në rrethin shoqëror shpeshherë këndoj pavarësisht se djali gjithmonë më thoshte që po të këndoj më, do ikë nga tavolina. Shpeshherë këndoj me miqtë apo me rrethin e ngushtë familjar.

Kush është kundërshtari më i vështirë me të cilin jeni përballur?

Kanë qenë disa gjatë karrierës sime si trajner. Do të veçoja që nga koha e Elbasanit ishin ekipe të tilla, si Tirana dhe Partizani. Më pas, në kohën kur drejtoja Dinamon në ndeshjen finale të vitit 2008 me Partizanin. Takimin e titullit kur për 40 minuta luajtëm me 9 lojtarë. Derbet me Partizanin kur drejtoja Tiranën kanë qenë po aq të bukur.  Ndërsa me Skënderbeun do të veçoja ndeshjen kundër Dinamos së Zagrebit, në atë takim ku do të ishim në grupet e Europa Ligës apo jo?

daja

Kush është lojtari më i vështirë që të është dashur ta zbusësh?

Të them të drejtën pavarësisht se kam pas doza përplasjeje me tone të larta me lojtarë të ndryshëm gjatë karrierës sime do të veçoja si më të vështirin, por që më mbrapa u bë mbështetësi im kryesor, Nevil Dede tek Elbasani. Por, edhe Shehi te Skënderbeu. Nuk është e lehtë t’i menaxhosh lojtarë të tillë, pasi janë edhe kapitenë të ekipit. Pavarësisht se janë lojtarë të mirë dhe djem të shkëlqyer, me pak fjalë janë liderë të ekipeve respektive.

Çfarë mendon për UEFAn si institucion?

UEFA është organizata më e lartë e futbollit europian. Nëse do i kishe përballë dy inspektorët që hartuan raportin, çfarë do iu thoshe? Do u thosha këto fjalë: Drejtoj një ekip që ka bërë historinë e futbollit shqiptar në kompeticionet europiane si ekipi i vetëm që ka marrë pjesë dy herë në fazën e grupeve të Europa Ligës, duke na bërë të gjithëve krenarë.

Çfarë do u thoshe ekipeve në Shqipëri që shohin ëndrra me Champions-in këtë sezon?

Do u thosha që janë ëndrra të gjumit të mëngjesit, ëndrra që nuk dalin asnjëherë.

Cili është defekti yt si trajner?

Normalisht edhe unë si çdo njeri kam defekte, por më mirë nuk i tregoj se do m’i përdorin më prapa. Ndoshta do i tregoj kur të largohem nga trajningu.

Ilir Daja

Po arma jote e fortë?

Janë dy kolonat e mia më të forta. Ana profesionale e para dhe mbrojtja e institucionit të trajnerit pasi çdo gjë e kam vendosur vetë bashkë me stafin, pa ndikimin e askujt.

Cila është këshilla që u jep lojtarëve jo si trajner po si miku i tyre?

Këshilla ime është ta duan profesionin dhe t’i japin prioritet maksimal. Pasi karriera e një futbollisti është e caktuar në kohë dhe gjatë këtyre viteve të japin maksimumin e mundshëm për të treguar vlerat reale që kanë.

Pse duhet të besojnë tifozët se Skënderbeu do t’ia dalë edhe në betejën me UEFA-n?

Kjo është një pjesë që nuk më takon mua të jap përgjigje pasi klubi ka struktura të posaçme që merren me të tilla çështje. Shënim: Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejën e gazetës.

LLAZI SARO

Shënim: Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i plotë ose i pjesshëm pa lejën e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura