RREFIMI/ “Si e kishte planifikuar Bekim Fehmiu vetëvrasjen”

Mar 20, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Fahri Musliu nuk do ta fshihte dot tronditjen, kur mësoi lajmin e vetëvrasjes së mikut të tij, Bekim Fehmiu. Për të bërë ngushëllimet e rastit, por edhe për të bërë detyrën e gazetarit, ai do të telefononte bashkëshorten e Fehmiut, Brankën.

uliks-fehmiu-me-të-ëmën
Branka Petriq me djalin e saj Uliksi

Këtë moment tragjik ai e kujton në monografinë e tij “Bekim Fehmiu, Odise i Kosovës”. Po shkëpusim nga ky rrëfim bisedën me bashkëshorten e Bekim Fehmiut:

“Diku kah ora 14:00 kam shkuar te parukierja për të rregulluar flokët dhe Bekimi si zakonisht më ka përcjellë deri te dera duke më puthur. Jam kthyer diku pas orës 15:00 dhe nga dera e hyrjes së banesës i them ‘Beko shihe çfarë frizure kam’. Nuk dëgjoj kurrfarë reagimi.

Hyra në dhomën e ditës, shoh se nuk është aty, kaloj në dhomën e fjetjes, as aty nuk e gjej. Thërras nëpër banesë, por nuk marr përgjigje. Pastaj hyra në dhomën e tij të punës, dhe shoh se është në krevat i mbuluar me çarçaf dhe në kokë ka një peshqir.

Prapë i them: ‘Beko, pse nuk më flet, shihe çfarë frizure kam’. Nuk ka përgjigje. I afrohem, i hoqa peshqirin nga koka dhe shoh se Bekimi kishte bërë vetëvrasje. Nga tëmthi ku kishte shti me pistoletë i kishte rrjedhë mjaft gjak, kurse pistoletën e kishte shtrënguar në dorë, e në tavolinën e vogël pranë kompjuterit pash dy letra të vogla lamtumire për mua me fëmijët dhe për vëllezërit në Prishtinë, me nga një fjali.

Thirra me të shpejtë djalin, Hedonin, e pastaj lajmëruam dhe policinë me mjekun, i cili konstatoi vetëm vdekjen… Heshtje… I dashur Fahri, Bekimi e paska përgatitur deri në perfeksion vdekjen e tij, e unë nuk kam vërejtur asgjë të dyshimtë edhe pse kohët e fundit ka qenë mjaft i nevrikosur për shkak të dobësimit të pamjes së syve, nga goditja në tru që ka pasur pas vitit të ri, edhe pse mjeku i syve dhe psikologu çdo ditë i thoshin se çdo gjë do të rregullohet shpejt, por duhet të duroj…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura