RREFIMI/ Si i mbijetuan kampit të Tepelenës gratë e Mirakajve

SHPËRNDAJE

Sokol Mirakaj ka qenë shumë i vogël kur familja e tij, me vëllain, motrën, nënën e gjyshen, u transferua në kampin e Tepelenës. Ai nuk e kujton, s’ka se si, tmerrin e momentit të parë kur të hedhin nëpër kazerma, por jetoi aty aq sa për t’i krijuar kujtimet më vonë. Sepse nëse një fëmijë mund të harrojë pamjet e shkretuara të vendit, s’mund të harrojë të ftohtin e urinë, dhunën e përbuzjen. As luftën e së ëmës që bënte ç’të mundte që fëmijët ta ndjenin sa më pak lemerinë ku po jetonin, menjëherë pas lindjes.

Sokol Mirakaj me bashkëshorten
Sokol Mirakaj me bashkëshorten

E gjithë kjo ndodhi pasi babai i tij Pal Bibë Mirakaj ishte arratisur, bashkë me të vëllain, Kolën. Me ndryshimin e sistemeve dhe me vendosjen e regjimit komunist, ata i dinin pasojat. Të mos binin në duar të komunistëve, vendosën të arratiseshin. “Për më tepër, babai nuk pajtohej dot me dogmat dhe sistemin e mbrapshtë komunist dhe besoj se për të arratisja ishte një zgjedhje, por jo zgjidhje. Një jetë e tërë në arrati, me një familje që u dënua për vite me radhë nuk ishte aspak e lehtë”- tregon Sokoli.

Gjenocidi i ashpër i Enver Hoxhës i sulmonte familjet e pasura në ato vite dhe një prej tyre ishte edhe ajo e Mirakajve. Një pasuri e trashëguar nga gjyshërit, pronat dhe dy dyqane në Prizren të Kosovës administroheshin nga Pali dhe i vëllai e për këtë arsye, gjatë kohës që i internuan familjarisht, pasurinë e sekuestruan të gjithën. Familjen e çuan në një kamp internimi në Turan të Tepelenës, aty ku gjendeshin edhe shumë familje të tjera veriore, si ajo e Markagjonëve, Maria e Suzana Topalli etj.. Dikur, ky kamp kishte qenë varrezë, ndërkohë e kishin rrethuar me tela të lartë dhe e kthyen në kamp.

Pas kohës së zezë të Tepelenës, familja u zhvendos në Lushnjë, prej nga Sokoli nuk doli më deri në vitin 1989. Aty u martua, aty rriti fëmijët… Mirëpo, jeta që bëri në fshatrat e Lushnjës nuk mund të krahasohej kurrë me tmerrin që kishin jetuar në vitet e para të jetës. “Kujtoj që të gjithë thoshin, sa herë hanin bukë, se gjenin miza në ushqim, atë lëng groshe që hanim. Mirëpo ne jo! Më bënte habi kjo gjë, deri sa një ditë mësuam se nëna, prej vendit ku merrte gjellën e deri sa na e sillte, i pastronte mizat me një ashkël druri që ne të mos i hanim”- tregon Sokoli.

JETA E MIRAKAJVE NË KAMPIN E TEPELENËS

Ky kamp internimi ishte i rrethuar me tela me gjemba e gjendej buzë lumit të Bënçës, i cili dimrit ishte mjaft i rrëmbyeshëm, kampi ishte i ndërtuar nga italianët, gjatë luftës me Greqinë. Kampi kishte pesë kazerma të gjata afërsisht 50m, tri ishin me të internuar, një kazermë kishte 600-700 të internuar. Brenda, kazermat kishin shtretër marinarësh pa ndarje ku flinin familjarët. Ishte dhe një kazermë që kishte vetëm muret anësore, ishte goditur me predha gjatë luftës, por të internuarve të këtij kampi shfarosës u shërbeu si lavanteri ku gratë zienin rrobat apo lanin fëmijët.

Ndërsa kazerma tjetër shërbente si depo. Në situata të tilla ku nëpër kazerma kishte mbipopullim, higjiena ishte zero, morri bënte kërdinë si te fëmijët e te të rriturit, prandaj nënat na lanin verë e dimër në atë kazermë të zbuluar. Dimri në Tepelenë ishte shumë i ftohtë, kur na merrnin nënat për dore në dimër për të na dërguar atje për të na larë, shkonim duke qarë. Brenda kampit gjendej komanda e policisë, furra e bukës, infermieria, anash komandës ishte një vend i ngritur ku vendoseshin kazanët e gjellës që jepej dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Komanda e policisë përbëhej nga komandanti toger Hakiu, aspirant Syrjaj, mareshal Tomi dhe kapteri famëkeq Selfo, një katil i lindur që bënte apelin dhe në 12 të natës kur njerëzit dhe mund t’i kishte zënë gjumi, them mund, mbasi natën i shikoje nënat apo motrat, vëllezërit më të rritur që me një copë pishë në dorë digjnin foletë e çimkave që kishin pushtuar shtretërit e kërkonin të na pinin dhe atë pikë gjak që na kishte mbetur.

Lejet e daljeve nga kampi i internimit, Sokoli i ka ruajtur gjatë gjithë viteve në Lushnjë
Lejet e daljeve nga kampi i internimit, Sokoli i ka ruajtur gjatë gjithë viteve në Lushnjë

Kapter Selfo ulërinte sa hynte në kazermë për të bërë apelin, pastaj fillonte po me ulërima duke zbuluar jorganët për t’i kontrolluar familjarët, kishte raste që i zbriste të gjithë njerëzit nga krevatet e nëse ndonjë grua nuk e kishte marrë fëmijën në krahë, e detyronte të shkonte ta zgjonte fëmijën e ta merrte në krahë për ta paraqitur para kapter Selfos. Natën vonë dëgjoheshin dhe zëra të fëmijëve të uritur që iu kërkonin nënave bukë e nënat, motrat më të mëdha, me lot në sy kërkonin t’i qetësonin me ndonjë përrallë që t’i hutonin e t’i zinte gjumi.

Kampi përbëhej nga gra, fëmijë e pleq, sepse burrat ishin disa në mal që luftonin kundra instalimit të diktaturës komuniste, disa ishin vrarë në përpjekje, disa ishin në burg, disa ishin arratisur. Nuk lejohej të dilje jashtë telave, me përjashtim të atyre që shkonin në punë e fëmijëve që shkonin në shkollë. Trajtimi ishte çnjerëzor, bukë 500 gram në ditë si baltë e papjekur, ndërsa gjella ndahej në drekë e në darkë. Gjella ishte lëng makaronash, në kazanin me ujë lundronte ndonjë fije makaroni apo ndonjëherë ndonjë kokërr groshe, gatuanin dhe bollgur që ishte gjithë krimba dhe ata notonin të qetë në kazan e pastaj përfundonin në barkun e të uriturve, njerëzit e hanin bollgurin duke mbyllur sytë.

Në darkë zakonisht njerëzit nëpër kazermë rreshtoheshin për të zënë radhën për te soba, për të pjekur lendet që të shuanin sadopak urinë e për të tharë rrobat nga shiu, që i kishte zënë në punë në mal. Uria kishte pushtuar gjithë kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë, kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë manaferra, mbasi hëngrën mirë, u kthyen për t’u futur në kamp, ndërkohë i pa kapteri, i ndaloi të dy, i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtyllë, që ishte afër çezmës. Të dy fëmijët e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci të moshës 9 vjeç. Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika, ndërsa nënat e tyre, motrat e të afërmit rrinin brenda telave të kampit duke u dhënë kurajë: “Mos kini frikë, se ja ku jemi!”. Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i morën familjarët. Vdekjet e fëmijëve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjienës e ushqimit, çdo ditë dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët.

Vdiqën afërsisht 300 fëmijë e 400 pleq. Aty vdiq edhe gjyshja jonë, nënë Dedja. Varret u lëvizën tri herë, herën e tretë i vendosën buzë lumit të Bënçës, i cili dimrit fryhej e përpiu në shtratin e vet dhe eshtrat e tyre, sot janë pa varre. Çdo ditë hapej porta e kampit, se vinin kamionë me të internuar nga rrethe të ndryshme të vendit, brenda pak ditëve erdhën 300 familje vetëm nga Mirdita. Ditëve të pranverës, që kishte rënë i ftohti, fëmijët i shikoje që luanin me zare te kuzhina e prishur, të tjerët që ishin pak më të rritur gjuanin me llastiqe nëpër stallat e kuajve apo derrave. Njerëzit ishin shumë solidarë me njëri-tjetrin, ishin të gatshëm për të ndihmuar njëri-tjetrin në ato kushte të tmerrshme, fisnikëria e tyre dallohej. Të moshuarit, në ditët me diell, dilnin në oborre e bisedonin me njëri-tjetrin, duke treguar histori të ndryshme.

Vëllezërit Mirakaj
Vëllezërit Mirakaj

DITA E PARË E SHKOLLËS SË SIMON MIRAKAJ

Dita e parë e shkollës për mua nuk shkoi mirë, se kur po dilnim për t’u kthyer në kamp, mësuesi më ndaloi duke më thënë “E do babain…? Ku e ke babain?” Unë i thosha se e dua babain, megjithëse nuk e kisha parë e as më kishte parë kurrë, e mësuesi më godiste me tehun e vizores, më mbajti afër një orë mbas mësimit, vëllai me motrën rrinin mbrapa derës. Kur më la të lirë mësuesi, unë eca pak e pastaj më morën në krahë, herë motra e herë vëllai, se më kishte rënë të fikët.

Librat na i dhanë falas, për të shkuar në shkollë e kishim të vështirë se rruga ishte pak malore e nuk na mbanin gjunjët, ishim të dobët nga mungesa e ushqimit. E kishim të vështirë për të mësuar, për të bërë detyrat, abetaren për ta mësuar e vendosnim në gjunjët e hollë që sa mezi e mbanin, ndërsa detyrat i bënim barkas, bojën e shkrimit e bënim me lulëkuqe që i mblidhnim në oborrin e kampit ose e bënim me mëllaga. Unë ngandonjëherë përdorja djepin tim si tavolinë për të bërë detyrat, kjo nuk vazhdoi shumë. Një malësoreje i vdes fëmija i vogël, nuk kishte dërrasë për të bërë arkivolin, nëna ime i dha djepin tim, e sajuan një arkivol.

ADELAIDE, MOTRA E VETME QË RRITI VËLLEZËRIT NË KAMP

Lajdia, si i thërrisnim ne Adelaides, është një emër ky që lidhet me emrin e një gruajembretëreshë, me të cilën Kunia dhe Pal Biba Mirakaj, pagëzuan vajzën e tyre. Ajo ishte vajza e vetme e Pal Bib Mirakës dhe Kunes, një nga tre fëmijët e tyre, të cilët kishin edhe Simonin dhe Sokolin, vajzë e kampeve të internimit, të cilën fati e çoi në derën e një familjeje tjetër fisnike në Sarandë. Lajdia është gjithashtu mbesa e Kolë Bibë Mirakaj, ish-ministri shqiptar që shpëtoi 2000 hebrenj dhe që regjimi katil dhe pinjollët e tij sot, historianët e deformuar të Enver Hoxhës, që s’kanë ndryshuar asgjë nga koha e tyre.

Lajde Mirakaj
Lajde Mirakaj

Nga kampi i internimit të Beratit, tek ai i fundit në Savër të Lushnjës, u rrokullisën dhimbshëm 45 vite jetë nga jeta e saj. Në ato dyer të hekurta dhe vende të rrethuara me tela, ajo do të prekte të gjithë ciklet e jetës, nga fëmijëria te njohja me të shoqin, ceremonia modeste martesore, lindja e dy fëmijëve dhe vdekja e nënës në kamp internimi. Ndërsa, babanë nuk e njohu kurrë, për Lajden ky vazhdon të mbetet pengu i jetës, që e mundon ende…Pas arratisjes së babait, ajo i ka rrëfyer vetë disa nga kujtimet e ferrit ku ka jetuar, përpara se të largohej nga jeta.

“Për mua është një nga momentet më të vështira të jetës, që u bë shkak për vuajtjet tona familjare. Nuk kam për ta harruar asnjëherë ditën kur na internuan, bashkë me nënë Kunen dhe dy vëllezërit, Simonin dhe Sokolin. Kryesisht në Tepelenë u angazhova në punë fizike të rënda. Mbaj mend, sa herë ngarkoheshim me dru në krahë, unë edhe shoqet e mia dhe në momentet kur nuk ecnim dot më, sepse na dhembte shpina nga lodhja, gjenim një vend me zhavorr ose rërë, i vendosnim aty drutë dhe u jepnim një të shtyrë që të binin në lumin e Bënçës. Prej andej më pas i ngarkonim në krah dhe i çonim në kamp.

Simoni dhe Sokol Mirakaj
Simoni dhe Sokol Mirakaj

Sa shumë histori rrëqethëse ka mbartur ndër vite kampi i Tepelenës, në të kalova katër vite të jetës sime. Kur e kujtoj si jemi ushqyer, habitem me veten dhe them si jam gjallë. Racioni ditor i bukës ishte me gramaturë, vetëm 400 gramë, ndërsa ushqimet që na jepnin ishin gati të pangrënshme, fasule të krimbura, oriz me miza. Sa herë jam afruar nëpër kazanët ku zienin këto lloj gjellësh dhe shihja se si në sipërfaqe të kazanëve kishin dalë krimbat. Ishte kaq e pështirë… Ndërsa një ditë, që nuk kam për ta harruar kurrë, më bëri përshtypje vakti i darkës, një pilaf tërësisht i nxirë që na ishte servirur në pjatë. Ishte thuajse i pangrënshëm dhe kur pyeta kuzhinieret aty në kamp, më thanë se kazanët që përdoreshin për të zier pilafin apo gjellët e tjera, dikur kishin shërbyer si fuçi benzine për italianët dhe shqiptarët i kishin prerë duke i kthyer në kazanë për të gatuar ushqime të ndryshme. Atë ditë, stomaku për pak m’u shkul vendit”- ka treguar Lajdia.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakDorëheqja e ministrit, fillimi i paralajmëruar i rikonstruimit të qeverisë Zaev
Artikulli tjetërKush është i burgosuri në Fier që pret tiganin për të përgatitur thika

S'KA KOMENTE

Comments are closed.