Rrëfimi: Si i shpëtoi dënimit nga regjimi aktori Robert Ndrenika

Jan 12, 2017 | 10:08
SHPËRNDAJE

Siç mund të merret me mend, me skenaristin e shkrimtarin Kiço Blushi, aktori Robert Ndrenika, përpara se të kishte marrëdhënie të ngushta miqësore, ka pasur bashkëpunime profesionale, shkruan “Panorama”.

Kiço Blushi
Kiço Blushi

Sot, i shohim shpesh nëpër rrugët e Tiranës, të qeshin e bisedojnë në shëtitjet e gjata. Kiço Blushi është një nga njerëzit e vetëm me të cilët Roberti qesh vazhdimisht. Janë të dy në “luftë” të vazhdueshme romuzesh, që kanë nisur vite të shkuara.

Njohjet e para janë qysh kur Blushi ishte student. Vetëm më vonë, miqësia e të dyve do të vlerësohej reciprokisht; së pari profesionalisht, sepse përmes profesionit u bë edhe njohja e tyre, e më pas prej tipareve karakteriale të secilit.

Kiço Blushi, dje, në ditën e 75-vjetorit të mikut të tij, ka qenë i mbyllur në shtëpi prej gripit, por e nisi që në mëngjes mesazhin e urimit. Kur e pa që nuk mori përgjigje, i ra telefonit, por as këtë herë nuk pati ndonjë sinjal…

Buzëqeshi me vete, sepse e njihte shumë mirë situatën. Edhe këtë herë, për të mos u bërë pjesë e zhurmave apo ndonjë feste të befasishme që mund t’i kishin gatitur miqtë, miku i tij i heshtur kishte fikur telefonin! Të paktën deri pasdreke ishte kështu. Edhe një tortë që po e priste në një lokal ku ishin organizuar disa dashamirës e të njohur, ngeli e paprerë…

ndrenika

“Po përjashtoj këto ditët që gripi na ka mbyllur të gjithëve, por me Robert Ndrenikën takohemi paradite e pasdite për të ndenjur, biseduar dhe ecur. Jemi një grup miqsh, që nuk janë emra publikë. Aktualisht ai është duke u marrë me provat e një shfaqje të re dhe takimet kanë qenë më të rralla, por në situata të tjera, përditshmëria është e zakonshme.

Siç mund ta dini, Roberti jeton vetëm dhe angazhimet profesionale i bëjnë mirë. Ne kemi një marrëdhënie të bukur, edhe për shkak të humorit. Është e pamundur që bisedat tona të jenë të zakonshme, janë vazhdimisht me ngacmime që na kënaqin të dyve. Ka qenë gjithmonë kështu, që kur e kam njohur, kur kemi bashkëpunuar e deri sot. Unë e ngacmoj duke i thënë se unë e bëra të njohur, unë e shpëtova, sepse kishte biografi të keqe, ndërsa ai nuk lë rast pa ma kthyer, në situata të tjera.

Kur shëtisim, janë të shumtë njerëzit që e ndalin në rrugë dhe pasi i përshëndet, kthehet nga unë e u thotë: “Po këtë nuk e njihni? Është njeri i rëndësishëm edhe ky, është filani, si nuk e njihkeni! Dilni edhe me këtë një fotografi se do t’i jepni kënaqësi të madhe!” – Unë ia kthej duke i thënë “S’ke faj ti se unë të bëra njeri!”.

Kemi punuar bashkë në dy filma, te “Nëntori i dytë” dhe “Në shtëpinë tonë”. Sa herë i them “Prej meje të përmendi shoku Enver në vepër se nuk kishe për të shpëtuar me atë njollë që kishe në biografi. Në fakt, të jemi seriozë, një aktor me përmasa si të Bert Ndrenikës i duhej vendit. Ata që e lejonin ose përjashtonin, dinin ta vlerësonin talentin dhe për më tepër nuk rrezikonin me emra kaq të mëdhenj.

Në kohën që u rrezikua të dënohej Roberti, sapo ishte penalizuar Edi Luarasi dhe ata nuk mund të vazhdonin me këto ritme, i ruanin aktorët. Pastaj, pas filmit “Koncert në vitin ’36″, ku isha skenarist, rreziku kaloi. Roberti u vlerësua nga Enveri dhe vijoi më pas karrierën. Daljet mediatike të Berit janë të rralla, e fundit ka qenë tek Arian Çani.

Edhe atje doli me kushtin që mos të teprohej e mos të abuzohej me humorin. Pra, doli vetëm për të thënë “përmendeni edhe atë Blushin, se nuk e njeh njeri”. Lufta jonë është e vazhdueshme edhe e hapur, po kështu edhe kënaqësia që na jep miqësia dhe qëndrimi bashkë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura